10 Tetor, 2019 - 8:43 pm
Nga: Entela Bineri
Të nderuar titullarë dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë!
Përkatësisht, më datë 10.10.2019, në ditën e ndarjes së çmimeve “Nobel”, ju keni përcjellë në faqen tuaj në fejsbuk (https://www.facebook.com/akademiaeshkencave/posts/2401461423222353?comment_id=2401869719848190¬if_id=1570724609234872¬if_t=feedback_reaction_generic) fituesit e viteve 2018 dhe 2019. Bashkëngjitur emrave të fituesve ju keni sjellë edhe grimca vlerësimi lidhur me veçoritë dalluese të mënyrës së të shkruarit të këtyre personaliteteve. Por kurrfarë qëndrimi nga ana juaj nuk e kemi vërejtur deri tashmë…
Është padyshim një ngjarje e rëndësishme ndarja e këtij çmimi në hapësirën ndërkombëtare. Për këtë arsye, jehona e tij është e madhe. Ca më e madhe cilësohet jehona, kur “Nobeli” shkon përkundër qëllimit për të cilin është krijuar. Pa frikë mund ta themi se shpërndarja e padrejtë e këtij çmimi (si në rastin e shkrimtarit Peter Handke), është në vetvete një lajthitje e pashoqe. Kjo nuk bën gjë tjetër, përveçse zbeh besimin në vlerat njerëzore, qytetare dhe kulturore që institucionet përkatëse, kombëtare a ndërkombëtare, synojnë të përcjellin te mbarë shoqëria njerëzore.
Sigurisht, ju nuk jeni përgjegjës për këtë vlerësim. Por ktheheni në bashkëpërgjegjës, nëse nuk kundërveproni duke u shprehur lidhur me këtë fyerje që shkon deri në nëpërkëmbje të të drejtave njerëzore. Përgjegjshmëria juaj institucionale duhet të shkojë në përputhje me ndjeshmërinë njerëzore në përgjithësi, por veçanërisht me atë të kombit të cilit i përkisni dhe sigurisht edhe në përputhje me qëndrimin e intelektualëve të shumtë shqiptarë, të cilët nuk janë vonuar të shprehen në mënyrë mohuese ndaj dhënies së këtij çmimi sivjet.
Nga ana tjetër, nuk është fort e hijshme vonesa institucionale shqiptare, nuk është as e re, por ne të gjithë shpresojmë dhe kërkojmë ndryshimin për mirë. Prandaj, mbetem shpresëplotë se kjo vërejtje nuk do të ngelet pa përgjigje…
Shpresoj shumë që letra publike e kryeakademikut Kraja (https://alb-spirit.com/2019/10/10/ekskluzivekryeakademiku-i-kosoves-mehmet-kraja-proteston-ndaj-akademise-se-nobelit-ne-suedi-teksti-i-plote/) nuk do të ngelet e vetme nga pikëpamja e mbështetjes kombëtare në përballje me “humbjen e kujtesës dhe amnistisë morale” ndaj atyre si laureati i çmimit “Nobel” 2019, Peter Handke, i cili ka mbështetur hapur një shfarosës popujsh (mes tyre edhe popullin shqiptar) si Slobodan Milosheviçi (Slobodan Milošević). Qëndrimi juaj i drejtë nuk do të duhej të ishte i munguar, as nëse nuk do të ishim të prekur kombëtarisht nga çështja në fjalë.
Me respekt! /KultPlus.com