Aj llov ju Hashim Thaçi

12 Maj, 2020 - 10:39 pm

Shkruan: Arben I. Kastrati

Leximi i biografisë së Z. Thaçi në kohë pandemie, nuk është i preferuar. Sidomos për ata që e kanë tensionin e lartë të gjakut, sepse në libër ka shumë të pathëna.

****

Për herë të parë, Hashim Thaçin e kam njohur kur filluam “të rronim paralelisht”, apo siç thuhet në gjuhën tonë të bukur, të rronim “underground”. Ai ishte një djalë i hollë, i gjatë, i ndrojtur, fjalëpak. Mblidheshim, debatonim dhe merrnim vendime për mënyrën e organizimit të sistemit paralel arsimor të Kosovës.

Në atë kohë, ne mendonim dhe besonim që po bënim punë të mëdha. Doli që sistemi paralel të ishte dështim i madh. Sepse nga ai sistem, dolën gjenerata analfabetësh të diplomuar të së sotmes.

Pas shumë takimeve ilegale, Hashimi (se atëherë ashtu quhej) u zhduk. Që Z. Thaçi të shfaqej me uniformën e UCK-së. Akti i tij, na la pa fjalë. Ai po bënte detyrën që i takonte çdo qytetari, po luftonte të mbronte atdheun. Ndërkohë që ne të tjerët, ishim shndërruar në një shoqëri makiatopirëse, që vegjetonte dhe redaktonte politikën globale në kafenetë e tymosura…

Këto të dhëna janë të sakta dhe nuk gjinden në libër.

****

Djaloshi i gjatë, i ndrojtur dhe fjalë pak, e udhëhoqi luftën dhe paqen, thuhet!! Në libër nuk thuhet që, pa mëdyshje, Z. Thaçi u bë Kryepersonazh i Kosovës tridhjetë vjet radhazi. Ashtu siç nuk thuhet që, shumë njerëz, por shumë njerëz, të të gjitha shtresave, gjinive dhe profesioneve, i janë vardisur skajshmërisht shumë ndër vite, dhe vazhdojnë t’i vardisen paturpësisht edhe tani, madje edhe më shumë. Disa, shkuan aq larg, sa që e krahasuan me George Clooney-in e madje edhe me Geroge Washington-in. Siç nuk thuhet në libër që, Kryepersonazhi ynë, të gjithë servilët i ka shpërblyer me mirëqenie për kontributet e dhëna në servilizëm, e sidomos i ka shpërblyer ata që janë marrë me kurimin e imazhit të tij. 

****

Shumë vite më parë, në një tubim shqiptarësh në New York City, një nga pjesëmarrësit e filloi fjalimin e tij me një citat: sic ka thënë i madhi Xhorxh Vashinton Brixh, më mirë është mos me dhënë asnjë arsye se me dhënë një arsye të keqe…

Ashtu edhe George Washington Bridge ynë, si Kryepersonazh që ishte (dhe ngelet), në jetën e tij dha arsyet e tij, që ishin tri qullime: ta clirojë Kosovën, ta pavarësojë Kosovën, të bëhet kryeministër, të bëhet president, dhe e treta, të ngelet n’kurrige përjetësisht. Edhe duhet të ngelet. Mbetshi përjetë president, Z. President.  Askush nuk e meriton pushimin presidencial më shumë se Ju. Askush.

Këto të dhëna, nuk gjinden në libër.

****

I dashur President

Shpresoj ta lexosh këtë shkrim timin. Sepse kam shumë nevojë të ma mbështesësh një projekt. (Ose të ma gjesh një vend pune, kudo: qoftë në Ambasadën e Kosovës në Francë, qoftë në Ambasadën e Kosovës në Austri. Zgjedhjen po ua lë ta vendosni Ju. Sepse zgjedhjet Tuaja, asnjëherë nuk kanë qenë të gabuara).

Zoti President, më lejoni ta përfundoj këtë letër, duke thënë një të “vërtet sekrete”, që Ju, mbeteni idhulli im i përhershëm.

Faleminderit që ekzistoni.

Me respekt

Arben I. Kastrati

P.S.

Zoti President, mos më harroni. Sepse Ju dini të harroni nganjëherë. U thoni këshilltarëve t’jua kujtojnë shkrimin, sepse asnjë punë tjetër nuk bëjnë.

****

Dhe një gjë të fundit Z. President

Një shkrimin që kam pas shkruar dikur moti, për Ju!!! Më besoni që kam qenë i dehur. Nuk kam qenë vetja ime. Kam qenë dhe i manipuluar. Edhe sot e kësaj dite ndjejë turp për atë shkrim. Ju kërkoj falje qindra herë.

Ju jeni gjigand. Dhe brenda madhështisë Tuaj, Ju lutem të gjeni vend për t’më falur. Vetëm njerëzit e mëdhenj falin, do të thoshte Xhorxh Vashington Brixh.

Sa turp që kam. Sa shumë turp…

Me respekt…

****

Dhe një gjë të fundit Z. President por përfundimisht të fundit, dhe shumë të sinqertë:

Vazhdimisht dëgjojë njerëzit të thonë: “Ky është viti i fundit i Hashimit”. Unë vazhdoj t’ju them “besimtarëve optimist”, që vazhdimisht përsëriten duke thënë të njëjtën gjë, që njëzet vjet radhazi, Hashim Thaci nuk bie, sepse qëndron lart mbi ata të shumtë që ka vënë përfundi ndër vite.

Edhe mirë jau ke bërë.

****

Gati harrova. Albini ish pis. /KultPlus.com

Të ngjajshme