3 Dhjetor, 2021 - 8:21 pm
Meqenëse së fundi ishim dëshmitarë të publikimit të një sondazhi lidhur me prirjet e shqiptarëve për bashkimin (hipotetik) kombëtar, për të zbritur pakëz me këmbë në tokë në këtë këndvështrim, mund të marrim sakaq si shembull të vyer kremtimin dhe sidomos atmosferën e kremtes tonë më të madhe kombëtare si shqiptarë, pikërisht 28 Nëntorin, ku festojmë gjithçka të shenjtë për ne si popull.
Në Prishtinë, veçanërisht në sferën kulturore, 28 Nëntori u parapri nga një sërë aktivitetesh kulturore, të disa fushave të artit, që kulmuan kryesisht më datë 25 nëntor, tre ditë përpara ditës kur kujtojmë ngritjen e flamurit kuq e zi me shkabën dykrenare nga Gjergj Kastrioti në Krujë në vitin 1443 dhe pavarësinë e shtetit modern shqiptar në vitin 1912.
Prishtina, në pasditen dhe mbrëmjen e të enjtes 25 nëntor, gëlonte nga ngjarjet e shënuara kulturore, të cilat vijuan drejt kurorëzimit në mbrëmjen e asaj dite, si mënyra më e arrirë për ta festuar afrimin e 28 Nëntorit, përmes librave, prozës dhe poezisë shqipe, e gjithashtu nëpërmjet portreteve të përjetësuara në gdhendjet në dru, të disa ndër personaliteteve më të shquara të popullit shqiptar dhe Kosovës përgjatë tërë historisë sonë kombëtare.
E ky kremtim letrar-artistik do të bëhej edhe më i çmuar, nisur nga fakti që ajo natë në Prishtinë pati mbledhur artistë, letrarë, shkrimtarë e poetë nga të gjitha trevat shqiptare anembanë, ndonëse kjo gjë po ndodhte mbase thjesht për rastësi (fort fatlume gjithsesi).
Kështu, në Librarinë Dukagjini poetja dhe përkthyesja e njohur pogradecare, Ana Kove, prezantonte para lexuesve të etur prishtinas, librin e saj “Kambanat e së dielës”, shoqëruar me interes të theksuar nga publiku i kryeqytetit të Kosovës, ku gjithmonë poetë e shkrimtarë nga përtej Morinës në Shqipëri, kanë gjetur ngrohtësi dhe mikpritje thelbësisht vëllazërore në çdo aspekt, njerëzor, kombëtar e letrar, pa dyshim.
Edhe paneli i këtij promovimi është përfaqësues i shqiptarësisë së sotme, teksa të dyja panelistet jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Prishtinë, megjithëse vijnë nga Shqipëria, kurse pak më vonë njërën prej tyre (Majlinda Bregasin), ithtarët e letrave dhe gjuhësisë shqipe, do ta takonin rrëzë lagjes karakteristike Ulpiana, në kuadrin e Fiction Fest, ku qenë mbledhur shkrimtarë e poetë sërish nga gjithë trojet shqiptare (Enkelejd Lamaj, Ibrahim Kadriu, Ana Kove edhe njëherë, etj).
Mbrëmja në fjalë ndërkaq do të mbyllej lavdishëm falë ekspozitës tejet origjinale dhe të suksesshme të hapur në mjediset artistike të KultPlus Caffe Gallery, gjithnjë në Ulpianë, të artistit (zdrukthëtar) me origjinë nga Lugina e Preshevës (Tërnoci i Madh), Nagip Tashi, i cili u ka dhënë jetë përmes skalitjeve mjeshtërore në dru, figurave më të shquara të kombit, nga Ibrahim Rugova te Gjergj Kastrioti, Bekim Fehmiu, etj, duke dëshmuar se arti mbarëshqiptar nuk njeh as kufij, aq më pak ndasi artificiale, por ngaherë rrjedh në venat e kombit shqiptar, si gjaku që na bashkon të gjithë shqiptarët kudo që frymojmë.
Përkundër lajmeve të dhimbshme nga kronika e zezë, rrugët e Prishtinës ushtojnë nga fëmijët e shkollave (gjithashtu edhe kopshteve dhe çerdheve), të cilët me flamuj kuq e zi në duar dhe himnin kombëtar në gojë, ecin të ngazëlluar rrugëve të kryeqytetit të Kosovës me zemrat e gufuara nga ndjenjat kombëtare, ndërsa nëpër vitrina dyqanesh e restorantesh, nëpër dritare shtëpish dhe varur nëpër shtyllat anës rrugëve kryesore, kudo syri shikon flamuj kombëtarë që valviten krenarisht.
Gjithçka, të paktën në këndvështrimin kulturor, përmbyllet mrekullisht në mbrëmjen e ditës së dielë, pikërisht më 28 Nëntor, kur përsëri në mjediset e KultPlus, artdashësit dhe të apasionuarit e kinematografisë, veçanërisht të artit filmik me rrënjë burimore në Kosovë, do të gëzonin mundësinë e rrallë të takoheshin me regjisoren e filmit kosovar ZGJOI, që po korr sukses të padëgjuar ndërkombëtar, duke shpresuar me plot meritë edhe për Oscar-in, Blerta Basholli, dhe producentin e këtij filmi, Valon Bajgora.
Ky film, që ka protagoniste aktoren Yllka Gashi, gjithsesi është shndërruar në promovues të mahnitshëm të vlerave më të epërme kulturore të Kosovës (krahas Dua Lipës, Rita Orës, e një mori artistësh e sportistësh të famshëm botërisht, me origjinë nga Kosova), përbënte faktikisht mënyrën më të fisme për ta kremtuar festën tonë kombëtare si shqiptarë, dhe sigurisht mirënjohja i takon KultPlus për krijimin e kësaj mundësie, krahas trupës së ZGJOI, që u gjend përballë publikut prishtinas në këtë ditë kaq të shënuar.
Për t’i dhënë një prekje edhe më të veçantë kësaj mbrëmje, piktorja e talentuar prishtinase, Qëndresa Krasniqi, do ta kurorëzonte këtë mbrëmje kushtuar artit filmik, me një pikturë të punuar prej saj, të frymëzuar nga ky film, të përshtatur dhe jetësuar në telajo, duke ndërthurur përkryer kinemanë me botën e mrekullueshme të pikturës, me një qëllim të vetëm, artin burimor të Kosovës.
Mënjanë folklorizmave të pashmangshme në kremte madhore të këtilla, siç është 28 Nëntori, ky fundvit që përkon me fillimin e dimrit dhe borën e parë të rënë butësisht mbi Prishtinë, me siguri ka për t’u mbajtur mend për atmosferën e gjallë kulturore që hijeshoi festën tonë kombëtare.
Shkruan Elvi Sidheri
Shkrimtar dhe përkthyes shumëgjuhësh