5 Mars, 2020 - 7:32 pm
Nga: Ago Nezha
Para disa ditësh u nda nga jeta shkencëtari i shquar i bujqësisë shqiptare, Profesor Ahmet Osja. Shqipëria humbi një personalitet të përmasave Europiane, një njeri të madh, një shkencëtar, qytetar, mendimtar e atdhetar shembullor, që rrallë i gjen në mjedisin tonë intelektual. Njerëz të tillë janë perla në gjirin e shoqërisë. Ky personalitet me cilësi të veçanta, që ishte i njohur jo vetëm në fushën e bujqësisë dhe të shkencës agronomike, por edhe në fushën e historisë, letërsisë, shkencave shoqërore, iku pa u ndier, në opinionin shoqëror dhe atë shtetëror. Ahmeti, nuk ishte një njeri i zakonshëm, por një shkencëtar që kishte kryer dhe detyra të larta shtetërore si Ministër i Bujqësisë, deputet I Kuvendit, drejtues institucionesh shkencore dhe të gjitha këto vlera të çmuara nuk sensibilizuan as organet shtetërore dhe ato shoqërore. Ministria e Bujqësisë, duhej të tregonte vëmendje të veçantë, pasi kontributi i tij në sektorin e bujqësisë ishte i pakrahasueshëm me asnjë ministër në vitet e demokracisë, që kanë ngrohur karriget dhe kanë mbushur xhepat e tyre, ndryshe nga profesor Ahmeti, që bënte një jetë tepër modeste dhe për kapital la pas një shtëpi dy dhoma e një kuzhinë në Shkodër që brenda vetes mban një bibliotekë personale që do ta kishte zili çdo intelektual i shquar i vendit. Edhe mediat e shkruara dhe vizive ku Ai, pati shkruar dhe ishte intervistuar e thirrur në studio disa herë, nuk shkruajtën apo linçuan një episod nga jeta e tij plot aktivitet e kontribut të veçantë në fushën e bujqësisë, e më gjerë. Pa dashur këtu të përmend një të ashtuquajtur “Shoqata e gazetarëve të Bujqësisë”, me pseudo gazetarë, që duhej të sensibilizonte opinionin shoqëror edhe për faktin se profesor Osja e ka frekuentuar atë shoqatë fantazmë duke ardhur me tren, kur kishte tren, e më vonë me mikrobus, duke përcjell ide e mendime të vlefshme për bujqësinë në veçanti dhe për kulturën e ekonominë në tërësi. Shkencëtari, dijetari dhe patrioti zemërzjarr për vendin e vet, Ahmet Osja, qëndronte në panteonin e njerëzve të shquar jo vetëm të bujqësisë, por të komunitetit të intelektualëve më të zëshëm të Shqipërisë. Një shoqëri si e jona që nuk ka hierarki vlerash dhe nuk nderon jetën dhe veprën e njerëzve të shquar të kombit, është e destinuar të humbas shkëlqimin e saj, jo vetëm brenda vendit por dhe në arenën ndërkombëtare. Mediat në tërësi, kanë humbur rolin e tyre informues dhe kanë marrë profil komercial. Shumë pak medie gjen të pozicionuara për të pasqyruar vlerat kombëtare pa anësi, e me vërtetësi. Ndahet nga jeta një sportist që ka shënuar disa gola, apo një këngëtar që ka kënduar disa këngë dhe mediat nuk pushojnë së shkruari dhe së foluri. Ndërsa për një shkencëtar të përmasave të Ahmet Osjes, që ka krijuar hibride gjenetike të misrit, së bashku me kolegun e tij dijetarin Hysen Laçej, që janë shënuar rezultate të larta në prodhimin kombëtar, ku kanë tejkaluar rendimentet dhe në vendet më të zhvilluara të Europës, nuk shkruhet e as thuhet asnjë fjalë për gjenialitetin e tyre shkencor. Këtu nuk ka xhelozi, pse rropaten mediat pas një futbollisti që bëri një gol apo pas një këngëtari që këndoi një këngë, por duke injoruar personalitetet shkencore tregon se shoqëria ka rënë në prehrin e vulgaritetit provincial, që ka asfiksuar hierarkinë e vlerave.
Në librin tim “Shtëpia në amfiteatrin e pemëve”, me skica, portrete dhe reportazhe për njerëz të shquar të bujqësisë, kam një skicë kushtuar Ahmet Osjes, që titullohet: “Mik i mirë”. Të gjithë ata që e kanë njohur Ahmet Osjen dhe që janë të shumtë nga të gjitha shtresat e shoqërisë, në të gjithë Shqipërinë, flasin me një vlerësim të veçantë për dijet, kulturën, komunikimin, patriotizmin dhe modestinë e tejskajshme.
Kush ishte Ahmet Osja dhe si e kujtojnë miqtë, shokët dhe fshatarët në të katër anët e vendit, pasi Ai, si rrallë kush e kishte shkelur Shqipërinë cep më cep, duke mos harruar asnjë fshat të saj, po e prezantojmë me disa përshtypje të miqve dhe shokëve të tij.
Mik i të gjithëve
Njeriu në jetë ka shumë miq. Miq që vijnë nga burime të ndryshme. Filozofia e urtë popullore e shpreh me fjalët: “Më mirë një mik, se një çiflig”.Në teatrin e jetës, miqtë shfaqen si meteorë dhe pa u kuptuar zhduken.Një mik që lëviz në hapësirat e mëdha të shoqërisë njerëzore, nuk shuhet kurrë. Një mik që notonte në detin e miqësisë së pafundme, e ky ishte Ahmet Osja. Një personalitet i veçantë që kishte shumë miq. Miq nga të gjitha lartësitë. Miq nga fshati, miq nga qyteti. Miq fshatarë, miq intelektualë. Një sinonim i miqësisë. Ai jepte dhe merrte miqësi të pakufishme si një serrë diellore. Mikun zgjidhe më mirë se veten. Siç shkruan persiani i madh Sadiu: “ Një mik më të mirë se veten kërko, po qe si t’i, nuk ke çe do”. Ahmeti, ishte ndër ata miq, që nuk kursente dijet, këshillat, ndihmën kur miku ishte në vështirësi.
Ishte nga ata miq që sakrifikonte veten për të tjerët. Ishte një mik me mendje brilante, zemër të kristaltë, me karakter të brishtë. Një mik që të flet hapur, ai është mik. Kishte një ndershmëri shtatore. Një patriotizëm vetëmohues. Një dashuri arbërore. Një kulturë admiruese. Një sakrificë rrëqethëse. Një modesti emblematike. Një atdhedashuri flijuese. Një njeri që dhuronte dashuri, mirësi e lumturi të tjerëve dhe s’kërkonte shpërblim prej tyre. Një njeri që nuk e njihte grindjen, mërinë, armiqësinë. Një njeri i thjeshtë, përtej thjeshtësisë. Një krenari kombëtare deri në fisnikëri. Një njeri që lumturia e të tjerëve e bënte të lumtur. Shkodrani Ahmet Osja, ishte lajmëtar i paqes, i dashurisë, i miqësisë njerëzore. Me fjalën e tij ëmbëlsonte çdo helmatisje të bisedave mes kolegësh dhe bashkëbiseduesish. Me kulturën e tij të rrallë ndriçonte çdo problem historik, kombëtar, artistik e profesional. Ai, ishte njeriu që dinte të notonte në oqeanin e diturisë, në të gjitha thellësitë e dijes. Njeriu që s’mbytej kurrë, as në cektësi, e as në thellësi. Notonte njëlloj, në lumë, në liqen, dhe në detin e bisedave intelektuale dhe shoqërore. Ai komunikonte natyrshëm, si me të moshuarit ashtu edhe me të rinjtë, me gratë dhe fëmijët. Njeriu që ishte kudo, i barabartë dhe i mirëpritur si pjesëtar i familjes, në çdo cep të Shqipërisë. Njeriu që i thonin kudo mirë se erdhe.
Në jetën e tij tepër aktive, mbahet mënd si njeriu që më shumë ka bërë mirë për të tjerët, sesa për veten dhe familjen e tij. Lumturinë e vet, e maste çka bërë ai për miqtë, shokët e përparimin e vendit. Me dashurinë e tij vullkanike nuk bënte dallime, krahinore, qofshin ata verior, jugor, apo Shqipëria e mesme,katolik, mysliman apo ortodoks. Kudo dhe për këdo, dhuronte miqësi, dashuri e respekt të pakufishëm. Kur rrije pranë tij, Ai, të çlodhte, të mrekullonte dhe optimizonte me ide e mesazhe për jetën. Sa më shumë të rrije pranë tij, aq më shumë e zbuloje botën e tij të pasur shpirtërore. Ishte i palodhur dhe i kudondodhur. E shije të përcillte dashuri e respekt me fshatarin më skajor, qytetarin modern, intelektualin bashkëkohor, dijetarin mendjendritur. Ishte kjo arsyeja, që kudo ku shkonte Ahmet Osja, nga Vermoshi në Konispol, e donin dhe e respektonin me nderimet më të mëdha dhe e prisnin si birin e tyre të zemrës. Ishte puna, fjala dhe sjellja e tij, që Ai, ishte bërë mik i të gjithëve. Në arkivin e tij të korrespondencave do të gjesh një mozaik letrash të viteve, të zonave dhe autorëve të niveleve të ndryshme. Ai, dinte të komunikonte me politesë me të gjithë shtresat dhe kategoritë shoqërore. Me fshatarin, ishte fshatar, me intelektualin, intelektual, me diplomatin, diplomat, me historianin, historian; ishte i gjithanshëm. Ishte një shkencëtar që i ka dhënë shumë prodhimit kombëtar, por, që s’ka përfituar asgjë për vete. Ahmet Osja, në tërë jetën e tij kontributive, nuk ka synuar të ketë pasuri, prona, para, privilegje, në asnjë rrethanë shoqërore, politike apo shtetërore. Ai i gëzohej pasurisë kulturore. Kënaqësinë e gjente në bibliotekën e tij shumë të pasur, ku argëtohej pa u lodhur, këshillohej pa u mërzitur dhe mësonte pa u fyer. Lodhej duke punuar, çlodhej duke mësuar. Ishte tepër energjik, i papërtuar, jashtë luksit e komoditetit që është bërë modë e kohës së sotme. Si askush tjetër merr rrugën me tren nga Shkodra në Tiranë dhe frekuentonte institucionet kulturore, shkencore, botuese apo historike, për tu njohur me literaturën bashkëkohore. Kur i dhuroje një libër Ahmetit, Ai, s’pushonte së falënderuari sikur t’i kishe dhuruar thesare. Me angazhimin e tij të papërtuar, sfidonte moshën, vitet e mundimshme. Shkruante e botonte artikuj në gazeta, revista e buletine shkencore. Botonte libra, mbante kumtesa dhe merrte pjesë aktive në simpoziume shkencore, veprimtari kulturore e konferenca pune. Gjithçka e bënte me përkushtim, pa shpërblim. Ishte tejet idealist dhe aspak materialist. Duke e parë me syrin e kohës që jetojmë, ai ishte tjetër njeri. Figura kaq të përkushtuara të patriotizmës e privacioneve personale, i gjen rrallë në kohën e sotme. Ahmeti ishte, njeriu që nuk ndryshoi kurrë karakterin dhe sjelljen, kudo që shkoi. Ai, shfaqej njësoj kudo, si shkencëtar në Institutin e Misrit dhe Orizit në Shkodër, deputet i kuvendit, Ministër Bujqësie. Komunikonte si i barabartë pavarësisht nga hierarkia shtetërore. Shokët, në çdo pozicion që kaloi, nuk i ndërroi. Përgëzonte çdo autor që nxirte në dritë një botim të ri. Çdo gjë që shkruhej e botohej, e quante një tullë në godinën e kulturës kombëtare. Për thjeshtësinë, mençurinë dhe madhështinë e tij, flasin qëndrimet dhe prezantimet që ka bërë në momentet kulmore të jetës hierarkike. Mjafton të kujtojmë dy episode të karrierës së tij pushtetare. Kur erdhi Ministër i Bujqësisë, në kabinetin e Qeverisë së Stabilitetit, ishte ndër të vetmit ministra që refuzoi të marrë armë. Përgjigja ishte: “unë e kam armën që më duhet, stilolapsin”.Momenti tjetër ishte se nuk pranoi shoqërues, sipas protokollit shtetëror. Argumenti që paraqiti, ishte fare i thjeshtë: “ Nuk ka ç’më duhet shoqëruesi, nga kush do më ruaj, nga populli im”. Unë s’dua barriera. Ai do të më takoj dhe unë dua ta takoj, që të komunikoj për hallet dhe shqetësimet që ka sektori i bujqësisë. Dhe tejet modestia dhe patriotizmi i tij del në pah pabesueshmërisht, që gjatë kohës që ishte Ministër i Bujqësisë, vinte nga Shkodra në Tiranë me tren dhe asnjëherë nuk pranoi që të merrte makinën e ministrit për të udhëtuar drejt familjes në Shkodër në ndonjë fund jave. Brenda kësaj filozofie, Ahmet Osja ishte njeri i veçantë, me cilësi morale të rralla dhe me një zemër të madhe që e bënte një mik të mirë për të gjithë. /KultPlus.com