A është p*rn*grafia një mashtrim sociologjik?

11 Mars, 2025 - 11:47 am

Autor: Labinot Kunushevci

      Atë që ne e quajmë “diçka seksuale”, të tjerët e identifikojnë si “diçka eksituese”. Pra, seksualja dhe eksitimi kuptohen gabimisht si sinonime. Për industrinë e pornografisë, seksi është vetëm një penetrim gjenital, aty fillon e mbaron e gjithë historia e seksit. Sepse sot seksi nuk konceptohet si lidhje emocionale, ai mund të fillojë edhe para dhomës së fjetjes, edhe para prekjes, ai kërkon kohë dhe ka fazat e veta, ai lidhet me dashurinë, harmoninë, koordinimin, afrimitetin, ledhatimin, miqësinë, njohjen, intimitetin, lumturinë, emocionin, romancën etj.

      Seksualiteti është vetëm një akt kënaqësie seksuale për shumë njerëz injorantë që ndihen të turpëruar të diskutojnë për të. Kur përmendet fjala “seks”, dikush stepet e skuqet; dikush ndihet inferior e dikush ndihet i shtypur nga tabutë; dikush e ul kokën e dikush ik nga vendi ku përmendet; dikujt i ngjallen iluzionet, instinktet dhe fantazitë seksuale në moment; dikush provon të të ndalojë të mos bësh pyetje apo të mos bëhesh kureshtar për të; dikush, nga normat kulturore në të cilat është edukuar, shfaqet më konservator e dikush më liberal. Kjo flet shumë për sfidat e socializimit seksual, në një mjedis seksual të pornografizuar.

      Edhe ato pak dhjetëra shtete që kanë edukim seksual, për pornografinë flasin fare pak. Aty ku ka dështuar edukimi seksual për pornografinë në sistemin medial, shkollor e universitar të edukimit, aty ku në familje nuk flitet kurrë për pornografinë, porno shndërrohet në një burim joshës dhe në një edukator të fshehur seksual.

      Ashtu si ushqimi i shpejtë që po krijon ngrënës dembelë, pornografia po krijon dashnorë dembelë. Ajo ka një ndikim të madh në trurin e adoleshentëve. Nëse dikush mendon se mund të bëhet i shkëlqyeshëm në seks duke shikuar pornografi, është sikur të mendojë se mund të bëhet një tenist i mirë duke shikuar tenis.

      Nisemi nga pornografia, që ndryshe e njohim si prostitucion i filmuar. Një industri brutale dhe kriminale, me një qasje të pakufizuar dhe të pakontrolluar, ku imazhi dhe roli seksual kombinohet me logjikën e përfitimit dhe nuk ka asgjë të përbashkët me realitetin dhe shëndetin seksual.

      Çfarë mund të gjejmë në pornografi, diçka që njerëzit e varur prej saj nuk e vërejnë? Frustrim, iluzione, ereksion të çrregulluar, bizaritet, vulgaritet, perversitet, rrëmbim emocional, çrregullime psikike hormonale, varësi, dominim mashkullor, mizogjini, trafikim të femrave. Ajo na krijon narracionin se femra aty është në pozita shtypëse, shfrytëzuese dhe nënshtruese, si objekt seksi, në shërbim të burrit.

      Një seks, në masë të madhe, pa prekje, pa përqafim, pa përkëdhelje, pa vëmendje emocionale, pa puthje, pa sensualitet dhe reciprocitet, përmbajtje këto që nuk janë interes i industrisë e as i kamerës që t’i kapë, ndonëse krejt këtë veprimtari ata e trumbetojnë si liri seksuale dhe liri të profesionit, ndërsa një kritikë sociologjike e akuzojnë si konservatore dhe seksualisht të paçliruar. Pra, vetëm për një seks emocionalisht të sigurt nuk mund të flasim, e lëre më për një erotikë në parametra normalë.

      Pornografia ka imponuar narracionin se e vetmja gjë për të cilën gratë dhe vajzat janë të mira është për t’i kënaqur burrat fizikisht. Pra ka përforcuar ndjenjën e shumë burrave për të drejtën e tyre që t’i përdorin trupat e grave.

      Një brutalitet virtual ku femra shfaqet e abuzuar, e poshtëruar dhe e dhunuar seksualisht, ndjekur nga miliona ndjekës, që masturbojnë me fantazitë e tyre, që bombardojnë kryesisht kokat e të rinjve me imazhet e pushtuara që shndërrohen te ta si modele të gabuara të marrëdhënieve seksuale. Fatkeqësia në personalitetet e shumë femrave është kur ato duan me çdo kusht të bëhen një “yll pornografik” dhe përfundojnë në hiper-reaktivitet ndaj pornografisë, varësi, ankth social, depresion, probleme të përqendrimit dhe izolim.

      Disa vajza janë më të prira ta krahasojnë veten me vajzat e tjera. Por krahasimi shpeshherë është negativ dhe joinkurajues. Mbi të gjitha, pozita sociale në shoqëri, integriteti, pasuria e shumë gjëra të tjera, vënë në lojë pabarazinë e vajzave dhe të grave. Krahasimi virtual shpesh mund ta frenojë zhvillimin individual.

      Por edhe në anën tjetër, një burrë me integritet, kur e takon një grua, në radhë të parë e shikon si qenie njerëzore, si qenie sociale, si personalitet, si profesioniste apo në çfarëdo statusi, pozicioni ose raporti njerëzor, profesional, zyrtar ose miqësor, por nuk e sheh në radhë të parë si objekt seksi, madje as në radhë të fundit. As nuk e mendon potencialisht një marrëdhënie seksuale me të që në takimin e parë, as në takimin e fundit.

      Ata që e shohin femrën si objekt seksi kanë një mentalitet hiper-seksual të çrregulluar që vjen nga frustrimi në rritje i tyre, të cilët ndihen, psiqikisht, për shkak të trurit si “organi kryesor seksual i tyre”, pastaj edhe shpirtërisht dhe seksualisht, të papërmbushur. Ndërsa kompenzimin e bëjnë në forma vulgare, duke ngacmuar vajza e gra që i takojnë në rrugë, në mjedise publike, rrjete sociale, biznese, organizata e institucione.

      Pra, problemi nuk qëndron vetëm tek provokimi nga lakuriqësia fizike e grave apo vajzave, por më shumë tek lakuriqësia shpirtërore, intelektuale, psikologjike dhe emocionale e burrave.

     Në kohën kur është standardizuar “tipi ideal i buku­risë së grave dhe vajzave”, kur më shumë çmohet forma dhe dukja e femrës sesa karakteri, sjellja dhe aftësitë intelektuale, shohim një krizë dhe kompleks identiteti të feminitetit, sidomos kur shumë prej tyre, rrugës duke ecur, ndalen para xhamave të objekteve, të lokaleve e të veturave, pranë pasqyrave të ashensorëve, për të bërë foto “selfi” me fiksim në të pasmet e tyre apo në vallëzimin “twerk”, edhe për efektet e marketingut dhe të muzikës, si “standarde” me të cilat ato “vlerësohen” në publik, kështu duke humbur identitetin individual të tyre pasi kanë shndërruar trupin e tyre në mall dhe vlerë tregu. Kjo varësi nga kjo pranueshmëri publike i ka bërë disa femra të vuajnë nga vetëvlerësimi i ulët dhe nga shndërrimi i trupit në shkak bullizmi në rrugë, në shkolla, në universitet, në vende publike etj.

      Pornografia ka ndikim të jashtëzakonshëm edhe te lidhjet mes partnerëve duke u krijuar pritshmëri nga njëri-tjetri bazuar në konsumimet pornografike, që përfundimisht shkaktojnë krizë familjare, sepse përjetohet si një ikje nga realiteti, drejt një identiteti të rrejshëm seksual. Sepse ata synojnë ta ndërtojnë një marrëdhënie ndikuar nga mitet, fetishet, stereotipat, fantazitë, pasionet dhe imitimet seksuale të pornos.

      Mekanizmat e pornografisë nxitin edhe tradhtinë bashkëshortore, sepse partnerët ndihen të papërmbushur seksualisht sipas perceptimeve që kanë fituar nga ndjekja e videove pornografike. Pornografia, si një zhanër kulturor, ka arritur ta deformojë konceptin për intimitetin sot dhe është shndërruar në një ushqim psikologjik dhe kompensues për ata partnerë që kanë kriza seksuale.

     Jam thellësisht i shqetësuar kur në mediat e shkruara online, kohëve të fundit, po lexoj artikuj që flasin për efektet pozitive të pornografisë, një qasje relativizuese ndaj saj, duke anashkaluar qëllimshëm pasojat serioze. Aty mohohet se filmat pornografikë shkaktojnë varësi dhe se mund të shkaktojnë telashe në çift. Shkrime që nganjëherë nuk u dihet autori, nuk ka referenca, nuk dihet a është shkruar nga ndonjë profesionist apo jo, por është strukturuar dhe përkthyer nga dikush, botuar diku dhe pastaj shumë media tjera e kanë botuar të njëjtin pa asnjë rishikim.

      Ky spektër i prostitucionit, që nuk mund të jetë ëndërr e askujt në një fëmijëri të natyrshme, ka shtyrë përhapjen e shumë dukurive që cenojnë integritetin moral dhe fizik të njerëzve, si: shtëpitë publike, ngacmimet në rrugë, trafikimi me njerëz, qendrat e masazheve, diskotekat, lokalet e natës, motelet etj.

      Një qasje e deformuar sociologjike në trajtimin e barazisë gjinore ka shtyrë transgjinorët që të hyjnë në gara olimpiadash me gjininë femërore duke e sfiduar atë në mënyrë të padrejtë dhe shtypëse.

      Të rinjtë sot duhet ta kuptojnë kompleksitetin e seksualitetit jo vetëm si proces fiziko-emocional apo si pasion, nevojë dhe mënyrë riprodhimi, por edhe si kulturë, si edukim, si sjellje, si shëndet, si raport, si faktor në familje dhe në shoqëri, me të gjitha implikimet që ka.

     Ne kemi nevojë për një edukim seksual që u përgjigjet këtyre pyetjeve:

  • Cilat janë sëmundjet seksualisht të transmetueshme?
  • Si duhet të mbrohen të rinjtë nga abuzimi dhe trafikimi seksual?
  • Cilat janë pasojat psikike dhe kulturore të porno­grafisë dhe të prostitucionit?
  • Si mund të mbrohen të rinjtë nga shantazhi ndaj integritetit fizik?
  • Si shprehet gjuha dhe mendësia seksiste?
  • Ku qëndron vija e hollë ndarëse në komunikimin privat dhe publik mbi seksin?
  • Ku qëndron kufiri dhe distanca në raportet nxënës – mësimdhënës apo student – profesor?
  • Si duhet reaguar përballë ngacmimeve private dhe publike?
  • Si duhet kuptuar dhe trajtuar incestin?
  • Cilat janë rreziqet e viktimizimit seksual në rrjetet sociale?
  • Cilat janë pasojat e komunikimit dhe takimit me njerëzit e panjohur?
  • Çka është perversiteti dhe frustrimi seksual?
  • Çka është shtatzënia e padëshiruar dhe si duhet mbrojtur nga ajo?
  • Çka është aborti dhe cilat janë shkaqet dhe pasojat e tij?
  • Cila është lidhja e moralit me seksin?
  • Cili është raporti i kodit etik me veshjen publike?
  • Si krijohen dhe si duhet të thyhen iluzionet për seksin?
  • Çka është planifikimi familjar dhe cila është rëndësia e tij?
  • Çka është flirtimi dhe lidhjet në adoleshencë?
  • Cila janë pasojat e martesës së hershme, specifikisht pasojat e ndërprerjes së shkollimit për shkak të martesës së hershme?

     Sepse fëmijët sot rrezikohen në masë të madhe nga mashtrimet dhe abuzimet gjatë kërkimeve në pornografi. Njohim shumë viktima, sidomos femra, që nga presioni, frika dhe efekti i shantazhit në komunikim dhe fotografi intimiduese, kanë bërë vetëvrasje. Kanë filluar me një kuriozitet, me një klikim, por janë ballafaquar me probleme nervore dhe emocionale, duke përfunduar në depresion dhe vetëvrasje. Në fakt, vetëvrasja e një individi është vrasje e shoqërisë ndaj tij.

Të rinjtë sot kanë nevojë për një sistem edukimi që u ofron kushte të mendojnë, të planifikojnë dhe të veprojnë në mënyrë kritike larg çdo industrie apo ideologjie që rrëmben kreativitetin, spontanitetin, emocionalitetin, origjinalitetin, natyrshmërinë dhe produktivitetin e tyre. Të flasin hapur për seksin pa tabu, të çlirohen nga kurthet emocionale të invazionit medial, që po gllabëron vlerat humane, dhe të orientohen në ndërtimin e themeleve të një familjeje të shëndoshë./ KultPlus.com

Të ngjajshme