Ylli Daklani fiton çmimin e publikut në Garën e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë

30 Mars, 2019 - 12:03 am

Gili Hoxhaj

Gara e kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë (BCCP) erdhi për herë të parë në Prishtinë, organizuar nga festivali DAM që ka nisur para katër netëve në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Çmimi kryesor është “Rrëqebulli i Argjendtë” i punuar nga Leke Berisha, i është ndarë kompozitores kosovare Anda Kryeziu për veprën  “Time- Change- Rate” dhe kompozitorit serb Nemanja Redivojevic për veprën “Salvation Craek”. kurse çmimi i publikut shkoi për kompozitorin kosovar Ylli Daklani për veprën “The Newborn”. Yll Daklani u lind në Mitrovicë, ku ka studiuar piano në shkollën e mesme të muzikës “Tefta Tashko” në vendlindje dhe ka vazhduar studimet për kompozim në klasën e prof. Drinor Zymberi dhe Mendi Mengjiqi në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.

Para se të ndahen çmimet veprat e pesë kompozitorëve nga Kosova dhe vendet e rajonit u interpretuan para publikut nga ansambli holandez Oerknal, nën dirigjimin e dirigjentit amerikan me bazë në Holandë Gregory Charette. Pikërisht anëtarët e këtij ansambli dhe dirigjenti Charette kanë bërë edhe ndarjen e çmimit kryesor të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë.

“Rrëqebulli i Argjendtë”  është simboli i kësaj gare, i punuar nga Lekë Berisha, ndërsa në çdo edicion të ardhshëm do të punohet nga artizanët e Kosovës.

“Kjo për të promovuar filigranin por edhe Rrëqebullin si specie në zhdukje e që përveç tjerash jeton edhe në një pjesë të territorit të Kosovës.  Qëllim është krijimi i një programi bashkëpunimi në mes të kompozitorëve që vijnë nga 6 vende të Ballkanit perëndimor dhe krijimi i marrëdhënieve substanciale midis tyre dhe institucioneve muzikore në Ballkan dhe Evropë”, është shprehur drejtori aritstik i DAM-it në një intervistë për KultPlus.

 Çmimi Filharmonisë së Kosovës shkoi për kompozitorin nga Maqedonia e Veriut, Angel Spiroski  për veprën  “Salvation Creak” dhe çmimi i Dam Festivalit u nda për Damjan Jovicin për veprën “Pharos 0.2”.

Gara e kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë (BCCP)  që është konkurs/ rezidencë për kompozitorë synon të bëhet tradicionale. E themeluar në vitin 2018 nga Dardan Selimaj, drejtor i Festivalit DAM dhe Rreze Kryeziu- Breznica, drejtoreshë e përgjithshme e Festivalit DAM ka për qëllim të krijojë një program për kompozitorë nga gjashtë vende të Ballkanit (Shqipëri, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia. Nga 2021, BCCP do të jetë e hapur për të gjithë kmpozitorët që jetojnë në vendet e Ballkanit (Shqipëria, Bulllgaria, Greqia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Rumania, Sllovenia dhe Turqia. Aplikacionet për BCCP 2021 do të priten nga 1 qershori deri më 20 nëntor 2021./ KultPlus.com

Të ngjajshme