20 Shkurt, 2020 - 1:13 pm
Agron Tufa
Më 20 shkurt 1991 populli shqiptar e rrëzoi në sheshin “Skënderbej” statujën e madhe të diktatorit paranojak komunist, për ta ruajtur mandej, të pacënueshëm, në mijëra statueta të vogla brenda parzmit.
Prandaj s’kemi pse habitemi edhe tash, pas afro 30 vitesh, për nivelin dhe cilësinë e përçudshme të Lirisë shoqërore dhe lirive tona individuale.
Diktatori Enver Hoxha e zombifikoi shoqërinë. Procesi i dezombifikimit të njeriut shqiptar, po rezulton mision i pamundur. Ka zënë rrënjë sindroma e mazokizmit (ëmbësia e papërballueshme e dhunës).
Shoqëria shqiptare ka nevojë për terapi intensive psikologjike e psikoanalitike, si minimum, për nja 10 vjet, derisa ta nxjerrë jashtë parzmit statuetën e diktatorit, që e ndryn në fshehtësi e xhelozi thellë vetes. Ndarja me të dhe me ngjashmëritë e Statujës (dhe statuetave) të diktatori, – ja pra ku qëndron problemi i thellë dhe enigma e vështirë e botës së ngallmuar shqiptare!/KultPlus.com