28 Dhjetor, 2017 - 11:35 am
Në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi sot u mbajt ceremonia e ndarjes së Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani” dhe çmimeve vjetore për vepra muzikore për vitin 2016, shkruan KultPlus.
Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani”, iu nda kompozitorit kosovar Zeqirja Ballata, pas propozimit të jurisë në përbërje të Valton Beqirit, Baki Jasharit e Dinor Zymberajt.
Valton Beqiri, kryesuesi i komisionit të jurisë theksoi opusin e gjerë të veprimtarisë së Zeqirja Ballata, i cili përmban rreth 170 vepra nga të gjitha gjinitë, nga ato sofistike, kamertale dhe vokalo-instrumentale, të cilat janë interpretuar në shumë vende të botës.
Zeqiraja Ballata pasi që pranoi çmimin u shpreh se ndihet shumë mirë pasi që këtë çmim e merr së bashku me kolegë të rinj, të cilët i njeh me decenie të tëra.
“Edhe pse nuk janë të gjithë të një gjeneratë, ata janë aktiv për shumë gjatë pikë se pari duke krijuar vepra të ndryshme. Është kënaqësi e madhe për mua dhe kolegët që janë aktiv dhe marrin pjesë edhe në koncerte dhe festivale edhe ndërkombëtare”, u shpreh Ballata, duke thënë se atë sot e gëzon edhe një element tjetër pasi që sot kemi edhe kompozitore të gjinisë femërore.
Çmimi për veprat vokalo-instrumentale dhe muzikore-skenike iu nda kompozitorit Kreshnik Aliçkaj për veprën “Përtej luftës e paqes”.
Çmimi për veprat orkestrale-simofonike dhe koncertanle e mori kompozitorja Dafina Zeqiri për veprën “Koncert për piano dhe orkestër”.
Çmimi për veprat kamertale shkoi për kompozitorin Mendi Mengjiqi për veprën “String Quartet Nr. 4”.
Çmimi për veprat korale iu nda kompozitorit Rafet Rudi për veprën “Deti i varreve të hapura” për kitarë dhe kor.
Ministri Kujtim Gashi tha sot gjatë ndarjes së çmimit se Ministria është mirënjohëse për punën dhe angazhimin e tyre për avancimin dhe fuqizimin e muzikës klasike.
“Ne si ministri jemi jashtëzakonisht të lumtur që kemi njerëz të tillë që vazhdimisht punojnë dhe krijojnë dhe si rezultat ministria natyrisht që organizon edhe momente të veçanta për ndarjen e çmimeve”, tha ministri Gashi sot gjatë ndarjes se ceremonisë, duke shtuar se ministria do të vazhdoj të ketë përkrahje të vazhdueshme për krijuesit, performuesit e artit, të cilët lënë gjurmë në arkivin e pasur të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve.
Ndërkaq, çmimi për veprat solistike dhe duo nuk u nda pasi që në këtë kategori nuk pati vepra konkurruese të kësaj gjinie./ KultPlus.com