15 Shtator, 2020 - 8:29 pm
Migjen Fazliu
Kur shpërtheu pandemia, gjatë izolimit në shtëpi, së bashku me familje iu rikthyem serialit të famshëm të Adem Mikullovcit : “Mahmutovitët dhe Rexhepovitët”. Këtë serial e mbaja në mend që nga fëmijëria e pas luftës, por që goma e viteve të shkuara e kishte bërë të veten duke e fshirë nga kujtesa gradualisht.
Rastësia e situatës e bëri këtë ndodhi me përngja me Dekameronin e Bokaçios, ku për 10 ditë sa zhvillohet ngjarja tek Dekameroni, i shkruar gjatë pandemisë së Murtajës së Zezë, 10 veta i tregojnë nga 10 histori për ta kaluar kohën. Unë për 10 ditë i këqyra 10 episodat, për të njëjtën arsye, për të njëjtën situatë, gati 700 vite më vonë.
Pas përfundimit të serialit, edhe më tepër mu forcua bindja se Adem Mikullovci është kriminalisht i nënvlerësuar dhe jo sa duhet i çmuar. Kur e pashë lajmin për vdekjen e tij, menjëherë thash me vete, paska vdekë Çaplini shqiptar.
Nuk e di që ka ndonjë artist kosovar që e meriton këtë epitet. Në episodën e fundit të “Mahmutovitët dhe Rexhepovitët”, Adem Mikullovci bën revolucion, ku e ndal serialin dhe paraqitet personalisht në dhomën e montazhit dhe flet jashtë personazhit të tij, si Adem Mikullovci, ku i drejtohet popullit me një mesazh social. Ngjashëm si Chaplini në filmin “The Great Dictator (1940)”, ku në fjalimin e fundit, nuk flet si Hitleri, por si vetë Chaplini.
Adem Mikullovci ka qenë polimat i artit. Ai është marrë dhe ka lënë shenjë në secilin zhanër të artit. Ka qenë aktor teatri, aktor filmi. Regjisor teatri, regjisor filmi. Skenarist teatri, skenarist filmi, skenarist televiziv. Ka bërë stand up comedy, ka pas emision të vetin televiziv e çka jo tjetër.
Së fundmi ai ka qenë njeri i dashur edhe për gjeneratat e reja që kanë patur fatin të lindin dhe rriten në liri, me paraqitjet e tij në seriale të ndryshme dhe me rolin e tij të babës Avni te “Kafeneja Jonë”
Filmat e tij si “Një pallto për babanë tim në burg”, “Mësuesi”, e “Oda e Junikut”, na kanë inspiruar në kohërat më të vështira. Peripecitë e realizimit të këtyre filmave janë filma në vete. Ai e ka rrezikuar vetën sa e sa herë për art. Për këtë arsye, nuk ka pasë nevojë që deklarativisht të cilësohet si politikan. Ai ka qenë aktivist politik edhe pa qenë deputet në dy epoka të ndryshme të Kosovës.
Adem Mikullovci ka qenë artisti më kreativ në Kosovë. Njerëz si Ademi vijnë rrallë, por kur shkojnë lëjnë zbrazëtirë të madhe.
Adem Mikullovci nuk është çmuar sa duhet. Këtë e dëshmon fakti filmat e tij mezi i gjen në Youtube me kualitet të dobët ku mezi shihen e dëgjohen. Ai meriton një restaurim të komplet veprave të tij dhe më shumë se kaq./ KultPlus.com