1 Gusht, 2023 - 8:00 pm
Tefta Tashko Koço është këngëtare e shquar lirike në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare. Ajo ka lindur në Egjipt 2 nëntor 1910.
U lind në Fajum të Egjiptit, e bija e frashërlliut Athanas Tashko dhe Eleni Zografit, më e vogla e gjashtë fëmijëve. Të vendosur në Egjipt pas disa ecejakeve, familja Tashko çeli aty një kafené dhe më pas një hotel. Deri në 11 vjeç Tefta në shtëpi fliste shqip dhe jashtë saj arabisht.
Me vdekjen e të atit më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpelje, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit.
Në vitin 1930, Tefta bën inçizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote Neço Mukon. Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare.
Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali.
“Zare trëndafile”, Të dua, moj goc’ e vogël”, Bilbil çapkëni”, Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”,”As aman, moj lule” etj janë disa nga këngët e saj.
Ndërroi jetë në moshën 37-vjeçare, në Tiranë, më 30 dhjetor 1947.