14 Nëntor, 2019 - 9:28 pm
Vepra “Zhizel” i përket fondit të artë të baleteve botërore, por Teatri i Operës dhe Baletit e sjell në skenë për 86- vjetorin e lindjes së koreografit, “Mjeshtrit të Madh” Agron Aliaj. Vepra vjen në skenë për dy mbrëmje te “ArTurbina”, por TOB shprehet se është rasti për mos ta humbur një kryevepër në të gjitha elementët e saj.
Kjo shfaqje që këtë mbrëmje shënon natën e parë në skenë, do të interpretohet nga trupa e baletit. Balet me dy akte nga Adolphe Adam, libreti është shkruar nga Jules-Henri Vernoy de Saint-Georges e Theophile Gautier. Koreografia nga origjinali Jean Corallie dhe Jules Perrot. Baleti është vënë për herë të parë në botë në operën e Parisit më 28 qershor 1841. Por “Zhizel” është vënë në skenën shqiptare për herë të parë nga koreografi i njohur Agron Aliaj, në dhjetor të vitit 1988.
Ndër vite është vënë sërish në skenën shqiptare në TOB, duke pasur një vlerësim të publikut. Teatri i Operës dhe Baletit shprehet se ditëlindja e 86 e mjeshtrit Aliaj, përkoi me përgatitjet e kryeveprës. “Sa herë përmend “Zhizel” mendja të shkon te mjeshtri Agron Aliaj. Datëlindja e tij e 86 përkon edhe me përgatitjet e kryeveprës së baletit klasik në studiot e Teatrit të Operës dhe Baletit”, shkruan teatri. Solistja e njohur Ledia Sulaj tregon se në këtë vepër lëvizjet janë romantike dhe me shumë elegancë, por sipas saj është punuar shumë nga trupa baletit për ta sjellë në skenë për publikun. “Baleti “Zhizel” është një legjendë gjermane dhe një balet romantik. Emocion është gjithmonë, sepse vjen në skenë në përvjetorin e ditëlindjes të mjeshtrit Agron Aliaj. Është punuar shumë dhe vjen për dy net në “ArTurbina”, në bashkëpunim dhe me nxënës të Shkollës së Baletit. Këtë herë e kërcej me një partner të ri në skenë, që është Kevin Lila”, pohon Sulaj.
Vepra sonte ngjitet në skenë, por Teatri i Operës dhe Baletit shprehet se baleti “Zhizel” mund të shikohet në çdo kohë e në çdo moshë. “Baleti klasik njeh në gjithë historinë e tij 7 të famshëm, “Zhizel” është njëri prej tyre. Arsye kjo që ne ju ftojmë në njërën nga datat, në 14 ose në 15 nëntor në “ArTurbina”. Është një përrallë që mund ta shikosh në çdo kohë e në çdo moshë”, shprehet TOB. Sonte janë në skenë me baletin Adela Muçollari si Zhizel, Fatjon Lito si Albert dhe Dion Gjinika si Hansi. Të premten në “Zhizel” vijnë Ledia Sulaj si Zhizel, Kevin Lila si Albert dhe Hansi mbetet Dion Gjinika.
Baleti në skenë
Libreti i baletit “Zhizel” është ndërtuar mbi motivet e një legjende të lashtë gjermane mbi vilisat, të fejuara që vdesin pa arritur të martohen. Filozofia e baletit “Zhizel” është dashuria. Një vajzë e re 15 vjeçe dashuron për herë të parë, por ajo zhgënjehet, sepse ai që hiqet si fshatar është në të vërtetë princ. Edhe në botën e përtejme ajo vazhdon ta dashurojë pavarësisht se ai e gënjeu. Lufta e vilisave është e tillë që ata duan ta shkatërrojnë këtë dashuri dhe pas vdekjes, por forca e madhe e dashurisë bën që të triumfojë, megjithatë ajo është një hije rreth tij. Baleti “Zhizel”, i cili është vënë në skenë për herë të parë në vitin 1988 kishte në rolet kryesore Mukadez Erebara, Albana Suljemani, Ludmill Cakalli, Ilir Kerni, Pëllumb Agalliu, Leonard Xhokaxhi etj. Rivënia e dytë e tij ishte në vitin 1998 po me koreograf Agron Aliaj, skenografia Shaban Hysa dhe në rolet kryesore ishin Enada Hoxha, Gerd Vaso, Eno Birko, Ambeta Toromani, etj. Pas realizimit të shumë valleve dhe numrave koncertore, mjeshtri Agron Aliaj është autori i baleteve kombëtare, si: “Cuca e maleve” (1970), “Tokë e pamposhtur” (1977), “Para stuhisë” (1982), “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, “Halili dhe Hajria” (1966), si dhe baletet klasike mes tyre “Don Kishoti” (1990), “Romeo dhe Zhulieta” (1996), “Hirushja” (2002), “Katedralja e Parisit” (2003), “Liqeni i Mjelmave” etj. Agron Aliaj u lind në Delvinë më 30 tetor 1933 dhe u nda nga jeta në Tiranë më 17 maj 2012. /KultPlus.com