9 Korrik, 2019 - 3:00 pm
Nga Georges Bataille
Pak kohë pas përfundimit të luftës, një e përjavshme komuniste, “Action”, hapi një kërkim lidhur me një çështje të çuditshme. Tema ishte: “A duhet djegur Kafka?” Për më tepër, kjo pyetje tingëllonte e pakuptimtë, pasi më parë nuk ishin shtruar të tilla pyetje që t’i paraprinin asaj, si, fjala vjen: “A duhen djegur librat?” ose, në përgjithësi, “Cilët lloj librash duhen djegur?”
Sidoqoftë, zgjedhja e redaktorit ishte finoke. Është e tepërt të kujtojmë këtu që autori i “Procesit” është, siç thuhet, “njëri nga gjenitë e epokës tonë”. Por numri i shumtë i përgjigjeve tregoi se guximi nuk vajti dëm. Për më tepër, shumë kohë para se të formulohej, kërkimi e kishte marrë një përgjigje, që revista s’mori mundimin ta botojë; që autori jetoi ose, të paktën, vdiq i sfilitur nga dëshira për t’i djegur librat e tij. Sipas meje, Kafka, deri në fund, nuk doli nga qerthulli i pavendosmërisë. Në radhë të parë, ai i shkroi këto libra dhe duhet marrë me mend që ka kaluar kohë nga dita kur i shkroi dhe kur vendosi t’i digjte. Gjithsesi, vendimi i Kafkës ishte i dyshimtë, pasi ia besoi ekzekutimin e dorëshkrimeve njërit prej miqve të tij (Max Brod), i cili e kishte paralajmëruar që nuk e merrte përsipër një barrë të tillë. Pak para se të vdiste, gjithsesi shprehu një vullnet të tillë, në dukje të formës së prerë; gjithçka që kishte lënë, duhej ta përpinin flakët. Sidoqoftë, ideja për të djegur Kafkën, edhe pse ishte një provokacion, ishte logjikë për shpirtin e komunistëve. Këto flakë të përfytyruara ndihmojnë, madje, t’i kuptosh më mirë veprat e tij; janë libra të destinuar të përpihen nga flakët, objekte të cilave u mungon, në të vërtetë, djegia nga flaka.
Kafka, toka e premtuar dhe shoqëria revolucionare
Ndoshta Kafka ka qenë më finoku ndër të gjithë shkrimtarët: të paktën ai nuk u zu në grackë! Pikësëpari, në dallim nga modernët e tjerë, të qenët shkrimtar ishte pikërisht ajo që ai dëshironte. E kuptoj që letërsia ia mohonte kënaqësinë e pritur dhe ai pikërisht këtë donte, por s’reshti së shkruari. Madje do të ishte e pamundur të thuash se mbeti i zhgënjyer nga letërsia. Gjithsesi ajo nuk e zhgënjeu, krahasuar me qëllime të tjera të mundshme. Duhet pranuar se për të, letërsia ishte siç ishte Toka e Premtuar për Moisiun. Ja ç’thotë Kafka për Moisiun: “…fakti që ai arriti ta shihte Tokën e Premtuar vetëm në prag të vdekjes nuk është i besueshëm. Ky vlerësim i madhërishëm ka një kahe të vetme, atë që deri në ç’pikë jeta njerëzore është një çast i përkryer; i pakryer pasi kjo lloj jete (pritja e Tokës së Premtuar), mund të zgjasë pafundësisht, pa arritur kurrë diçka më shumë sesa thjesht një çast. Moisiu nuk e arriti kurrë Kananin, jo sepse jeta e tij ishte shumë e shkurtër, por sepse ishte jetë njerëzore.” Nuk është vetëm denoncimi i kotësisë së një të mire të caktuar, por gjithë qëllimeve, pa përjashtim, pa kurrfarë kuptimi; një qëllim është gjithnjë i pashpresë në kohë si peshku në ujë, një pikë e çfarëdoshme në lëvizjen e universit; meqë bëhet fjalë për një jetë njerëzore. A ka diçka që t’i kundërvihet më shumë se kjo qëndrimit të komunistëve? Mund të themi se komunizmi është veprim në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, është veprim që ndryshon botën. Tek ai, qëllimi, pra ndryshimi i botës, i vendosur në kohë, në kohën e ardhme, nënrendit qenien, veprimtarinë e tashme që nuk ka kuptim jashtë qëllimit të paracaktuar; kjo botë që duhet të ndryshojë. Për realizimin e një qëllimi të tillë komunizmi, në parim, nuk nxjerr asnjë lloj pengese. I gjithë njerëzimi është i gatshëm t’ia përkushtojë të tashmen një qëllimi të gjithëpushtetshëm. Dhe askush nuk vë në dyshim vlerën e veprimit, askush nuk mund t’i mohojë veprimit autoritetin vendimtar. Por e parë hollë, ekziston një rezervë e papërfillshme; ne pranojmë se veprimi nuk na ka penguar kurrë të jetojmë… Kështu bota e veprimit s’ka shqetësim tjetër përveç qëllimit të paracaktuar. Qëllimet ndryshojnë në varësi të dëshirës, por ndryshueshmëria e tyre, ose më mirë kundërshtia e tyre, ka ruajtur përherë një mundësi për bashkëjetese individuale. Vetëm një mendje e lajthitur, thuajse e çmendur, heq dorë nga një qëllim, pa gjetur një tjetër më të vlefshëm. Vetë Kafka lë të kuptojë që, nëse u tallën me Moisiun, kjo ndodhi për faktin se, sipas profecisë, ai duhej të vdiste në çastin kur realizoi qëllimin. Por, logjikisht, shton se arsyeja e dështimit të tij ishte “jeta e tij njerëzore”. Qëllimi është shtyrë në kohë dhe koha është e kufizuar; kjo i mjafton Kafkës që ta vlerësojë qëllimin në vetvete si një iluzion. Kjo është kaq paradoksale dhe kaq e kundërt me qëndrimin komunist (qëndrimi i Kafkës nuk bie ndesh vetëm me shqetësimin politik, për të cilin asgjë s’ka rëndësi përveç kryerjes së revolucionit), sa duhet të mendohemi mirë lidhur më këtë gjë.
Naiviteti i përkryer fëminor i Kafkës
Kjo nuk është detyrë e lehtë. Kafka e shprehte gjithnjë mendimin e tij, kur dëshironte t’i thoshte gjërat haptas (në ditar apo në faqet e reflektimeve), duke e shndërruar çdo fjalë në grackë (ndërtonte ngrehina të rrezikshme ku fjalët nuk renditen sipas një logjike të caktuar, por qorrollepsen njëra mbi tjetrën, sikur duan vetëm të të çudisin, të të fusin në qorrsokak, sikur janë shkruar vetëm për autorin, që duket sikur s’lodhet as së kaluari nga çudia në përhumbje).
Pa dyshim ishte krejt e kotë t’u japësh një kuptim shkrimeve të mirëfillta letrare, në të cilat shpesh shihet ajo që s’ekziston dhe në rastet më të mira shihen ato që, pas gdhendjes, mbeten nga pohimi interpretativ më i mefshtë.
Pikësëpari, duhet t’i shprehim këto rezerva. Gjithsesi, ne, si në një labirint, ndjekim kuptimin e përgjithshëm të ecurisë së gjërave që, pa dyshim, mund të kapet vetëm në çastin kur dalim nga ky labirint; dhe atëherë, sipas meje, thjesht mund të themi se vepra e Kafkës në tërësinë e saj është dëshmi e një sjelljeje krejt fëminore.
Unë mendoj se pika e dobët e rrjedhës sonë logjike qëndron në vlerësimin e naivitetit si një sferë më vete, e cila në një lloj mënyre nuk na tingëllon e huaj, por që qëndron jashtë nesh dhe si e tillë nuk mund të përbëjë dhe as të shprehë të vërtetën e mirëfilltë, atë që ekziston në të vërtetë. Në mënyrë të ngjashme, përgjithësisht, askush nuk e sheh gabimin si pjesë të së vërtetës…
“Është fëminore” apo “joserioze”, kjo është e njëjta gjë. Por, fillimisht, të gjithë jemi absolutisht fëminorë, madje në mënyrën më të çuditshme, duhet shtuar: dhe pikërisht nëpërmjet këtij naiviteti fëminor, njerëzimi në zanafillën e vet shpreh thelbin e tij. Për të qenë më i saktë, kafsha nuk është kurrë fëminore, por qeniet e reja njerëzore, me pasionin e tyre, e ndryshojnë drejtimin që u këshillon i rrituri, i cili, nga ana e tij, nuk merr kurrfarë drejtimi. E tillë është bota së cilës i përkisnim dhe që herët e para na dehte deri në kënaqësi me pafajësinë e saj: gjithçka tek ajo, për një çast, shpërfillte arisen e qenies që e kishte bërë diçka (në ingranazhin e kuptimeve sipas të cilave ecën i rrituri).
Nga vetja e tij Kafka la atë që redaktori Klossowski e quajti “Skica e një autobiografie”. Fragmenti ka të bëjë vetëm me fëmijërinë, madje me një aspekt të veçantë të saj. “Kurrë nuk mund t’i mbushësh mendjen, fjala vjen, një djaloshi i cili, në mbrëmje, është zhytur në leximin e një historie tërheqëse, pra s’mund t’ia mbushësh mendjen me diçka që i drejtohet vetëm atij, që të ndërpresë leximin dhe të shkojë të flejë”.
Ja ç’thotë Kafka më tej: “…Në të gjithë këtë, e rëndësishme është që dënimin që më jepej për shkak të faktit që lexoja gjatë, unë e shtrija edhe në cilësinë time të fshehtë për të lënë pas dore detyrat dhe rrjedhimisht, pasojat ishin edhe më të rënda.” Autori në moshë të pjekur këmbëngul në faktin që dënimi kishte të bënte me shijet që përbënin “veçantinë e djaloshit”: shtrëngimi e bënte ose “të urrente atë që e detyronte” ose t’i vlerësonte si të papërfillshme gjërat e veçanta që i ndaloheshin… “Nëse unë mbaja fshehur, – shkruan, – njërën prej veçorive të mia, për pasojë urreja vetveten dhe fatin tim, duke u vetëcilësuar i lig ose i dënuar”.
Lexuesit e “Procesit” apo të “Kështjellës” s’e kanë të vështirë të shquajnë atmosferën që karakterizon krijimet romaneske të Kafkës. Fajin e të lexuarit e pasoi, në moshë të rritur, faji i të shkruarit. Kur në skenë doli letërsia, qëndrimi i familjes dhe sidomos ai i të atit, u karakterizua nga i njëjti mospëlqim me të cilin shihej leximi. Dëshpërimi i Kafkës qe po aq i madh. Me të drejtë, Michel Carrouges ka thënë lidhur me këtë: “Ajo që e ndrydhte tmerrësisht ishte sidomos trajtimi sipërfaqësor që u bëhej gjërave që atë e shqetësonin më shumë…” Duke folur për një rast kur përbuzja e të afërmve të tij u shpalos e pamëshirshme, Kafka shprehet: “Qëndrova ulur dhe u përkula mbi atë fletë që s’kishte pikë vlere… por, në të vërtetë, papritur isha dëbuar nga shoqëria…”
Ruajtja e gjendjes fëminore
Në karakterin e Kafkës të bën përshtypje dëshira e tij e papërmbajtur që i ati ta kuptonte dhe ta pranonte veprimtarinë e tij “fëminore”, leximin dhe më vonë letërsinë; që babai të mos e zbonte nga shoqëria e të rriturve, e vetmja gjë që mund të mbetej pa u shkatërruar; që në fëmijëri këtë ai e ngatërroi me thelbin, me veçoritë e qenies së tij. Babai ishte për të njeriu me autoritet, interesat e të cilit shkonin deri te vlera e veprimeve të efektshme. Babai përfaqësonte përparësinë e një qëllimi nga varej jeta reale, qëllim të cilit i përmbahet pjesa dërrmuese e të rriturve. Në mënyrë fëminore Kafka jetonte, si çdo shkrimtar i mirëfilltë, nën përparësinë e kundërt të dëshirës aktuale. Është e vërtetë se ai iu nënshtrua zgjedhës së punës së zyrës, e pranoi zemërthyer, pa iu ankuar njerëzve që e detyruan të bënte një punë të tillë, por duke u qarë për fatin e tij të keq. Gjithnjë e ndjeu veten të përjashtuar nga shoqëria, që e përdorte, por e trajtonte sikur të mos kishte kurrfarë vlere – si një lloj krijese fëminore – pra, ashtu siç ai sillej plot pasion të zjarrtë në thellësinë e qenies së tij. I ati i përgjigjej me indiferencën e akullt të njerëzve të regjur në punë. Më 1919-n, Franc Kafka i shkroi të atit, por që fatmirësisht nuk ia dërgoi letrën, pjesë të së cilës i kemi bërë të njohura. “Isha, – thotë, – një djalë i mbytur në ankth dhe njëkohësisht kokëngjeshur, si gjithë djemtë dhe pa dyshim edhe mamaja m’i plotësonte tekat; sidoqoftë, nuk mund të besoj që kam qenë tip kaq i vështirë, s’mund të mendoj se me një fjalë të ngrohtë, me një mënyrë të qetë për të më “marrë për dore”, me një vështrim të ëmbël mund të arrijë ç’të dojë (…). Ti je i zoti ta trajtosh një djalë vetëm sipas natyrës tënde, plot forcë, bujë e zemëratë (…). Ishe ngritur aq lart me fuqinë tënde, prandaj dhe kishe një besim të verbër në vetvete (…). Para teje, s’mund të bëja tjetër veçse të belbëzoja dhe të flisja si një gagaç… Para teje e kisha humbur besimin në vetvete dhe më kaplonte një ndjenjë faji pa fund e pa krye. Pikërisht duke sjellë ndër mend karakterin e pamatë të kësaj ndjesie, ja ç’shkrova një ditë për dikë: ‘Ai trembej se mos turpi e pushtonte të gjithin.’ Gjithçka që shkruaja, bënte fjalë për ty; e ç’kuptim tjetër mund të kishte kjo përveçse rrëkesë së lotëve mbi gjoksin tënd? Në këtë mënyrë, unë merrja prej teje një leje të stërzgjatur enkas…”
Të gjithë veprën e tij Kafka do të donte ta titullonte “Përpjekje për t’u arratisur nga qerthulli atëror”. Por nuk duhet të gënjehemi në këtë pikë; në të vërtetë, Kafka as që donte të arratisej. Ai donte të jetonte brenda qerthullit, si një i dëbuar. Që në fillim ishte i vetëdijshëm për këtë. Nuk mund të thuash që e kishin përjashtuar të tjerët, por gjithashtu nuk mund të thuash se ishte vetëpërjashtues. Thjesht sillej në një mënyrë të tillë që të bëhej i padurueshëm për mjedisin e veprimtarisë dobiprurëse, industriale dhe tregtare, donte të përkundej në naivitetin e ëndrrës. Kjo lloj arratisje ndryshon thelbësisht nga ajo që trajtohet në veprat letrare; është një arratisje e dështuar. Më tepër një arratisje që duhet, që kërkon të dështojë. Ajo që i mungon arratisjes së zakonshme, e cila mjaftohet me një formë kompromisi dhe “mburrjeje”, është ndjenja e thellë e fajit, e dhunimit të një ligji të pashkatërrueshëm, është kthjelltësia e ndërgjegjes së pamëshirshme ndaj vetvetes. “I arratisuri” i veprave letrare është një fillestar i kënaqur nga dëfrimet; ai ende nuk është i lirë, nuk është i tillë në kuptimin e vërtetë të fjalës, sipas së cilës liria është sublime. Për të qenë i lirë duhet të njihesh si i tillë nga shoqëria sunduese.
Por në botën e mykur të feudalizmit austriak, e vetmja shoqëri që mund ta pranonte djaloshin izraelit, ishte mjedisi atëror i afaristëve, që s’ishte prekur nga shtirja e snobistëve meraklinj pas letërsisë. Mjedisi ku fuqia e babait të Francit shpalosej haptas, s’ka vend dhe në fëmijëri e pranon një lloj naiviteti, që ajo vetë e lejon në kufij të caktuar, por e dënon parimisht. Tani duhet saktësuar qëndrimi i Kafkës dhe të shpalosim karakterin e tij ekstremist. Ai duhej të pranohej jo vetëm nga autoritetet më pak të afta për ta bërë një gjë të tillë (meqë – e kishte vendosur pa pikë ngurrimi – ai nuk do të tërhiqej), por kurrë nuk i shkoi nëpër mend t’i godiste autoritetet në fjalë, madje as t’u kundërvihej. Ai nuk donte t’i kundërvihej këtij babai që i hiqte mundësinë për të jetuar dhe nga ana e tij, nuk donte të rritej si të ishte baba.
Zhvilloi, sipas mënyrës së vet, një luftë të pashoqe për të hyrë në shoqërinë e të atit me gjithë të drejtat që i takonin, por do të kishte pranuar vetëm me një kusht; të mbetej ai vocërraku i papërgjegjshëm që ishte. S’reshti së luftuari, deri në frymën e fundit, në një betejë të dëshpëruar. Kurrë nuk pati shpresë: e vetmja mundësi për të hyrë në botën e të atit mbetej vdekja, atëherë kur dhe do të humbte veçoritë e veta (naivitetin, tekat). Këtë zgjidhje e parashtroi në 1917-ën, që u shfaq pastaj e shumëfishuar në romanet e tij. “Pra, më duhet t’i besoj vdekjes”, – deklaron në “Mbeturinë e një besimi. Kthim te babai. Dija e madhe e pajtimit”. E vetmja mënyrë, të paktën për të, për të kryer një akt prej babai ishte martesa. Dhe, pavarësisht nga dëshira, hoqi dorë për arsye tejet të forta; dy herë e prishi fejesën. Jetonte “i veçuar nga brezat e mëparshëm” dhe “s’arriti… të bëhet fillesë e një brezi të ri”. “Pengesa kryesore për t’u martuar, – shprehet në “Letër babait”, – qëndron në bindjen time të thellë se për të siguruar ekzistencën e një familjeje dhe sidomos për të drejtuar mbarëvajtjen e saj nevojiten doemos gjithë cilësitë që ti zotëron. Pra, le ta themi, duhet qenë ashtu siç je ti dhe të braktisësh atë që jam unë”.
Kafka pati ç’të zgjedhë mes skandaleve – naive, të arsyeshme – tekave, humorit të gjithëpushtetshëm, që nuk synojnë asgjë, që nuk shpien në lumturinë e premtuar, dhe kërkimit të lumturisë që të jep veprimtaria dobiprurëse dhe autoriteti mashkullor. Pra, provoi të zgjedhë; diti, të paktën, të gjejë rrugën në mënyrë të vetëdijshme, edhe pse u përfshi në ingranazhet e një pune që s’i sillte kurrfarë kënaqësie. Zgjodhi tekat pambarim të heronjve të tij, naivitetin e tyre, shkujdesjen e tyre të ankthshme, sjelljen e tyre të pacipë dhe falsitetin e qëndrimit të tyre. Me një fjalë, dëshiron që ekzistenca e një bote irracionale, domethëniet e së cilës nuk janë të renditura, të mbetej një ekzistencë e gjithëpushtetshme, e cila përmbushet vetëm në çastin kur na thërret vdekja. Ai nuk kërkon rrugëdalje, nuk e pranon dobësinë, pa i dhënë kurrfarë shprese vlerës sublime të zgjedhjes së tij, shpresë që do ta detyronte të shtirej. Kurrë nuk ndoqi rrugë të tërthorta, duke kërkuar privilegjin e seriozitetit për atë çka është sublime. E ç’janë tekat që të mundëson pushteti dhe ligji përveçse shfaqje nga ato të kopshtit zoologjik? Ai e ndjeu se e vërteta, origjinaliteti i tekave, kërkonte sëmundjen, tjetërsimin deri në vdekje. E drejta, siç pohon Maurice Blanchot kur flet për të dhe pikërisht për veprimin, “arti (teka) krahasuar me veprimin, nuk gëzon të drejta”. Botën e gëzojnë ata të cilëve u është dhënë një tokë e premtuar dhe që, nëse e shohin të nevojshme, punojnë e luftojnë së bashku për ta arritur. Forca e heshtur dhe e dëshpëruar e Kafkës qëndron në moskundërshtimin e autoritetit që i mohonte mundësinë për të jetuar, qëndron në largimin nga gabimi i përgjithshëm që autoritetit i kundërvë lojën e rivalitetit. Nëse ai që s’pranon të nënshtrohet, më në fund, del fitimtar, vetë ai, para të tjerëve dhe vetes, ngjason me ata kundër të cilëve ka luftuar, me ata që ushtrojnë autoritet. Jeta fëminore, tekat e shpenguara të gjithëpushtetshme, nuk mund t’i bëjnë ballë triumfit të tyre. Pavarësia e ka çmimin e vet; i mungon ushtrimi i pushtetit, që do të thotë veprim, epërsi e së ardhmes mbi të tashmen, epërsi e tokës së premtuar. S’ka dyshim që është e tmerrshme të mos luftosh për të shkatërruar një kundërshtar të egër, që do të thotë t’i qasesh vdekjes. Për të përballuar këtë tradhti ndaj vetvetes, duhet luftuar ethshëm, plot ashpërsi e pa ngurrim: është e vetmja mënyrë për të ruajtur këtë dëlirësi delirante, që s’ka kurrfarë lidhjeje me pikësynimin logjik, që më kot rreket të mbështetet në ingranazhet e veprimit, ajo dëlirësi që zhyt në batakun e fajësisë gjithnjë në rritje, të gjithë heronjtë e saj. Askush s’është më i dëlirë dhe kontradiktor se K. i “Kështjellës” dhe Jozef K. i “Procesit”. Ky personazh i dyfishtë, “i njëjti në të dy librat, tinëzisht agresiv, pa ndonjë shkak apo përfitim, është mbërthyer nga një tekë rravguese, nga një kryeneçësi e verbër. Ai pret gjithçka nga dashamirësia e autoriteteve të pamëshirshme, sillet si një tip paturpësisht i shthurur mu në mes të bujtinës (bujtina e funksionarëve), mu në mes të shkollës, me avokatin e tij… në sallën e gjyqit të Pallatit të Drejtësisë”. Babai, në veprën “Dënimi”, vihet në lojë deri në tallje nga i biri, por ekziston siguria e hakmarrjes për shkatërrimin e thellë, fatal, të pavullnetshëm të autoritetit të qëllimeve të tij; por ai që i prin shkatërrimit, duke zgjidhur qentë pa gjetur më parë një vetëmbrojtje, i përhumbur në terr, vetë ai do të jetë viktima e parë. Pa dyshim ky është fataliteti i gjithë asaj që është e pavarur nga pikëpamja njerëzore; pavarësia nuk mund të ekzistojë përveçse në mohimin e vetvetes (mjafton edhe llogaria më e vogël dhe gjithçka shkatërrohet, s’mbetet veçse skllavëria, epërsia e qëllimit dhe e llogaritjes bazuar në të tashmen) ose në çastin e zgjatur të vdekjes. Vdekja është i vetmi mjet për të shmangur gjithëpushtetin e abdikimit. Vdekja e përjashton skllavërinë; te vdekja s’ka më kurrfarë gjëje.
Përktheu Agim Doksani.
Marrë nga libri “Letër babait”, pasthënie, Phoenix 2000.