14 Shkurt, 2022 - 3:00 pm
Tenori i famshëm kosovar, Ramë Lahaj do të mbajë një koncert në Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Amfiteatrin Milenium në Dubai, përcjell KultPlus.
Kjo gjë është bërë e ditur nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Ajo ka thënë se të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët tanë në Kosovë, që duan të jenë pjesë e kësaj feste, ftohen ti marrin biletat falas për të hyrë në ”EXPO 2020 Dubai” me 17 shkurt 2022.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Twitter”, Lahaj ka thënë se ka ftuar të gjithë shqiptarët që të bashkohen në koncertin “Zëri i Kosovës së pavarur”, i cili do të mbahet në Dubai.
“Të nderuar, Kosova për herë të parë bëhet pjesë e ekspozitës botërore Expo Dubai 2020. Prandaj kemi kënaqësinë t’ju ftojmë të gjithëve në koncertin “Zëri i Kosovës së Pavarur” në Amfiteatrin Millenium të Dubait me fillim nga ora 21:30”, shkruan tenori i njohur kosovar.
Në këtë ekspozitë botërore, në të cilën marrin pjesë 192 shtete, me pritshmëri të afër 25 milionë vizitorëve, gjatë periudhës 1 tetor 2021 – 31 mars 2022, Republika e Kosovës është duke i prezantuar dhe promovuar vlerat e saj në arenën ndërkombëtare, e që janë pjesë e temës botërore të Expo 2020 “Lidhja e Mendjeve dhe Krijimi i të Ardhmës”. /KultPlus.com