1 Qershor, 2018 - 1:16 pm
Festivali “Mirëdita, dobardan” mbrëmë shënoi natën e dytë të festivalit. Qëndra për Dekontamin Kulturor është bërë adresë e njoftimit me kulturën e artin e Kosovës.
Gili Hoxhaj
Sopranoja Adelina Thaçi e pianistja Pranvera Hoxha nisën rrugëtimin e koncertit të mbrëmshëm. Pranvera Hoxha në të kuqe zë vendin pranë pianos prej nga dhe fillon lojën e saj bindëse, me një qëndrim të drejtë, ajo lëviz vetëm këmben e djathtë në harmoni me tingujt, ka një refleksion të shpejtë kur këtë ia kërkon vepra. Duart e saj duket sikur lundrojnë lehtë mbi piano, e kur zëri i sopranos pushon, muzikaliteti i saj pianistik veçse del në pah.
Adelina Thaçi, e veshur në të zeza, në dukje tejet elegante në paraqitjen e saj reflektonte sigurinë që tashmë me vite e ka ndërtuar në skenë. Me mimikë të gjallë e lëvizje që përfaqësojnë tekstet e këngës, me sytë drejt publikut ajo komunikonte me secilin që ishte në sallë. Përjetimi i saj ndaj veprave bëhet më i theksueshëm kur i bashkon duart e sytë i rrinë mbyllur.
“Asaman o trendafili Çeles”, “Margjelo”, “Lule bore”, “Njat zaman t’asaj furie” e “Agime Shqiptare” e Avni Mulës përmes zërit të e Adelina Thaçit ngjallën emocione të forta te publikut. Tek përfundimi e refreni i veprave, zëri i saj arrinte kulminacionin. Për Adelinën kjo mbrëmje solli emocione të dyfishta, që përveç duartrokitjeve nga publiku, ata së bashku i kënduan këngë të ditëlindjes. Thaçi tregoi për KultPlus se mbrëmë është ndjerë mjaft rehat përgjatë performancës.
“Kjo mbrëmje ishte jashtëzakonisht e mirë, duke filluar nga prezenca e publikut e diplomatëve. Ka qenë një mbrëmje e mrekullueshme dhe reportuari ka qenë aq i afërt dhe i mishëruar me neve. Për fund ishte një surprizë e mirë që ditëlindja ime u prit në këtë mënyrë edhe duke koncertu, dhe në fund që ma kënduan edhe mua këngën e datëlindjes”, tregoi Thaçi.
Ajo tutje tregoi se këto vepra janë përzgjedhur për arsyen se prezantojnë perlat e muzikës tonë që prezantojnë artin shqiptar. Tutje Thaçi u shpreh se shkëmbime të tilla kulturore janë të domosdoshme pasi që arti në mënyrë paqësore arrin t’i rrëzoj barrierat.
“Këto vepra nuk i kemi zgjedhë me ndonjë qëllim por ato janë të bukura dhe nuk kemi të tjera dhe për ta shpalosë artin shqiptar dhe këto këngë janë perla për me tregu artin tonë dhe se sa të bukura janë këngët tona. Këto shkëmbime kulturore kanë më shumë rendësi se politika, pasi që kultura përmes artit në mënyrën paqësore bën thyerjen e akullit dhe barrierave të shoqërive ndërmjet vete. Edhe Qeveria e Kosovës dhe Serbisë duhet që këto organizata që po mundohen përmes artit mi bashku popujt dhe kulturat, duhet të investohen më shumë në këto festivale, pasi që mendoj se festivalet e tilla janë çelësi kyç ”, u shpreh Adelina Thaçi për KultPlus.
Zërat e ansamblit “Zanat”, më larg skenës, si zëra të dytë iu bashkuan zërit të Adelinës në veprën “Agimet shqiptare” duke bërë publikun që të kthehet në kërkim të këtyre zërave. Pasi që Pranvera Hoxha largohet nga skena, vendin në piano e zë pianisti e kompozitori Artan Hasani. Vepra e parë vjen pa ndërhyrje nga pianisti, i cili me një teknikë të saktë e precizitet artistik veçse kompleton programin e ansamblit “Zanat”. Ai tha për KultPlus se interpretimi i këtyre veprave në kuadër të festivalit, e pritja e publikut atje i kanë dhuruar një ndjenjë shumë të veçantë.
Kjo është hera e dytë që Artan Hasani interpreton veprat e njohura shqipe me ansamblin “Zanat”. Me një intensitet të shpeshtë duartrokitjesh ato ishin përcjellë në Festivalin “Dam”, aty ku edhe kishin debutuar si ansambël. Ky ansambël është formuar së fundmi me anëtaret e solistet e Filharmonisë së Kosovës. Ansambli i përbërë nga Adelina Thaçi- Meta, Elida Kryeziu- Hoti, Diellza Sylejmani, Arstina Kelmendi, Albana Piperku ka për qëllim ruajtjen dhe kultivimin e muzikës shqiptare. Të gjitha në të zeza, me pak hapësirë në mes vete, veçantitë e zërave të tyre e sollën një interpretim ndryshe të veprave. “Fustanin që ta solla mbrëmë”, “Hapi sytë e zezë”, “Kaçurrelja”, “Ç’u mbush mali plot me rrush”, ishin veprat që njëra pas tjetrës erdhën e u pritën me emocion të njëjtë nga publiku. Sytë e publikut i cili qëndronte në një zonë më të errët, me vëmendje përcollën interpretimin e solisteve që qëndronin në një ndriçim të zbehtë.“Bjeri çiftelisë” e “Këngë moj buçit në male” bën që publiku të mos kursej duartrokitjet edhe gjatë interpretimit të tyre. Në një bashkim të duartrokitjeve të publikut e ansamblit, në fund të veprës me brohoritje, duartrokitjet e publikut i cili u ngrit në këmbë ishte në kërkim edhe të një interpretimi tjetër.
Elida Kryeziu Hoti tha se u nda tejet e kënaqur nga mikpritja e publikut. Ajo tha për KultPlus se do të vazhdojnë që në raportuarin e interpretimeve të tyre të fusin vepra që janë perla të muzikës shqiptare.
“Kjo është hera e parë që vijmë në festival, por nuk do të thotë që nuk do të vijmë prapë, sepse ka qenë një mikpritje jashtëzakonisht e madhe të cilën nuk e kemi pritur, bazuar edhe në situatën që u krijua dje. Prape se prapë ne jemi të lumtura me prezencën e publikut dhe që janë ndarë të kënaqur me neve. Këto këngë i kemi përzgjedhur për shkak se janë këngët më të bukura shqiptare, sidomos kjo e fundit e Musa Piperkut nuk përsëritet kurrë”, u shpreh Kryeziu për KultPlus.
Mes publikut të mbrëmshëm që për më shumë se një orë shijoi këtë koncert, ishte dhe një i ri me emrin Luka Berberina. Berberina tregoi për KultPlus se i dëgjon dhe i pëlqen shumë këngët shqiptare, prej nga edhe i ka mësuar disa fjalë shqipe, të cilat i flet.
“Më pëlqyen këto këngë, sidomos kënga e fundit të cilën do ta kërkoj për ta dëgjuar prapë. Kam qenë në Ohër, dhe në një farë forme, aksidentalisht kam parë një CD të Sofrës pejane më 2008 dhe kam nisur ta dëgjoj. Më pas kam vazhduar të dëgjoj disa këngë tjera dhe më pëlqejnë shumë. Mendoj se është një muzikë shumë e njëjtë edhe pse gjuha është e njëjtë ato arrijnë të më prekin kur i dëgjoj”, tha Berberina.
Festivali “Mirëdita, DobarDan” sot do të vazhdoj ditën e tretë të aktiviteteve, ku në mbrëmje do të prezantohet shfaqja teatrale “Copë Copë” me regji të Zana Hoxha – Krasniqit.
Si frymëzim për themelimin e festivalit ka shërbyer Bekim Fehmiu, aktor i ndjerë shqiptar, kosovar, beogradas, jugosllav dhe botëror, simbol i së kaluarës së përbashkët, së bashku me të gjitha sfidat, arritjet dhe keqkuptimet.
Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), dhe Iniciativat Qytetare (Serbi). / KultPlus.com