18 Dhjetor, 2017 - 7:03 pm
Organizatorët e edicionit të 56-të zbulojnë të tjera detaje nga mbrëmjet e Festivalit. Autori dhe drejtuesi i këtij Festivali, Adi Krasta, nuk do të jetë i vetëm në skenën e rrallë të ndërtuar për festën më të madhe të muzikës në vend.
Natën e parë, përveç kumbarit të kësaj feste, kantautorit Riccardo Cocciante, i cili pas performancës së tij, ka kërkuar ta ndjekë shfaqen si spektator, e rrallë kjo për artistin e madh,do t’u jepet mundësia të bashkëprezantojnë me Krastën, disa personazhë, të cilët na kanë treguar nëpërmjet punës së tyre një Shqipëri tjetër; jo atë që shumë njerëz duan ta lënë me çdo kusht, por Shqipërinë e atyre që kanë vendosur të jetojnë këtu, jo vetëm për veten, por edhe të krijojnë modele të suksesshme.
Nata e dytë do të jetë një rikthim në skenë i disa prej drejtuesve ndër vite të këtij institucioni muzikor në vend, ndërsa e treta një paradë sirenash që do të ndriçojnë edhe më shkëlqimin e skenografisë së artë të Albi Çifligut.
Mbetet surprizë bashkëpunimi në duet me Elhaida Danin dhe trajnerin e saj që e shpuri në fund të rrugës së “Voice of Italy”. Flaka Krelani e Kejsi Tola do të jenë të ftuara në Festival për të sjellë një nga këngët më të fuqishme të fondit të muzikës botërore, por nuk do të mungojë edhe tradicionalja, me qasje bashkëkohore e Kelly Guga Band, një përzierje e motiveve të jugut me motive të muzikës jazz.
Adelina Ismaili “thyen heshtjen” e disa viteve në skenë, duke ngjallur kuriozitet, sidomos në këtë fazë të jetës, ku si për çdo grua-nënë artiste, prioritetet ndryshojnë. Aurela Gaçe, “shpërthimi” i skenës sonë, aq e dashur për publikun, për energjinë dhe interpretimin e saj brilant, është një tjetër “gur” që erdhi nga Festivalet, për t’u kthyer sërish aty, për t’i dhënë Festivalit dashurinë që meriton, ashtu siç bënë edhe shumë emra të njohur të muzikës që “janë vënë në rresht” për garën, të cilën të gjithë duan ta fitojnë, por që për ta, Festivalit mbetet ende më i madh se një çmim i vetëm.
Ndërsa po përgatitet për koncertin e tij të shkurtit të vitit të ardhshëm, në Festival vjen një nga kantautorët më të dashur, Alban Skënderaj, i cili di të fitojë zemrat e spektatorëve me refrenet e papërsëritshme. Produkt festivalesh, fituese e tyre, drejtuese festivali, pjesëmarrëse në Sanremo, interpreuese në “Musical”, por më e konsoliduar se kurrë, vjen në skenën e Festivalit, Elsa Lila me bandën e saj, me një performancë të panjohur më parë nga publiku shqiptar.
Numrat koreografikë janë shfaqje të rralla artistike, të mbështetura në tematika sociale, siç është për shembull koncepti i protestës. Në Festival do luhet edhe futboll, por për të njohur shënuesin në portë, na duhet të presim gongun për çeljen e Festivalit. / KultPlus.com