Agim Vinca: Pas lajmit për shuarjen e Basri Çapriqit

15 Janar, 2018 - 12:50 pm

Në fillim e kisha student, pastaj asistent një kohë të gjatë dhe tërë kohën koleg dhe mik. Kam qenë mentor i tij në të tri shkallët e shkollimit akademik: në diplomë, në magjistraturë dhe në doktoratë. Ishte kënaqësi të punoje me të, sepse ishte i urtë, i kulturuar dhe inteligjent. Falë dhuntisë së tij të lindur për komunikim, për shumëçka kuptoheshim edhe pa folur.

Kur e zgjodha asistent në vitin 1986 (plot 32 vjet më parë), një koleg i Fakultetit më pyeti: – Nga është? – Nga Ulqini – i thashë. – E pse jo nga Kosova? – ndërhyri kolegu “patriot”. – Unë nuk i shoh njerëzit nga janë, por çfarë janë! – iu përgjigja shkurt e trup.
Koha më dha të drejtë. Basriu erdhi në Prishtinë nga vendlindja e tij për të studiuar, si shumë të tjerë dhe mbeti këtu përgjithmonë, duke krijuar një karrierë të shkëlqyer.

Basri Çapriqi ishte pa dyshim një nga poetët më të talentuar të brezit të vet, që doli në skenë në fillim të viteve ’80. Ra në sy qysh me përmbledhjen e parë,Ulli me dy mijë unaza, në të cilën sillte frymën e vendlindjes së tij si pjesë e etnosit shqiptar. Më vonë do të kultivonte një poezi me nëntekst të fortë dhe me prirje të theksuar për t’i ironizuar marrëzitë e kësaj bote.
Poet, studiues dhe intelektual par excellence, ai e përfaqësonte me dinjitet kulturën shqiptare kudo që shkonte.

Basri i dashur! Ike para kohe. Do të na mungojë fjala jote, urtësia, dija, por edhe ajo ironia e hollë, që është tipar qenësor edhe i poezisë sate.
Ngushëllime familjes: bashkëshortes, Sazanes, vajzës, Bulzës dhe djalit, Bindit; vëllait, motrës dhe miqve të tij të shumtë jo vetëm në Ulqin e Prishtinë, por edhe në mbarë hapësirën shqiptare./KultPlus.com

Të ngjajshme