‘Zambaku i Prizrenit’ fton kompozitorët për edicionin e 29-të

21 Gusht, 2017 - 10:05 am

Festivali “Zambaku i Prizrenit” duke qenë festivali i vetëm në Kosovë, i këngës së vjetër qytetare, nëpër vite ka ruajtur frymën e vlerave të mirëfillta dhe është shndërruar në një nga aktivitetet që hyjnë në përshkrimin e ngjarjeve të qytetit. Ndër të tjera Prizreni quhet edhe qyteti i “Zambakut…”, përcjellë KultPlus.

Organizatorët e edicionit të 29-të të festivalit të këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”, këngës për fëmijë “Fluturat 2017” dhe “Rock live”, Studio Helix dhe Komuna e Prizrenit, ftojnë të gjithë kompozitorët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora që të konkurrojnë me krijimet e tyre më të reja. Konkursi mbetet i hapur deri më 6 shtator.

Këtë vit për shkak të procedurave tenderuese, formë kjo e dhënies në organizim të Festivalit “Zambaku i Prizrenit”, (anulimit dy herë të tenderit), festivali “Zambaku i Prizrenit”, “Fluturat” dhe Rock live do të mbahen në pjesën e fundit të muajit shtator.

Studio Helix, kompani kjo muzikore që merret me organizimin e aktiviteteve muzikore, rezistoi dhe fitoi tenderin për organizimin e Festivalit të këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”, duke u ballafaquar me Kompani për kultivimin e luleve në kopshte dhe kompani qe merren me printim dhe reklama.

“Duke e parë gjendjen në të cilën e sollën festivalin e këngës së vjetër qytetare, disa organizatorë të papërgjegjshëm, dhe Kompani të tjera të ngjashme të cilat mendjen e kanë te përfitimi dhe jo te organizimi i mirëfilltë, Studio Helix që nga viti i kaluar kur e organizoi edicionin e 28 me vullnetin dhe dëshirën më të mirë po synon, që këtij festivali të ia kthejmë namin që e ka. Edicioni i 28 i vitit të kaluar ishte pikë kthese në shpëtimin e Festivalit “Zambaku i Prizrenit”, i cili për disa vite ishte para dilemës të mbahej apo të mos mbahej, prandaj studio Helix me edicionin e 29 premton se jo vetëm me organizim cilësor të festivalit por edhe cilësinë e pjesëmarrjes së këngëve të vjetra qytetare, do të ia kthej namin që e ka festivali “Zambaku i Prizrenit”, thotë Istref Krasniqi drejtor i Studio Helix.

Konkursi
Pas nënshkrimit të Kontratës, Studio Helix në bashkëpunim me Kuvendin Komunal në Prizren shpall konkursin për pranimin e këngëve konkurruese për festivalin e këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit 2017”, “Fluturat” dhe Rock Live. Kushtet për konkurrim janë këto: Këngët konkurruese duhet të kenë vlera të mirëfillta muzikore në frymën e këngës së vjetër qytetare, Këngët konkurruese për “Fluturat” duhet të kenë vlera të mirëfillta të këngës për fëmijë, Këngët për festivalin Rock live duhet të kenë vlera të muzikës Rrock. Pjesëmarrësit në konkurs duhet të dërgojnë demo incizimin e këngës dhe tekstin në dy kopje. Punimet dërgohen me shifër, ndërsa në zarf të veçantë dërgohet emri dhe mbiemri i plotë i autorit me adresë të saktë dhe me numër të telefonit. Do të shqyrtohen vetëm kompozimet e reja të cilat janë në frymën e muzikës së vjetër qytetare.

Festivali ka karakter garues

Punimet duhet të dorëzohen deri më 6 shtator në adresën Rruga e Saraçëve, numër 3B, ose në adresën elektronike [email protected] me shenjën për Festivalin “Zambaku i Prizrenit 2017. Edicioni i 29 i Festivalit Zambaku i Prizrenit do të mbahet në ditët e fundit të muajit shtator.

Juria profesionale ndan tri vendet e para për këngët më të mira të festivalit. Kënga fituese shpërblehet me trofeun “Zambaku i Argjend”, përderisa votat e publikut përcaktojnë këngën më të mirë të zgjedhur nga publiku e cila shpërblehet me trofeun “Mikrofoni i Artë”.

Kënga që do të zërë vendin e parë, përveç “Zambakut të Argjend” do të shpërblehet me shumën prej 500 Euro, vendin i dytë, do të shpërblehet me shumë prej 300 Euro dhe vendi i tretë do të shpërblehet me shumën prej 200 Euro. Kënga më e mirë e zgjedhur nga publiku përveç me “Mikrofonin e Artë” do të shpërblehet edhe prej 300 Euro. Trofeu “Zambaku i Argjend” i takon kompozitorit, ndërsa Trofeu “Mikrofoni i Artë” i takon këngëtarit, Shpërblimet tjera në mënyrë të barabartë i takojnë këngëtarit dhe kompozitorit të këngëve fituese.

Gjithashtu do të ndahen shpërblimet tradicionale për këngët më të mira të festivalit “Fulturat 2017” dhe Rock Live 2017. / KultPlus.com

Të ngjajshme