31 Janar, 2019 - 3:30 pm
Dame Vivienne Westwood, Peter Gabriel dhe Wolf Alice janë në mesin e 50 artistëve, të cilët kanë bërë thirrje që Festivali Evropian i Këngës të mos mbahet në Izrael.
Duke përmendur shqetësimet për të drejtat e njeriut ata kanë nënshkruar një letër të hapur, ku i kërkojnë BBC-së që ta iniciojë zhvendosjen e garës në një vend tjetër.
“’Eurovizioni’ edhe pse ka karakter argëtues nuk është i përjashtuar nga konsiderata që duhet pasur për të drejtat e njeriut”, kanë shkruar ata.
Në përgjigjen e kthyer nga BBC-ja shkruhej se nuk është e përshtatshme që të përdorin BBC-në për qëllime politike.
Gara vjetore do të mbahet në maj në Tel-Aviv, pasi që më 2018 fituese ishte këngëtarja izraelite Netta. Vendi fitues zakonisht bëhet nikoqir i garës vitin e ardhshëm.
Sido që të jetë, grupi i personaliteteve të kulturës, ku përfshihen edhe Mike Leigh, Maxine Peake dhe Miriam Margolyes, ka thënë se “pretendimi për të shpallur diversitetin dhe gjithëpërfshirjen duhet të tingëllojë bosh”. “Nuk mund të shpërfillim shkeljen sistematike të të drejtave që shteti izraelit ia bën popullit palestinez”, kanë shkruar ata. “BBC-ja është e përkushtuar për të mbrojtur të drejtën ‘e lirisë së shprehjes’. Ajo duhet të veprojë sipas parimeve të saj që të mundë ta zhvendosë ‘Eurovizionin’ në një vend ku nuk kryhen krime ndaj lirisë”.
Letra vjen një javë para se Mbretëria e Bashkuar ta përzgjedhë përfaqësuesen e saj në “Eurovision”
“Për çdo artist, që është mjaftueshëm i vetëdijshëm, ky është nder i dyshimtë”, thuhet në letër. “Ata dhe BBC-ja duhet të kenë parasysh se një vend i tillë nuk është zgjerim i ligjit, që thotë se palestinezët nuk mund të vendosin për heqjen e zaptimit ushtarak të Izraelit dhe të jetuarit pa aparteid.
BBC-ja ka thënë se “Eurovizion” nuk është “ngjarje politike dhe si e tillë nuk e mbështet asnjë mesazh apo fushatë politike”.
Në deklaratë thuhet: “Gara gjithmonë ka mbështetur vlerat e miqësisë, tolerancës dhe diversitetit, dhe ne nuk besojmë se është e përshtatshme të përdoret pjesëmarrja e BBC-së për qëllime politike”. “Për këtë arsye ne do të jemi pjesëmarrës në garën e sivjetme. Vendi nikoqir përcaktohet nga rregullat e garës e jo nga BBC-ja”.
Europian Brodcasting Union, që e organizon këtë garë, theksoi gjithashtu edhe karakterin jopolitik të ngjarjes dhe theksoi se përgatitjet në Tel-Aviv kanë përparuar.
Shumë nga ata që nënshkruan letrën të mërkurën kanë bërë thirrje për një bojkot kulturor të Izraelit duke i kritikuar artistët si Nick Cave, “Radiohead” dhe Lana del Rey, që kishin organizuar koncerte në atë vend. Fushata e tyre shoqërohet nga një thirrje e mëhershme për zhvendosje të “Eurovizionit” e bërë në shtator të vitit të kaluar, nga një koalicion i artistëve nga e mbarë bota.
Kjo ngjarje u organizua nga lëvizja “Boycott, Divestment and Sanctions” (BDS) e cila kërkon bojkotimin e plotë të Izraelit për shkak të politikave të tij ndaj palestinezëve. Izraeli thotë se BDS-ja e kundërshton qenësinë e Izraelit dhe është i nxitur nga antisemitizmi/BBC./KultPlus.com