Ag Apolloni: Përveç miqve dhe të afërmve të tij, ngushëllime shprehin edhe hipokritët

15 Janar, 2018 - 3:30 pm

Sot, për ditëlindjen e profesor Basri Çapriqit janë mbushur portalet dhe rrjetet sociale me ngushëllime për vdekjen e parakohshme të tij. Natyrisht, përveç miqve dhe të afërmve të tij, ngushëllime shprehin edhe hipokritët. Këtyre të fundit profesori, po të mundej, do t’ua kthente me sharje. Unë e di që do t’i shante, sepse shpesh i shanim bashkë.

Ky, siç e shihni, nuk është një postim sentimental, apo patetik. Basri Çapriqi nuk i duronte shprehjet sentimentale dhe diskursin patetik.

Unë i jam mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme që më dha mua dhe brezit tim. Si atëherë kur isha student i tij, ashtu edhe kur u bëra koleg i tij, ai më trajtonte si mik të tij.

Fakulteti ynë ka humbur profesorin më parimor. Poezia shqipe ka humbur poetin më rebel. Jeta e tij tokësore mbaroi, mjerisht herët, por jeta e tij letrare do të vazhdojë sa të ketë letërsi shqipe.
I dashur profesor, siç ka thënë një shkrimtar, ne të gjithë jemi të vdekur, veçse varrosemi kur të na vijë radha. Natyrisht, ti ike pa radhë, por, dihet, rebelët s’presin radhë.

Nuk dua ta mbyll me patetizëm, sepse e di që ti do të më përqeshje, por s’mund të mos them që kur të shkoj në kafenetë që zakonisht i frekuentonim, do të më mungojë ironia jote me zërin tënd të plotë: “Kamerier, sillja Agut një raki hallall!”./KultPlus.com

Të ngjajshme