27 Korrik, 2020 - 2:57 pm
Situata e krijuar nga pandemia Covid-19, ka bërë që shumë festivale në Kosovë të anulohen ose të mbahen pa prezencën e publikut.
Festivali “Zambaku i Prizrenit” në 5 shtatorin e këtij viti do të shënoj edicionin e tij të 31-të, por ndryshe prej herëve tjera në bahçen “Kino Lumbardhi”, ku dhe do të mbahet ky festival do të mungoj publiku, shkruan KultPlus.
Komuna e Prizrenit ka njoftuar se për shkak të situatë të krijuar në vend, festivali do të organizohet pa prezencën e publikut, por më një transmetim të drejtpërdrejtë në kanalet televizive.
“Për shkak të masave të përcaktuara për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, u vendos që ky manifestim i festivalit të mbahet më 5 shtator 2020, pa prezencën e publikut, i cili do të transmetohet drejtpërdrejtë në kanale televizive për të gjithë teleshikuesit”, thuhet në njoftim.
Të gjithë artistët do të kenë mundësinë të dërgojnë këngët e tyre në festival deri me datën 7 gusht të këtij viti, kurse votimi për këto këngë do të bëhet online.
“Zambaku i Prizrenit” ka për qëllim mbrojtjen dhe promovimin e vlerave kulturore përmes këngës së lehtë. Ky festival është themeluar nga institucionet e atëhershme kulturore të Kosovës, si ngjarje e vetme kulturore që kultivon zhanrin e muzikës së lehtë si baladat, shansonet e serenatat.
Karakteristikë e këtij festivali është edhe kultivimi i artistëve dhe këngëve të reja të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në repertorin e muzikës së lehtë, duke afirmuar personalitete të njohura të muzikës si këngëtar, kompozitor, poet, instrumentist, të cilët i kanë begatuar vlerat e mirëfillta muzikore të vendit tonë. / KultPlus.com