12 Nëntor, 2018 - 11:59 am
Nga Luan Rama
Letra nga fronti shqiptar: Lufta e Parë Botërore
Përvoja ime shumëvjeçare si kineast, xhirimet e shumta në krahinat e Korçës, Pogradecit, Devollit apo nëpër Shkumbin e deri në Elbasan, kanë qenë pikëtakimet e mia të para me epokën e Luftës së Parë Botërore, ku për herë të parë kam pikasur gjurmët e asaj lufte, bunkerët e vjetër e të brejtur nga koha, mbetur që nga ajo kohë e në veçanti varreza e ushtarëve francezë, e cila në thjeshtësinë e vet, ishte gjithnjë e paqtë dhe të kujtonte simbolikën e madhe që kishte ajo në lidhjen tradicionale franko-shqiptare. Por vite më vonë, kjo panoramë personale do të mbushej me fakte të ndryshme që unë i njoha gjatë kohës si diplomat në Paris, atëherë kur nisa të shkruaja librat që deshifronin dhe dëshmonin pikërisht këtë lidhje historike midis shqiptarëve dhe francezëve. Nikolla Lako, në fletoren e tij Opinga që botonte fill pas luftës në Francë, i bënte jehonë kësaj lufte si dhe faktit të bukur të medaljeve që u akordoheshin shqiptarëve nga francezët për kontributin e tyre në këtë luftë në krah të “Ushtrisë së Lindjes”. Ai ishte krenar për këtë.
Duke kërkuar mbi xhirimet më të hershme kinematografike franceze në Shqipëri, në arkivin e Ushtrisë në Fort-d’Yvry në pereriferi të Parisit, pashë kronika të operatorëve francezë, veçanërisht një xhirim në Kostur, ku ishte fiksuar jeta e përditshme e shqiptarëve, grekëve dhe ciganëve që jetonin atje. Në monumentin e amnistisë të Luftës së Parë Botërore, në Compiegne, bashkë me ministrin e Jashtëm Paskal Milo, kishim parë në atë muze shumë fotografi të fotografëve francezë që shoqëronin në “frontin shqiptar”, “Ushtrinë e Lindjes” (“L’Armée d’Orient”), siç quhej në atë kohë. Po kështu dhe informacionet e shumta mbi këtë luftë në arkivin e ushtrisë franceze në Vincennes, veçanërisht për Ballkanin, zbulonin pas afro një shekulli atë çka koha dukej se e kishte harruar.
Madje në këtë arkiv, përveç fotografive e dokumentacionit të pasur, mund të informoheshe gjer në detajet e kësaj lufte në frontin shqiptar, deri në skicat e veprimeve ushtarake, pozicionet, betejat. E kështu, dalëngadalë, ajo panoramë e gjerë transformohej në një afresk të madh ku gjeje dhe mjaft ngjarje, emra, fate njerëzore. Madje edhe një emigrant i vjetër që kishte ardhur në vitin 1926 në Jugun e Francës, Estref Kapllani, kur kishte shkuar të punonte në një hotel, rasti e solli që pronari i tij të ishte pikërisht një ish oficer i ushtrisë franceze që kishte luftuar në malet shqiptare. Po kështu, gjatë një bisede me Jacques Faure, ish ambasadorin francez në Tiranë në vitet e para të dekadës së fundit të shekullit XX, midis kujtimeve të tij, ai ruante dhe atë histori të bukur nga Voskopoja, kur kishte parë që në oborrin e një kishe ishte varri i një ushtari francez. Ai kishte kërkuar që ta zhvendosnin që andej, por fshatarët e atjeshëm i kishin thënë menjëherë: “Ky varr është yni… është varri i mjekut francez që u kujdes edhe për ne…”
Po, Shqipëria i ruante gjurmët e asaj lufte. Korça ruante fotografi të shumta të asaj kohe, kur francezët proklamuan bashkë me shqiptarët “Republikën autonome të Korçës”, që më vonë do të hynte në bisedat e zakonshme si “Republika franceze e Korçës”… Pikërisht në kohën e kësaj lufte ishte ngritur dhe Liceu Francez i Korçës, çka shënonte një datë historike të frankofonisë shqiptare. Por një letër e thjeshtë ushtari, vrarë në Shqipëri në atë kohë, e cila më ra në dorë rastësisht kur shkruaja librin Tek Frankët, mbi historinë e emigracionit shqiptar në Francë, më ngacmoi menjëherë që të shkruaja diçka për këtë kohë, për atë luftë që pak ishte shkruar në Shqipëri. Miku im, regjisori Esat Musliu më fliste një ditë për historitë që i tregonte gjyshja e tij Medie, për “kohën e nemces” (“koha e gjermanëve”), për “djemtë sykaltër që u kërkonin bukë në portat e shtëpive të fshatit në Steblevë” dhe që një pushkë e shkëmbenin për një bukë me koçane misri, pasi atëherë, në atë skamje të madhe, për përrenjtë, siç tregonte ajo, që ishin mbushur me kufoma ushtarësh, e “kur miellin e pakët e përzienin me koçanët shkërmoqur për të mbajtur frymën gjallë”.
Në arkivin e Kinostudios, imazhe të ngjashme kishim parë në filmat e huaj, por të ndaluar në atë kohë, veçanërisht në një film çek Pylli i të varurve, ku pamjet e asaj lufte në llogoret e Europës ishin të tmerrshme… balta dhe kufomat dergjeshin nëpër pyjet e pafund të asaj lufte barbare. Në sytë e mia, si një referencë domethënëse qëndronin po ashtu imazhet e Iluzionit të Madhtë regjisorit të shquar Jean Renoir. E rëndësishme për mua nuk ishte të bëja thjesht një vështrim historik mbi këtë luftë dhe mbi operacionet ushtarake që ishin zhvilluar në trojet shqiptare, por ta shikoja këtë luftë drejtpërdrejtë nga fronti, nga transhetë, me sytë e atyre ushtarëve, me letrat dhe ditaret e tyre shkruar fill pas beteje, apo pas një marshimi të gjatë, diku në transhe, pra, ta shikoja me fatet e tyre njerëzore. Shumë prej tyre nuk arritën të kthehen në atdheun e tyre, duke mos i përjetuar ëndrrat e shumta që thurrën në llogoret e luftës.
Kështu ishte dhe ushtari Alexis Lamblot, letra e fundit e të cilët u ra prindërve në dorë kur ai kishte rënë gjatë një beteje në frontin shqiptar. Ishte një letër që kishte shkruar pak para se të vritej. Më 12 korrik të vitit 2013, në prag të festës kombëtare të Francës, këtë letër ia dërgova ambasadores franceze në Tiranë, Christine Moro, e cila po atë ditë, e prekur nga kjo letër, duke m’u përgjigjur, më shfaqi interesin e veçantë për këtë histori dhe librin që po shkruaja. Ja çfarë u shkruante prindërve të tij aspiranti 21 vjeçar Alexis Lamblot, i Regjimentit 210 të Këmbësorisë, dy ditë pasi kishte kaluar ditëlindjen e tij në front, pra, më 15 mars 1917:
15 mars,
Të dashur prindër,
Ja ku pas pesë ditësh regjimenti 210 sulmon në brigjet e majta të Prespës. Batalioni i gjashtë ku bëj pjesë është nisur parmbrëmë për të sulmuar edhe ai, por ne na u kërkua që të ktheheshim në çastin kur në sektorin tonë do të përlesheshim me gjermanët. Isha ngarkuar nga komandanti të mbroja tërheqjen e batalionit. Siç mund ta kuptoni, situata nuk është aq e mirë, por jo dëshpëruese. Është fort e mundshme që të shkojmë për të sulmuar që këtë natë dhe do të doja t’u thoja lamtumirë. Kur të merrni këto rreshta, me siguri që do të kem vdekur. Besomëni që kam bërë detyrën time si francez ashtu si dhe gjithë ata që kanë rënë në betejë deri më sot… Kërkoj të më falni për vuajtjet që u kam shkaktuar gjatë jetës time. Ju kërkoj të ruani kujtimin tim atje në tokën e Francës, ku nuk pata nderin të derdh gjakun tim. Lamtumirë prindër të dashur ashtu si dhe ju pjestarë të familjes time dhe miqtë e mi. Shpresoj t’u shoh një ditë në qiell. Biri juaj që ju do… A. Lamblot
Ky ushtar i thjeshtë do të binte në fushën e nderit po atë muaj, më 31 mars të vitit 1917, në betejën e zhvilluar në Goricë. Kjo letër është padyshim tronditëse. Në çastin kur i shkruante ato rreshta, Alexis Lamblot ishte i ndërgjegjshëm për vdekjen e afërt të tij. Ai e dinte se po shkonte drejt vdekjes, si mijra e miliona të tjerë, por një forcë tjetër e shtynte që të shkonte përpara: dashuria për Francën, ajo dashuri që e bënte ta shikonte vdekjen drejt e në sy, pa u trëmbur, duke e sfiduar atë. Gjithçka kishte ndodhur në mars, në atë fillim pranvere: ditëlindja e tij e heshtur, letra e shkruar, e fundit, dhe vrasja e tij. «Kur të merrni këto rreshta, me siguri do të jem vrarë”… Mjafton kjo letër për të kuptuar se këta ushtarë të rinj, të dërguar në Ballkan, në frontin shqiptar, ishin të ndërgjegjshëm për misionin dhe vdekjen e tyre. Në një vëllim të botuar mbi letrat e fundit të ushtarëve francezë në front gjatë “Luftës së Madhe”, mbledhur nga Jean Pierre Guéno, dëshmohej po ajo gjendje shpirtërore, po ai trisht por dhe vetmohim i ushtarëve francezë në vijën e parë të frontit: “Të dashur prindër, – shkruante kaporali Robert Bertrand i Regjimentit 407 të Këmbësorisë, – kur të merrni këtë letër, unë s’do të jem më në këtë botë. Po ju shkruaj pak çaste para se të sulmojmë dhe jo pa dhimbje, sepse është hera e fundit që po ju shkruaj. Letrën do t’ia jap mikut tim, i cili do t’ua sjellë dhe do t’u tregojë për orët e fundit të jetës time…” Ushtari René në letrën që i dërgonte gruas së tij, shkruante: “Shpresoj që biri ynë shkon mirë. Veç dy herë e kam parë që kur ka lindur. Këto ditë që jam larg jush po bëhen gjithnjë e më të padurueshme. Përmes kësaj letre të dërgoj gjithë dashurinë time për ty dhe fëmijën tonë…” Ndërkohë, oficeri i Regjimentit 43 të Këmbësorisë, Paul Bert, nga vija e frontit, më 25 shtator 1916, shkruante fjalët e fundit të tij: “Ultima Verba. Lutuni për mua… Prindërve të mi.”
Letra, ditare të shumta, të cilat për t’i kërkuar duhej një kohë e gjatë, duheshin lexuar historikët e regjimenteve franceze që kishin luftuar në Shqipëri, të gjeje emrat e të vrarëve, e atyre që nuk ishin varrosur në tokën shqiptare, të hulumtoje në ngjarjet dhe të kërkoje pranë familjeve të atyre ushtarëve që i ruanin ende këto dorëshkrime e fotografi, shumica e të cilave, ishin njëkohësisht dhe në arkivat franceze… Ushtari Combes i kompanisë xhenjere 15/11 u shkruante prindërve të tij: ”Shumë herë tashmë i kam ngjitur të përpjetat e atij kalvari të pavdekshëm, ku me trishtin dhe kryqin e tyre kanë rënë aq shmë ushtarë të mjerë. Por të paktën një herë, këmbët i kisha të prera nga emocioni dhe frika. Deri atëherë nuk isha mësuar të vrapoja mbi të vdekurit.” I vështron sot këto letra, pas gati një shekulli, ashtu të zverdhura nga koha, diku të lagura dhe që shiu i ka prishur disi gërmat, dhe atëherë mendon për ata që i kanë shkruar. Cilët ishin? Kur i shkruan, në ç’kohë, në ç’llogore? Ishin bujq, studentë, artistë, puntorë të uzinave, ndërtues apo të papunë, të mobilizuar në vrullin e asaj lufte të madhe, të përbotshme? Letra të shkruara në çastin kur heshtja bie dhe kur pritet të rifillojë beteja tjetër; letra shkruar në strehën e një gërmadhe të shkrumbuar nga lufta, apo diku mes borës, pranë një zjarri, për të ngrohur shpirtin. Duke i lexuar sot ato letra, në ato ditare të formateve të ndryshme, shpesh blloqe xhepi apo fletore të vogla të mbajtura nën gji, gjithçka të bën të imagjinosh atë kohë, të përfytyrosh një jetë ushtari larg atdheut të vet, të imagjinosh marshimet e tyre, mallin e nostalgjinë e madhe, dhimbjet për shokun e vrarë në krah. E megjithatë, vështirë t’i afrohesh reales, asaj çka ndodhur vërtet, edhe pse në shkrimet e tyre ata tregojnë atë çka ndodhur. Vështirë ta përshkruash apo ta imagjinosh fytyrën e zbehtë të ushtarit njëzet vjeçar të sapo vrarë… Dhe jo rrallë, midis dhimbjes, përshkrimit të betejave, shpirti i ushtarit ka derdhur mallin e tij për të dashurën, ashtu siç shkruante në front edhe poeti Guillaume Apollinaire, të dashurës së tij Lu: «Nëse do të vdes atje larg në frontin e luftës /Një ditë ti do qash e dashura ime e shtrenjtë Lu/ Dhe pastaj kujtimi për mua do të shuhet / Siç shuhet një gjyle që shpërthen në front / Një gjyle që ngjan me mimozat që çelin…”
Një ditë vjeshte, në Quai Voltaire, pak hapa nga shtëpia ku kishte vdekur Voltaire-i i madh dhe ngjitur me atë ku kishte jetuar balerini i famshëm Nurejev, kisha takuar në Paris Dominique des Déserts, nipin e kolonelit André Ordioni, i cili kishte qenë guvernatori francez në vitin e fundit të luftës në Korçë, por dhe më pas, për shqyrtimin e kufijve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, për Shën Naumin dhe tokat e Veriut shqiptar, veçanërisht në Vermosh. Tashmë, nipi i tij, Dominique des Déserts, jetonte në Vannes, në Bretagne, buzë oqeanit Atlantik, dhe atje, tashmë në pension, kishte mbledhur gjithë shënimet e panjohura të gjyshit të tij, i cili ishte një korsikan nga Corte dhe bir i një farkëtari të thjeshtë. Ishin letra, ditare, medalje, harta e fotografi luftëtarësh shqiptarë, madje dhe fotografi fshatarësh e fëmijësh të asaj kohe lufte, objekte të cilat ishin pothuaj të panjohura, çka ai m’i tregoi me një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Padyshim u befasova me gjithë ato dokumente që tregonin luftërat e betejat e shumta të kolonelit, por dhe dashurinë e tij të veçantë për shqiptarët: në një nga fotografitë ku ishin dy fëmijë jetimë shqiptarë, ai kishte shkruar: “Dy fëmijë shqiptarë… ushtarë të ardhshëm të Shqipërisë”… Në disa prej fotografive, ai ishte aty, midis tyre, me një krenari të ligjshme. Shkruante për historinë shqiptare, Voskopojën, Pogradecin, Korçën, Devollin, për luftrat heroike, siç i cilësonte ai në luginën e Shkumbinit bashkë me ushtarët shqiptarë, të cilët meritonin “palmën e triumfit”, siç do të shprehej në fund të luftës ai, për miqtë e tij të afërt shqiptarë si dhe për Fan Nolin. Madje ai ishte dekoruar nga shteti shqiptar dhe me dekoratën e lartë “Urdhëri i Skënderbeut”. Déserts më tregonte se Ordioni ishte 55 vjeçar kur shkoi në frontin shqiptar dhe ai arriti të komandonte në Shqipëri një trupë prej 12000 ushtarësh (regjimenti 372, etj.) mes të cilëve dhe 3200 shqiptarë. Ai ishte plagosur një herë në betejën e Belgjikës, në Bigneule, kundër gjermanëve, pastaj në Dun-sur-Meuse, por përsëri ai do ta vazhdonte luftën në Lorraine e më pas në betejën legjendare të Verdun-it. Në 3 nëntor të vitit 1917, më së fundi kishte zbarkuar në Korçë. Fotografi, fletë të zverdhura ditari dhe ai shkrim i imët në letrat dërguar vajzës së tij Monique, ose gruas, Marie…
Përveç letrave dhe ditareve të ushtarëve francezë gjatë betejave të zhvilluara në Ballkan, dëshmi mjaft interesante na japin dhe dy nga gazetarët më të njohur atë kohë botërisht, siç ishin francezi Albert Londres dhe amerikani John Reed. Që me shpërthimin e luftës, Albert Londres u angazhua me korrespondencat e tij të frontit për gazetën Le Petit Journal, të cilat janë përmbledhur kohët e fundit, siç janë dhe në librin Câbles et reportages. Ai i përshkoi një pjesë të mirë të frontit të Antantës kundër vendeve të Bllokut, pra, kundër Austro-Hungarisë, Gjermanisë, Bullgarisë dhe Turqisë. Nga fronti francez e italian, ai ishte nga të parët që u nis drejt frontit të Ballkanit, ku bëhej lufta në kufirin serbo-bullgar dhe më pas kur trupat e gjeneral Maurice Sarrail do të zbarkonin në Selanik.
Përshkrimet e tij rreth bombardimit të Beogradit, tërheqjes së qeverisë serbe në Nish, Kragujevac dhe udhëtimi i tyre drejt Shqipërisë janë padyshim me një kolorit të veçantë. Në artikullin me titull Ballkani nuk është ende në zjarr, por xhahilët janë ngritur në këmbë, Londres shpalos atë gjendje të tmerrshme që po kalonte Ballkani në atë prag masakre që do të vazhdonte për tre vjet rresht. Në Nish, Londres ka takuar zevendës-ministrin e Jashtëm serb, i cili i jep lejen e qarkullimit si gazetar, duke i thënë: “Me këtë ju mund të shkoni të shikoni se si Serbia po vdes…“ Dhe duke i bërë shenjë në hartë nga qyteti i Prishtinës, ai shtonte: ”Shkoni andej Zotëri dhe paçi fat!…” Dhe Londres nxitoi drejt Prishtinës para se të zbarkonin atje bullgarët. Dhjetë ditë udhëtim, nëpër shi e baltë. ”Binte shi gjatë gjithë udhëtimit tim…” Londres mbërriti në Prishtinë, ”por tepër vonë”, siç shkruan dhe ai. Bullgarët janë në Shkup. Atëherë, ai iu drejtua Ferizajt për të kaluar natën në një tren ushtarak. ”Atë mëngjes, me një kamion, shkoj në Prizren, – vazhdon ai.
– Atje fillon fronti i tretë: fronti shqiptar. Prizreni është në gjendje shtetrrethimi. Shqiptarët e kanë të ndaluar të dalin nga shtëpitë, duke ua hequr mundësinë të bashkohen me bashkëpatriotët e tyre në anën tjetër. E lë Prizrenin dhe shkoj drejt Shqipërisë zyrtare. Po zbres drejt e për atje dhe ja ku ndeshem me postën e parë ushtarake serbe. Në Lumë, midis maleve, do të nisë udha ime e gjatë me kalë…”
Më në fund, pas peripecish të pafund, Londres mbërriti në Athinë, duke u ngjitur pastaj drejt Follorinës. “Shtabi i ushtrisë përparon gjithashtu, – shkruante Londres në Le Petit Journal. – Nga Eksisu, ai arriti në Follorinë, ku banorët i kishin marrë të gjitha masat.
“Ata që besojnë në dashamirësinë tonë kanë shkruar me shkumës të bardhë mbi portat e shtëpive “shtëpi greke venizeliste”, “shtëpi rumune”, “shtëpi shqiptare, partizane e Esat Pashës”. Të tjerat janë shënuar me një kryq të bardhë. Shqiptarët i thërresin “skipetars”, bij të shqipes. Banojnë në fshatra, ku secili nga ata ngre një kullë, një lloj kështjelle, ose fortesa e më të pasurit, që ai të mund të mbrohet nga fqinjët që e sulmojnë. Ata nuk kanë dritare, por vetëm ca frëngji për të vendosur pushkën… Arrij në Dibër, pikërisht në çastin kur koloneli dërgon me nxitim katër ushtarë. Midis Tetovës dhe Kërçovës, një bandë prej 300 komitësh bullgarë e shqiptarë ecin të armatosur. Është prag lufte. Serbët janë kapur keq përballë si dhe nga të dyja anët dhe mund të asgjësohen. Nga Dibra në Manastir shkoj me makinë. Në orën dhjetë të mbrëmjes hyj në Manastir. Qyteti është i zbrazët, por kjo nuk tregon gjë se çfarë ka ndodhur. Trokas në një hotel duke menduar se refugjatët e Shkupit dhe të Veles e kishin përmbytur qytetin dhe nuk besoja se do të gjeja ndonjë dhomë. Por hoteli ishte bosh.Habija ime e parë: në sallonin e ngrënies ishin vetëm katër oficerë serbë. Ata këndonin:“Kur do të mbarojë kjo natë e tmerrshme e dashura ime/ kur të gjithë kanë ikur për betejën e madhe…”
Në orën pesë të mëngjesit, siç shkruan Londres, ai gjeti një makinë dhe kërkoi të largohej drejt Selanikut. Gjithçka ishte në kaos. Disa thonin se po vinin austriakët, të tjerë thonin se ishin bullgarët. Topat gjëmonin nga larg. “Në Beograd, në Nish, në Shkup, në Prishtinë, në Prizren, ose në Manastir, sipër, në të majtë, në të djathtë e poshtë, gjithçka është e kërcënuar, gjithçka është nën kanosjen e zjarrit dhe të thikës…” Serbët pinin nga dëshpërimi, sepse gjithnjë e kishin ndjerë veten të pathyeshëm…
Në pranverën e vitit 1915, një vit pasi kishte botuar përmbledhjen Meksika kryengritëse, gazetari John Reed, bashkë me mikun e tij piktor, kanadezin Boardman Robinson, nisej drejt Europës. Ai ishte i dërguar i gazetave Metropolitandhe World. Pasi zbarkoi në Napoli të Italisë, hipur mbi anijen “Torino” ai ndaloi në Piré dhe shkoi në Selanik, ku siç shkruan ai për këtë qytet, dikur “ishtezotëruar ngagrekë, shqiptarë, rumunë, normandë, lombardë, venedikas, e turq që zevendësuan rradhazi njëri-tjetrin”.
“Selaniku është qyteti i të gjitha kombeve”, deklaron ai, ku “në Lindje janë grekët autentikë, të cilët i ruajnë të pandryshueshme traditat e tyre helene e bizantine që prej një mijë e pesëqind vjetësh dhe në Perëndim banojnë shqiptarët, ky popull misterioz…” Por shpejt ai ngjitet drejt frontit serb, drejt Nishit, ku rrugët janë mbushur gjithë kufoma të prekur nga tifo, mbi të cilët janë vendosur ca flamuj të zinj, apo më tutje në Beogradin që bombardohej ende nga artileria austriake. Lufta bënte kërdinë. Rrugës, duke ndeshur një grup të burgosurish, përballë dy oficerëve serbë që i marrin në pyetje, ai na jep këtë dialog që dëshmon mirë karakterin e kësaj lufte:
“I kujt race je?
– Jam serb nga Bosnja “gospodine”, – u përgjigj i burgosuri me një buzëqeshje të gjatë.
– Po ti?
– Kratti (kroat) nga malet… Ja pra, vëllezër kjo ide e çuditshme të shkosh dhe të luftosh krah gjermanëve!
– Sepse, – shtoi kroati, – të them të vërtetën, ne kërkuam leje të luftonim krah jush, por nuk na deshën.
Një e qeshur e madhe shpërtheu.
– Po ti i kujt kombësie je?
– Italian nga Trieste.
– Unë jam çek.
– Ndërsa unë jam hungarez, – foli rëndë një burrë i ngrysur e i bërë shulak, duke lëshuar një vështrim plot urrejtje.
– Po ti?
– Rumaneshi (rumun), – tha tjetri me krenari…»
Ashtu si Londres e Reed, edhe Robert Vaucher ishte një nga të rrallët korrespodentë europianë që përshkoi Shqipërinë e Jugut dhe ndoqi ushtrinë franceze në kufijtë jugorë, në Korçë, Pogradec, Ersekë, Leskovik, etj.Si i dërguari i posaçëm i revistës së njohur franceze L‘Illustration, i cili në vitet 1916 kishte zbarkuar në Korfuz dhe që andej në Vlorë, më pas, ai kishte përshkuar gjithë luginën e Vjosës. Ky njeri nga Neuchâtel, i cili pëlqente aventurën, kishte studjuar Artet e Bukura, por shpejt iu kushtua gazetarisë, në fillim në Stamboll e më vonë në gazetën zvicerane La Suisse libérale. Pastaj i angazhuar nga agjencia italiane „Agence Stéphani“, ai iu atashua revistës së famshme L’Illustrationpër reportazhet nga fronti i luftës.
Por Vaucher ishte dhe fotograf, çka e tregojnë fotografitë e shumta mbi Shqipërinë, të cilat ilustrojnë artikujt e tij dhe që një pjesë e tyre janë ruajtur në arkivat e ushtrisë franceze, imazhe të fiksuara gjatë ditëve, kur ai ndiqte lëvizjen e ushtrisë aleate në frontin shqiptar, maqedon e grek. Në vijim të reportazheve të tij të botuara në L‘Illustration, ai dëshmon për peripeci të panumërta në Shqipëri, veçanërisht në rrugën drejt Tepelenës, osenga Saranda drejt Epirit, për të shkuar në Leskovik, hipur mbi kamionët e ushtrisë italiane, ku më së fundi bashkohet në Korçë e Selanik me shtabin e «Ushtrisë së Lindjes», e cila komandohej nga gjenerali francez Maurice Sarrail. Dëshmia e korrespondentit të luftës Robert Vaucher është tronditse, kur ai mbërrin në Tepelenë. Gjithë qyteti është djegur nga garnizoni grek. Vetëm dy shtëpi nuk janë prekur: ajo e garnizonit dhe shtëpia e komandës. „Kur trupat italiane kaluan fshatra të shumta të shkatërruara dhe arritën para Tepelenës, ushtarët lëshuan britma gëzimi. Më së fundi pas kaq vuajtjesh ata gjetën një qytet të vogël ku mund të pushonin në një mënyrë më pak të ashpër se sa në malet që kishin përshkuar. Por mjerisht kjo ishte veçse një iluzion.
Legjionet e shenjta greke e kishin shndërruar Tepelenën në hi. Vetëm dy shtëpi ishin kursyer, ajo që shërbeu si kazermë për ushtarët grekë dhe tjetra, ku banoi komandanti i tyre. Në këtë Pompei modern, aleatët tanë gjetën veç disa ciganë që njerëzore kanë veç emrin e tyre, pasi ata jetonin nëpër rrënime, si kafshët, në vrimat e tokës, ku ushqehen me barishte. Gratë që u sjellin dru ushtarëve italianë, nuk i pranonin monedhat prej argjendi që u ofronin si shpërblim, pa e kuptuar se përse mund të vlenin këto copa metali të vogla, që nuk hahen. Tani u japin bukë e miell misri, me të cilat ato mund të bëjnë pite. Kur vjen mbrëmja, i duhet hipur kalit për të marrë udhën e Gjirokastrës.“ Pamje të tilla do t’i shfaqeshin atij gjatë gjithë atij rrugëtimi në Shqipërinë e Jugut. Të njëjtat imazhe ai do të shihte dhe në Leskovik. Më 6 janar të vitit 1917, nën titullin Fillimet e pushtimit italian të Vlorësdhe nëntitullin Me italianët në Shqipëri,Vaucher përshkruan ardhjen e ushtrive aleate nê Shqipëri.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, trupa shqiptare luftuan krah ushtrisë franceze, siç e dëshmojnë jo vetëm shënimet e ushtarëve francezë, osefotografitë e shumta, por dhe shkresat zyrtare të asaj kohe.Një ditë, mikja ime Solange d’Angély, më tregonte fotografinë e atit të saj Robert d’Angély, një shqiptar nga Ogrenja e Përmetit, i cili në rininë e tij u angazhua në “Legjionin e Huaj” të Francës dhe madje u plagos në betejat e Guevgueli-së, në brigjet e Vardarit, për çka përmendej dhe në dokumentet e kohës “për shëmbullin dhe besnikërinë” e tij. Por interesante ishte se dhe Fernand Bonisseau, në shtëpinë e të cilit kishte kaluar adoleshencën e saj, i tregonte se kishte luftuar në frontin shqiptar dhe shpesh hapte një album të vjetër duke i treguar fotografitë e tij në atë tokë të largët për të, por që nuk do ta harronte kurrë.
Gazetari Robert Vaucher, duke përshkruar luftimet e trupave franceze në tokat shqiptare, tregon dhe për një detashment të ushtrisë shqiptare të komanduar nga Themistokli Gërmenji, të cilët ishin përgatitur me shpejtësi nga oficerët francezë, ushtarë këta që gjatë tri vjetëve morën pjesë në luftime të shumta kundër austro-bullgarëve dhe trupave gjermane të elitës. Po kështu dhe gazetari Jessen theksonte në L’Illustrationfaktin se si senegalezët dhe tabori shqiptar «i kishin kthyer mbrapsht saksonët…» Në operacionet ushtarake që u zhvilluan midis Ostrovës dhe Devollit në 15-18 maj 1918, u shquan dhe ushtarët shqiptarë, të cilët, në krah të francezëve luftuan deri në majat e larta në 2350 metra, ku austriakët kishin hapur transhe dhe kishin vendosur tela me gjëmba. Luftime u bënë dhe në Pulaha, Protopapë, Mali i Kurorës, Qafa e Becit, mali i Grabovës, etj. Ushtari Jean-Louis Beaufils, duke shkruar për betejat e zhvilluara midis Pogradecit, Prespës dhe Korçës, pohon në ditarin e tij se “francezët ndihmohen nga taboret e xhandarmërisë “mobile” shqiptare, këto forca besnike ndaj aleatëve, të cilët duan t’i largojnë austriakët nga trojet e tyre”… Në historikun e Regjimentit të Spahive marokenë, duke përshkruar çlirimin e Pogradecit, shkruhet se “këngët e tyre duartrokiteshin nga bashkëluftëtarët shqiptarë”…
“Tridhjetë shqiptarë luftonin përkrah eskadronit të parë të spahive…” Po kështu, në betejat e zonës së Shkumbinit (Cervenakë, Homes, Golik, Holta, Guri i Prerë, etj.), përkrah batalionit të Regjimentit 372 të Këmbësorisë, ishte dhe tabori shqiptar me 300 luftëtarë. Shqiptarët e kapitenit Holtz do të luftonin gjer në betejat e fundit të qershor-korrikut 1918, siç u dalluan ata dhe në pushtimin e malit të Komjanit. Siç shkruhet dhe në ditaret e luftës të kolonel Ordioni, i cili në muajt e fundit të luftës komandonte në frontin shqiptar dhe një trupë prej 3000 ushtarësh shqiptarë, midis të cilëve dhe “batalioni i gjuajtësve të Korçës”, një tabor “esadistësh” dhe një çetë e parregullt komitësh…
Në shënimet e tij, kolonel Ordioni, shkruante se përveç “esadistëve” nën komandën e kapitenit Cader dhe pushkatarëve të Korçës, ishin dhe çetat e parregullta ose komitaxhinjtë me prijësa si Mehmet Qinami, Miltiadhi, Epaminonda Nova, etj. Në arkivin shqiptar gjendet tashmë dhe një urdhër tjetër i gjeneralit Henrys, i datës 12 gusht 1918, ku për kapitenin shqiptar Salaudin Blloshmi shkruhej: «Oficer me merita të rralla, ai ka ditur të njohë thellësisht luftën aktuale dhe në sajë të cilësive të tij, guximit dhe kurajos së jashtëzakonshme, ai ka mundur të dallohet shpesh herë. E ka drejtuar kompaninë e tij me zjarr dhe me shëmbullin e tij i ka udhëhequr ushtarët, duke përballuar beteja të shumta e të rrezikshme».
Në kujtimet e tij, përveç kapitenit Blloshmi dhe lietnantit Tosun, të cilët i kishte dekoruar me dorën e tij, Ordioni përmend dhe Ferid Beun, i cili më pas, kur ishte komandant i xhandarmërisë së Shkodrës, ishte vrarë, dhe kolonelit francez i vinte keq që nuk e kishte dekoruar me “Legjionin e Nderit”. Ordioni shkruan për 2300 shqiptarë që në fundin e luftës luftonin në zonën nga Devolli dhe luginën e Shkumbinit. Po kështu, siç na informon dhe patrioti Nikolla Lako, i cili botonte në Paris revistën e tij franko-shqiptare Opinga, “Kancelari i Madh i Urdhrit Kombëtar të Legjionit të Nderit vërteton përmes dekretit të 12 shtatorit të vitit 1918 se Presidentit i Republikës Franceze, ka dekoruar Selim Tosunin, me kombësi shqiptare dhe lietnant i batalionit të I-rë të Pushkatarëve Shqiptarë, me dekoratën e “Kalorësit të Legjionit të Nderit”. Paris, 12 shtator 1918.”
A nuk shkruante Jacques Bourcart në librin e tij Shqipëria dhe shqiptarëtse «shqiptarët ishin bashkëpuntorët tanë, shokët tanë të luftës gjatë sulmeve të rrepta, të cilët kishin bërë për vete zemrat e të gjithë francezëve që kishin njohur»? Në veçanti, Bourcart i shprehte mirënjohjen “disa prej kalorësve të Batalionit të Pushkatarëve shqiptarë dhe brigadierit Qamil Hasan Luarasi që shumë herë më ndihmuan ballë vështirësive të mëdha, të cilët më prinin dhe unë i ndiqja nëpër shtigje të mundimshme, duke patur gëzimin më pas të shoh që të përgëzohen me urdhërin e trupave franceze në tetor të vitit 1919”.
Burimi: – Konica.al