9 Nëntor, 2020 - 5:55 pm
Hanife Sejfulla – Reçani, u lind më 1938, në ambient ku e pati trashëguar këngën nga familja e saj, të cilët e vazhduan traditën e tyre edhe pas shpërnguljes nga Luma, ku në odat e burrave, përveç kuvendeve, muhabeteve e shakave, ia merrnin edhe këngës. Hanifja u martua në moshë fare të re, diku si 17 vjeçare, por bashkëshortin, profesorin e nderuar të gjimnazit të Gostivarit Feim Sejfullai-Reçani, e pat përkrahësin më të madh të saj, i cili realisht rridhte nga një familje me virtyte kombëtare. Talenti i saj u zbulua herët, si nxënëse e klasës së dytë apo të tretë, gjatë manifestimit të këngëve dhe valleve të pionerëve në podiumin e vendosur në rrafshin e Leunovës dhe Niqiforovës, komuna e Mavrovës.
Si 12 vjeçare mori pjesë në organizime të ndryshme në Mavrovë, ku Hanifja hodhi hapat e para si këngëtare. Përveç kësaj, Hanife Sejfulla Reçani dallohej si një vajzë shembullore dhe e shkëlqyer në mësime, gjë e cila i ndihmoi të krijonte portretin e saj si artiste, qysh në moshë fare të vogël.Profesor Lorenc Andoni, në vitet e ’60-ta qe redaktor i muzikës në Radio Prishtinën, duke gjurmuar për këngëtare tjera me vlera, kishte hasur në emrin e Hanifes. Hanifja në këtë periudhë si duket kishte pushuar paksa nga angazhimet artistike, dhe Lorenci me të hetuar këtë shkon drejt e në shtëpinë e saj. Këtu pritet me tradita të larta lumjane nga bashkëshorti dhe nga Hanifja vetë, e profesor Lorenci nënvizon se Hanifja duheshte detyrimisht të vjen të inçizojë në Radio Prishtinën.
Në Prishtinë inçizoi dy këngët më të popullarizuara të saj: “Bien tri daire” dhe “Dil aty ku dole mbramë”. Vitin 1971 vjen ftesa përsëri nga prof. Lorenc Andoni dhe Isak Muçolli për të inçizuar këngë të tjera. Tashmë, Hanifja e pat më të lehtë, meqenëse ishte popullarizuar tej mase dhe publiku kërkonte ta dëgjonte edhe me këngë të tjera. Pas kësaj, punëtorët e UDB-së e akuzojnë pse ka kënduar në Prishtinë e jo në Shkup, ndaj u trasua iniciativa e Talat Avçes dhe e muzikologut Ismail Hoxha që ta ftojnë për të inçizuar në Radio Shkupin.
Të parën këngë për ta inçizuar e caktuan “Për midis pazarit të Durrësit” dhe “Mori cucë matjane”. Hanifja hasi në ndihmesë të madhe nga kryeredaktori i Radio Shkupit Talat Avçe i cili e ndihmon Hanifen që të shkolloheshte në formimin e zërit të saj. Hanife Sejfulla Reçani bashkë me Shaban Stafajn dhe Maksut Deharin e themeluan shoqërinë “Besa” të Gostivarit, e cila funksionoi fuqishëm 8 vjet me radhë. U paraqit me një pjesë të mirë të repertoarit të saj që përbëhej nga këngët lirike, siç kemi: “Dukanja”, “Pse je idhnu ti me mua”, “Prej Tetove në Gostivar”. Në vitin 1970 u shpall “Këngëtare e vitit” për interpretimin e këngëve të Pollogut e të Sharrit. U nderua me disa çmime e mirënjohje, u shpall “Qytetare nderi” nga ana e Kryetarit të atehershem të komunës së Gostivarit, u dekorua edhe me “Medaljen Presidenciale e Meritave” nga ana e presidencës së Kosovës.
Këngë emblemë të saj do ngelen: “Bien tri daire”, “Prej Tetove në Gostivar”, “Moj fusha e Korabit”, “I hipa pamporit”, “Kënga e çobanit”, “Dil aty ku dole mbramë”, “Pse je hidhnu ti me mue”. Në repertoarin e saj kemi një pasuri prej afro 200 këngësh, njëra më e suksesshme se tjetra. Vitet e fundit të jetës i kaloi pranë gjirit familjar, ashtu e sëmurë nën përkujdesjen e fëmijëve dhe bashkëshortit. Zemra e saj pushoi së rrahuri më 17 nëntor të 2017, duke lënë pas vetes fëmijët, familjen dhe thesarin e saj artistik,e mbi të gjitha, la pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në zemrën e artit të kombit tonë.
Për burimet e informacioneve u siguruam nga anëtarët e familjes Sejfullai / Qendra Colibris!
Për më shumë ndiqni linqet:
https://www.youtube.com/playlist… / QendraColibris/ KultPlus.com