9 Dhjetor, 2022 - 11:52 am
Pianodromi rikthehet ditën e hënë, më 12 dhjetor, në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, me një koncert me perla të muzikës botërore e shqiptare. Ky koncert special vjen në kuadër të përvjetorit të dhjetë të festivalit të muzikës sinfonike “Pianodrom”.
Themeluesi dhe producenti i festivalit, kompozitori i mirënjohur Aleksandër Peçi, tha se në këtë festival luajnë emra të mëdhenj të artit shqiptar, profesorë e padagogë të Universitetit të Arteve.
Programi i këtij koncerti-gala parashikon interpretimet e emrave të afirmuar të skenës dhe Universitetit të Arteve, por edhe të të rinjve virtuozë.
Në 10-vjetorin e Pianodromit do të interpretojnë violoncelisti Astrit Selita, klarinetisti dhe pedagogu Fatos Qerimaj, pianistet e pedagoget Kristina Petrollari e Rudina Ciko, violoncelistja Dorina Laro, sopranoja Ulpiana Aliaj, pianistët Igli Rapaj e Laura Lila, violinisti Dejon Bendaj dhe pianistja Megi Gjura. /atsh /KultPlus.com