14 Gusht, 2024 - 3:45 pm
Fitim Çaushi
Në ditët e Festivalit “Strugë Jeho”, korrik 2024, në Hotelin “Diplomat” u takova me poetin, prozatorin dhe intelektualin e afirmuar Agim Vinca. Ishte po ai, që kisha takuar në Apoloni, Tiranë dhe Prishtinë, i thjeshtë e njerëzor. M’u përforcua bindja, se Agimi ishte profesori dhe edukatori me një ndërgjegje atdhetare dhe dashuri të madhe për emrin shqiptar, për Shqipërinë, me individualiet të spikatur dhe kurajo qytetare për të prekur temat e nxehta në shërbim të vendit të tij, që shumë intelektualë shqitarë u shmangen.
Me sjelljen e tij të natyrshme dhe ngrohtësinë tepër njerëzore, me natyrën e çiltër dhe modestinë mbresëlënëse, më krijoi një marrëdhënie vëllazërore, për të cilën kisha nevojë. Më dhuroi dy libra me poezi të përkthyera edhe në gjermanisht dhe më pohoi, se në bibliotekën e tij kishte dy libra të miat; “Dritat dhe hijet e Faik Konicës”, dhe “Në vdeksha qamë me ligje”. Me gjithë komplekset e inferioritet, që kisha para një intelektuali madhor, si Agim Vinca, u ndjeva mirë nga fryma e tij vëllazërore dhe e falenderova për marrëdhëne kaq të natyrshme që po më ofronte.
Duke pirë kafen, më lexoi një poezi për fshatin e lindjes, Veleshtën: poezi plot mbresa, plot nostalgji dhe frymëzim prekës, imazhe, e qëndrime ideoemocionale të freskëta, si t’i lëshonte në fluturim për ta lehtësuar shpirtin e brengosur nga braktisja fshatit. Ndjeva se poezia ishte ndërtur mbi tonalitete simfonie, me përsiatje, ku fëmijëria e tij në fshatin e lindjes, mbetej burim poezie dhe poezia si reflektim dhe frymëzim jete. Në thjeshtësinë e bukur kishte rrjedhshmëri rrëfimi, kthelltësi mendimi, çiltërsi ndjenje dhe lehtësi vargëzimi. M’u duk se poezia ngërthente dashurinë për fshatin e intelektualit të larguar, trishtimin e largimit të banorëve me shtëpi të mbyllur. Jetës i mungonte gjallëria e fëmijërisë së tij të dikurshme. Ishte poezi e lindur nga dashuria për vendlindjen.
Pas një bisede të gjatë, më mori me makinë dhe më shëtiti në fshatin e tij Veleshtë, Duke kaluar nëpër ambientet e hotelit dhe rrugët e Veleshtës, e takonin me shumë respekt të njohur dhe ish studentë, duke i shprehur mirënjohjen e tyre për vlerat e tij intelektuale dhe njerëzore. Ky shoqërim, më pasuroi shumë shpirtërisht, mbeti për mua një emocion i fortë, një detyrim vëllazëror, sepse ndjeva njeriun e çliruar prej tjetërsimesh, që prezantonte vetveten si njeri plotësisht shoqëror. Gjatë bisedave e ndjeva si një enciklopedist në kulturën shqiptare, veçanërisht në letërsi, si pedagog në Universitetin e Prishtinës prej 40 vjetësh.
Nuk kisha aftësinë dhe sigurinë për të dhënë mendime për krijimtarinë e Agim Vincën, por me sa dija unë, në analiza, interpretime dhe vlerësime, ka qëndruar sa më pranë mendimit kritik të kohës. Në trajtime periodike, autori e ka trajtuar letërsinë realiste, jo si dukuri të shkëputur, po si stad i veçantë i historisë së letërsisë shqiptare, si zhvillim risor i traditave popullore, atdhetare e përparimtare të mëparshme, si një letërsi në shndrim e lartësim të pandrëprerë bashkëkohësimi e cilësie. Me krijimtarinë e tij, Agim Vinca e ka ndier veten përfaqësues të popullit, me misionin e lartë që veprat e tij t’i shërbenin çlirimit, emancipimit dhe aktivizimit të masave, në lartësim të dinjitetit njerëzor dhe shndrim të marrëdhënieve shoqërore.
Poeti dhe shkrimtari Agim Vinca, është përfaqësues aktiv i formës kombëtare, me të cilën kupton jo vetëm mjetet e shprehjes artistike apo vetëm gjuhën, por veçanësitë e konstitucionit shpirtëror kombëtar dhe veçoritë e zhvillimit historik. Në çështje të formës e të mjeshtërisë artistike, origjinaliteti i të shprehurit artistik, gjetja e formave dhe strukturave sa më të përshtatshme të pasqyrimit, shfrytëzimi sa i më i efektshëm i mundësive dhe i pasurisë shprehëse të gjuhës shqipe, e pasuroi ideoemocialisht letërsinë e Agim Vincës.
Në morinë e veçorive kombëtare dhe shpërfaqjen e individualitetit të tij në rrafsh shoqëror, mënyrat e pasqyrimeve të drejpërdrejta epike, të reflektimeve meditative, të ndërtimit të veprave mbi bazë herë metaforike e konvencionale janë vetëm forma artistike, që nuk përjashtojnë as realizmin as tendenciozitetin.
Personazhet e Agim Vincës, janë karaktere jetësor, me fizionomi të përcaktuar shoqërore e veçori vetiake, kalitur në kudhrën e jetës, me rrënjët në historinë kombëtare, në rrethana të përcaktuara historike e bashkëkohëse, në mendimin, se njeriu duhet të ngadhnjej në jetë e t’i bëjë rrethanat sa më njerëzore. Kjo është një vlerë artistike e krijuar, një përvojë pozitive dhe dëshmi artistike e çmueshme. Këto e ritën prestigjin e Agim Vincës, të arrinte popullarit e lartësi. Poezia e tij përthyente në imazhe poetike të përgjithësuara, përplasjet dramatike, shpreh tendosjen nervore dhe shqetësimet e gjendjeve të krijuara, vizaton tiparet shoqërore të bashkëkohësit dhe ndërgjegjen e tij të paqetë me të cilat ndikon fuqishëm te lexuesit.
Agim Vinca formon profile artistike të veçanta, tipare individuale, duke dhënë kontribute për modernizimin e letërsisë në përvijimin e rrugëve për pasurimin e mundësive pasqyruese e shprehëse të saj dhe daljen në pararojën e letërsisë kombëtare, madje kontribon të njihet e të çmohet letërsia shqiptare edhe jashtë kufijve të vendit.
Aktualisht nuk shkruhet për formën, teknikën artistike, për estetikën e veprave, flitet pak për individualitetin e penave më të shquara, ndërkohë që letërsia shqiptare e para viteve ‘90 del e përfaqësuar nga vlera të shumta, të cilat jo vetëm janë pasqyrë e kohës, shprehëse të një fryme humaniste e demokratike, frymëzuese dhe mishëruese të fizionomisë kombëtare, por edhe për natyrë dhe realizëm artistik; shpërthimin e talenteve, krijonte të bukurën, ecte drejt emancipimit të gjithanshëm të personalitetit të njerëzve, pra edhe të letrarëve dhe të artistëve.
Te Agim Vinca gjejmë mirënjohjen dhe respektin e thellë për shkrimtarin dhe intelektualin, që vuri një gur themeli në letërsisë tonë. Në krijimtarinë e tij harmonizohen maturia dhe ekuilibri në gjykime e vlerësime, dashuria e thellë për kulturën kombëtare, atdheun dhe popullin, qëndrimi i ftohtë kritik dhe pasioni i fuqishëm i intelektualit krijues. Në krijimtarinë e tij ka përgjithësime dhe interpetime që do t’i qëndrojnë kohës.
Më duket, se mendimi vjen tek Agim Vinca si reflektim intelektual e emocional për historinë dhe bashkëkohësinë, për problematikën e kohës; për fizionominë, botën shpirtëtore, përgjgjësitë dhe aspiratet e brezit të ri.
Agim Vinca ështe një pasuri intelektuale e një brumi të veçantë, i paisur nga natyra me aftësinë e njeriut që ka dhunti forcën e shprehjes, guximin, formën tërheqëse dhe stilin e ngjeshur me mendim. Ai do të mbetet pasuri e kulturës tonë kombëtare, për tërë atë trashëgimi letrare e estetike për të cilën edhe ka shkruar:
Këtu jam vetëm
Po me mua janë: Naimi,
Mjeda, Noli, Migjeni, Agolli,
Kadareja…
Shpirti me ta fluturon i lirë
E trupi shpëton nga vdekja.
Agim Vinca e ka publikuar misionin e tij artistik: “Kot e kini, nuk mbyllet në burg poeti”. “Të jesh fanar mes errësirës”
U largova nga Struga me dashurinë e një vëllai të një gjaku, mora urtësinë e një intelektuali të këtij trualli dhe bindjen e një patriotizmi të brendshëm që i qëndronte si stolia e ndritur në zëmrat shqiptare./ KultPlus.com