17 Shkurt, 2023 - 12:15 pm
Shqipëria, 17 shkurtin duhet ta shpallë festë zyrtare.
Nga Jusuf Buxhovi
Shteti i Kosovës paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit në këtë shekull. Si i tillë, thuajse përmbush kornizën e konceptit politik të Rilindasve që etnia shqiptare në përmasat e katër vilajeteve sa kishte në prag të shembjes së Perandorisë Osmane, t’i kthehet botës perëndimore.
Kjo e arritur historike ishte pjesë e një kundërvënie thuajse një shekullore mospranimit të pushtimit serb nga viti 1912 e deri në vitin 1999. Ky proces i pandalshëm kaloi nëpër disa binarë: atë të rezistencës së armatosur (nëpërmes luftës kaçake në vitet 1912-1924); të përpjekjeve për bashkim kombëtar në përputhje me rrethanat (ato nga viti 1941-1944) ; të iredentizmit ideologjik – nga viti 1945-1968 në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes, si dhe atë për barazi e manifestuar me kërkesën për Republikën e Kosovës që u shfaq në vitin 1968 dhe në vitin 1981. Përgjegjësia që këtij rrugëtimi t’i jepej akti i fundit, i ra Lëvizjes Kombëtare në vitet 1989-1999, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe faktorëve të tjerë të përfshirë në të, që drejtoi rezistencën institucionale dhe atë të armatosur, që mori epilogun përfundimtar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, shpallja e Repblikës së Kosovës, më 7 shtator në Kuvendin e Kaçanikut, Referendumi për Pavarësi i 24 shkurtit 1991, zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992, formimi i Qeverisë së Kosovës ia krijuan platformën kushtetuese dhe institucionale shtetit të pavarur të Kosovës, që më 17 shkurt 2008 u pranua edhe ndërkombëtarisht.
Andaj, nga kjo pikëpamje, 17 shkurti i vitit 2008, është i barasvlefshëm me 28 nëntorin 1912.
Bota shqiptare ka arsye që këtë ditë ta kremtojë me dinjitet, ndërsa shteti shqiptar duhet 17 shkurtin ta shpallë festë zyrtare.
Ky veprim, formulën e bashkimit kombëtar e konverton në atë të unionit të të dy shteteve shqiptare, si të drejtë të bashkimit në përputhje me vullnetin demokratik, që duhet ta ketë edhe miratimin e faktorit perëndimor. / KultPlus.com