6 Mars, 2021 - 1:18 pm
Nga Feti Tunuzliu
Në jubileun e 26 vjetorit të vdekjes.
Më 10 mars 1995 Kosova dhe shqiptarët humbën një nga zërat më me peshë të shekullit XX.
I lindur para 85 vitesh, më 26 qershor 1936 në Krumë të Hasit (Shqipëri), arsimin fillorë dhe të mesëm prof. Zajmi i kreu në Prizren, ndërsa të tri shkallët e studimeve juridike në Beograd.
Juristi i sapodiplomuar gjatë tri viteve fillimisht punoi gjyqtar e pastaj kryegjyqtar në Gjykatën e Rrethit të Prizrenit. Në vitin 1961 kaloi për asistent të lëndës E drejta kushtetuese në Fakultetin juridik-ekonomik në Prishtinë ku u rreshtua ndër pishtarët universitar të drejtësisë. Viteve 1963-1967 ishte Sekretar i Kuvendit të Kosovës, ndërsa gjatë viteve 1967-1981 u rikthye në Fakultet për profesor të lëndës Sistemi politik.
Një digresion: nën siglën “Fakulteti juridik-ekonomik në Prishtinë” ky institucion i lartë në thelb ishte instaluar me Ligjin e Serbisë në vitin 1961 i cili e sanksiononte si person juridik dhe pjesë të Universitetit të Beogradit. Me themelimin e Universitetit të Prishtinës në vitin 1970, i njejti sakaq iu bashkua këtij Universiteti. Por, fillimviteve të 90-ta, “Tempulli i Dijes” u polarizua etnikisht si: Universiteti në Prishtinë me mësim në gjuhën shqipe dhe Universitet u Pristini me mësim në gjuhën serbokroatishte. Tani, Universiteti “Hasan Prishtina”, është i pari, më i vjetri Universitet Publik në Kosovë dhe më i madhi ndër shtatë sish, sa numron sot Republika jonë.
Gjatë harkut kohor 1961-1981, (hiq vitet 1963-67), prof. Gazmendi dha kontribut të çmuar në arsimin juridik me prurje juristësh universitar e pasuniversitarë shqiptarë, titullarë të ardhshëm funksionesh në legjislativ, ekzekutiv, administratë, etj. në instanca të ndryshme shtetërore.
Kryeprotogonisti ynë ishte edhe në pozita të ndryshme dhe ushtrojë detyra të ndryshme. Ndër to veçojmë: Rektor i Universitetit të Prishtinës; Kryetar, nënkryetar dhe sekretar i ASHAK-ut; Prodekan i Fakultetit juridik-ekonomik; Kryetar i Shoqatës Krahinore të Pedagogëve Universitarë të Kosovës; Kryetar i Shoqatës Krahinore të politikologëve; anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shoqatave të Shkencave Politike të Jugosllavisë ; anëtar i Redaksisë së Enciklopedisë politike në Beograd; Kryetar i Bashkësisë së Universiteteve të Jugosllavisë; anëtar i Komitetit të Përhershëm të Konferencës së Rektorëve të Europës dhe i Akademisë Europiane të Shkencave në Strazburg.
Sado që tërhoqi vëmendjen e figurës kolosale dhe intelektualit guximmadh, sikur nuk del në dritë mjaftueshëm kontributi i tij i madh në shërbim të çështjes së Kosovës dhe mëvetësisë së saj që është për t’ardhur keq. Por, vepra madhore që ka lënë pas nuk lejon dot të zbehet imazhi i këtij dijetari të fushës juridike, burrit qëndrestar, dinjitoz e fjalëngrohtë, model i tolerancës, virtytit e patriotizmit. Thesari i kulturës dhe individualiteti i tij si dy binome, ishin shkrirë në një. Sikur ishte zhdukur kufiri mes kulturës së pranuar nga të tjerët dhe asaj që buronte prej tij.
Akademiku i nderuar shpërfaqte kulturë poliedrike pambarimisht përshtypjelënëse nga puna entuziaste e sistematike që nga bankat e fillorës deri kur iu rëndua sëmundja. Me mendësinë përparimtare properëndimore dhe bagazhin e pashterueshëm, penetroi ndër figurat emblematike të arsimit te lartë dhe preku majat e shkencës juridike. Krijoi një aureolë duke rrezatuar dashuri njerëzore, sens mendimi, gjuhë brilante, shprehje plot timbër dhe stil të lartë. Ndiqej vëmendshëm nga auditorët studentorë dhe jostudentorë. Kush ka patur fatin të përcjell ciklet e leksioneve nga sfondi i sistemit politik dhe të lexoi krijimet e dhuruara me buzagazin, mirësinë dhe fisnikërinë e tij e admironte për vlerat e veçanta të intelektualit erudit.
Jam njëri ndër mijëra studentë të profesorit që la gjurmë të thella e të pashlyera në memorjen time. I ruaj ende, do thosha me xhelozi, shënimet nga ligjëratat e Sistemit politik. Ndonëse 67 vjeçar, ende i kujtoj me nostalgji edhe konceptet e qarta të tij për këtë shkencë. E në kapërcyell të dekadës së gjashtë, përllogaritur nga viti akademik 1977/78 kur isha apsolvent, profesori përplot energji pozitive që bënte mësim shumë pasionant, ngel ndër ata pak pedagog të plejadës elitare të juridikut të asaj periudhe, kur parakalojnë emrat e respektuar si: Bardhyl Çaushi, Ejup Statovci, Esat Stavileci, Faik Brestovci, Ismet Salihu, etj.
Akademik Zajmi do të shquhet si personazh influencues në historinë më të re politike kosovare, që nga viti 1968 kur performoi natyrshëm me urtësi dhe menquri gjatë shqyrtimit të amandamenteve duke hedhë dritë në pozitën e rëndë të popullit shqiptar dhe nevojën e avancimit të pozitës kushtetuese të Kosovës. Në këtë kohë pazakonshmërishtë të rënduar ishte intelektual model që i ishte blatuar idesë së zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe mëvetësisë së saj mbi bazën e vullnetit politik të shumicës shqiptare përmes promovimit të pluralitetit të kërkesave për: “Republikë”,“Vetëvendosje shqiptarëve”, “Kushtetutë”, “Universitet”, etj.
Kjo shumësi kërkesash mbështetej pa ekuivoke edhe nga figurat e botës shkencore, akademike e intelektuale të Kosovës: Ali Hadri, Fehmi Agani, Dervish Rozhaja, Syrja Pupovci, Mark Krasniqi, Bardhyl Çaushi, Ramadan Vraniqi, Rezak Shala, etj. Por, ç’e do kur ato fillimisht mbetën fluskë sapuni ngase autoritetet e larta shtetërore të kohës i refuzuan njëzëri.
Si njeri i grishjes për avancimin e çështjes së Kosovës dhe mëvetësisë së saj, afërmendsh se kërkesat e shpalosura nga prof. Zajmi përputheshin me ato të demonstruesëve të 68-ës që vulosën historinë më të re politike të Kosovës. Disa sosh derivonin nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) dhe burimisht ishin në linjë me bashkimin kombëtar. Ç’është e vërteta, ato përkonin me Programet e organizatave ilegale kombëtare shqiptare të kohës.
Tok me kërkesat “Duam Republikë”, “Duam Kushtetutë”, që prevalonin në demonstratat e 68-ës, qytetet kosovare buçisnin edhe nga një varg brohoritjesh: “Duam vetëvendosje deri në shkëputje !”, “Duam bashkimin e Preshevës … me Kosovën”, “Poshtë politika kolonialiste ndaj Kosovës !”, etj. Duke nëpërkëmbur këtë korpus kërkesash, qarqet zyrtare të kohës i cilësonin kundër: “Vëllazërim-bashkimit të popujve në Kosovë dhe Metohi”, “socializmit vetëqeverisës”, “rregullimit kushtetues të Jugosllavisë”, “interesave të popujve, krahinave dhe Jugosllavisë”, etj.
Të shpërthyera nën peshën e rëndë të vuajtjeve të shqiptarëve, demonstratat e 68-ës, megjithatë pashmangshëm patën një impakt dhe ishin prelud për zhvillimet që pasuan. Kështu, viti 1969 shenon një farë avancimi të pozitës kushtetuese të Kosovës. Kuvendi shfuqizoi Statutin e Kosovës dhe miratoi Ligjin kushtetues; shqiptarët fituan të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare; emërtimi “Krahina Socialiste Autonome e Kosovës” hoqi termin Metohija; në vitin 1970 u themelua Universiteti i Prishtinës. Në vitin 1974 u miratua Kushtetuta e Kosovës e cila sanksionoi Kosovën pjesë përbërëse të Federatës së ish-Jugosllavisë; territori dhe kufijtë e Kosovës nuk mund të ndryshonin pa pëlqimin e saj; Kosova kishte të drejta dhe detyra në organet e administratës të njejta me ato të ish-republikave jugosllave; merrte pjesë në Federatë për t’i përfaqësuar interesat e veta; përfaqësohej në Kuvendin e ish-Federatës, në Kryesinë e Jugosllavisë, në Këshillin Ekzekutiv Federativ, në Gjykatën Federative dhe në Gjykatën Kushtetuese të ish-Jugosllavisë; Kosova barazohej me njësitë tjera përkitazi me çështjet e ndryshimit të Kushtetutës së ish-Jugosllavisë. Tutje, lejohej përdorimi transparent i flamurit kombëtar shqiptar dhe i gjuhës së njësuar shqipe; prosperoi veprimtaria shkencore, arsimore, kulturore, editoriale. Realizohej bashkëpunimi intensiv i Kosovës me Shqipërinë, etj. Në vitin 1975 themelohet Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Një epope më vete janë edhe demonstratat e 1981-ës, vitit kur akademik Zajmi rastisi të gjendej në postin e Rektorit të Universitetit të Prishtinës. Në këto demonstrata heret më të shpeshta u riartikuluan kërkesat që kishin mbërthyer demonstratat e 68-ës dhe një gamë kërkesash tjera: “Kosova Republikë”, “Duam Kushtetutë”, “Kosova – kosovarëve”, “Kushtetutë ja me hatër ja me lufte”,“Duam flamurin kombëtar”, “Duam statusin e popullit konstituiv në ish-Jugosllavi”, pra, që Kosova të bëhet republika e shtatë në Jugosllavi. Edhe demonstratat paqësore të 81-shit, qeveria jugosllave i kualifikoi kryeneqësisht: “armiqësore”, “destruktive”, “irredentiste”, “nacionaliste”, “kundërrevoluciore”, etj. Ndërkaq, populli shqiptar këto evenimente masive i emërtoi krenarisht me një spektër sintagmash të tjera: “Pranvera shqiptare 1981”, “Pranvera kosovare”, “Viti historik”, “Kryengritja paqësore”, “Rilindja e dytë kombëtare”, “Demonstratat e vitit të madh”, “Revolucion kombëtar”, etj. Egërsia e regjimit serbo-jugosllav rikulmoi me një bilanc tragjik dhe shpejtësi marramendëse: dhjetra demonstrues u vranë, qindra u burgosën për vepra penale e kundërvajtje dhe u shpall gjendja e jashtëzakonshme.
Mbështetjen e hapur që ia bëri demonstratave të vitit 1981 dhe përkrahjen e fuqishme që ia dha mesazheve të dala nga to, regjimi serb i përdori pretekst për shkarkimin e akademik Zajmit nga posti i Rektorit të Universitetit dhe pasojisht për dëbimin nga profesorati i juridikut.
Në vitin 1989 akademik Zajmi, ishte ndër bashkënismetarët, bashkautorët dhe nënshkruesit e “Apeli 215” me: Fehmi Aganin, Zekeria Canën, Ali Aliun, Rexhep Qosjen, Rexhep Ismajlin, Ramiz Kelmendin, Mark Krasniqi, Zenun Qelajn, etj. “Apeli 215” i titulluar kësisoj sipas numrit të parisë së intelektualëve shqiptarë që kishin firmosur atë, iu dërgua Kuvendit të Serbisë dhe opinionit jugosllav në mars 1989. Kuintesenca e tij ishte mbrojtja e pozitës kushtetuese të autonomisë së Kosovës e sanksionuar me Kushtetutën jugosllave (1974). “Apeli 215” i intelektualëve shqiptarë ngriti zërin ndaj sfidave të shëmtuara politike, ekonomike, sociale, nacionale, etj. të regjimit që po përthellonte krizën ku po kredhej populli shqiptarë. Këtë krizë, “Apeli 215” e përkthente: inflacion i lartë, papunësi e theksuar, vështirësi në shkollim e studime, greva për rritje të gënjeshtërt pagash, kushte më të mira pune, korrupsion, diferencim ideo-politik, mungesë mendimi dhe shprehjes së lirë, cënim i të drejtave e lirive, brutaliteti ndaj shqiptarëve, etj. Pra, pasqyrohej plot vërtetësi kalvari i jetës së shqiptarëve të sfilitur në përballje me egërsinë e krizave të gjeneruara nga regjimi serb. Duke etiketuar pamflet politik “Apelin 215” për tezat “armiqësore, nacionaliste, ekstreme”, regjimi gjakatar serb, në vend ndërgjegjësimi, solli në Kosovë tanke, autobinda, etj, ndërsa “apeluesit” i targëtoi. Në këtë realitet dramatik burgosjet dhe diferencimet për të pabindurit u shoqëruan lehtësisht me largim nga shkolla dhe puna.
Akademik Gazmend Zajmin preferoj ta quaja ideator të Deklaratës kushtetuese, referuar disa burimeve, ngase tek ai u ngjiz ideja, mendimi për përpilimin e saj gjatë përsiatjeve politike të tij. E kjo Deklaratë që gjeti jehonë gjithandej në Kosovë, në fakt, rrezatoi vullnetin politik të popullit shqiptarë që do të shprehte përcaktimin bazik politik për konsolidimin e ides së popullit sovran dhe të barabartë me popujt e tjerë në Jugosllavi. Përtej këtij vullneti që në fakt ishte lajtmotiv për projektimin e Deklaratës, në kurorizimin me sukses të saj, lanë gjurmë edhe ASHAK-u, partitë e reja politike, akademikët (Fehmi Agani, etj), profesorët (Bardhyl Çaushi, etj) dhe në përgjithësi shtresa intektuale shqiptare.
Me projektimin e kësaj Deklarate, akademik Zajmi, mjeshtërisht realizoi një vepër përmasash madhore, një mision sipëror juridik, politik, historik e kombëtar në procesin e përpjekjeve të shtetformimit në historinë më të re politike kushtetuese të Kosovës sipas një praktike unikale në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Që të rikujtojmë thelbin e Deklaratës parapëlqej që përciptasi të hedhim një sy prapa në tekstin e saj ku Zajmi shkruante: 1. “Me këtë Deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullësisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë; 2. “Ky Kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi … pret konfirmimin e këtij akti konstituiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë …”; 3. “ …shqiptarët si shumicë e popullësisë së Kosovës dhe një ndër popujt me numerik në Jugosllavi si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare); 4. “… deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amandamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989 me ç’rast anulohet Vendimi i Kuvendit të Kosovës, datë 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amandamente”; 5. “Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, … vetëm si Kosovë”.
Ky akt politik pleksur me qëndrim juridik, u lexua në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990 mbajtur jashtë ambienteve të Kuvendit nën vëzhgim të trishtë të forcave të rendit, ku u tumir me ovacione nga delegatët. Titulluar: “Deklarata kushtetuese për Kosovën e mëvetësishme dhe të barabartë në kuadër të Federatës (konfederatës) së Jugosllavisë si subjekt i barabartë me njësitë e tjera në Federatë (konfederatë), teksti 6 pikësh i saj u publikua në nr. 21 të “Gazeta zyrtare e KSA të Kosovës”, më 2 korrik 1990. Pasi ishte paraparë të hyjë në fuqi menjëherë, teksti i shpallur përfundonte me emrat dhe nënshkrimet e 111 delegatëve legal e të ligjshëm shqiptarë, boshnjak e turq, prezent në këtë mbledhje. Ndryshe, efekti juridik i kësaj Deklarate që historik dhe imediat duke iu atribuuar principit “lex posterior derogat lex prior” ngase “ipso jure” zhvlerësoi (derogoi) sakaq Rezolutën e Kuvendit të Prizrenit të 10 korrikut 1945 mbi bashkangjitjen e Kosovës “Serbisë federale” dhe Vendimin e Kuvendit të KSA të Kosovës të 23 marsit 1989 mbi dhënien e pëlqimit për amandamentet në Kushtetutën e RS të Serbisë. E disenjuar kësisoj, kjo Deklaratë impresionoi vëmendjen e shqiptarëve duke u cilësuar: “Dokument burimor i vetëpërcaktimit politik”; “Akt i vetëvendosjes demokratike”; “Akt i përfshirjes së barabartë të Kosovës në bashkësinë jugosllave me popujtë e tjerë të Jugosllavisë që ka karakter konstituiv”, “Akt i pavarësisë dhe barazisë”, etj. Ndërkohë që, disa e cilësonin “akt politik ilegal” për “përmbysje të dhunshme të rendit kushtetues”.
Po t’i hedhësh një sy dëshmisë së akademik Esat Stavilecit (1940-2015) para kolegjit të kushtetueses jugosllave më 7 shkurt 1991, veç tjerash, vëren edhe rolin dhe vlerat e akademik Zajmit lidhur me Deklaratën kushtetuese. “… kam pritur se në shqyrtim do të ftohen edhe përfaqësues të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe krijuesit dhe autorët e Deklaratës për pozitën kushtetuese të Kosovës, në mbështetje të së cilës dhe është përgatitur kjo Deklaratë Kushtetuese për Kosovën, si akademik Gazmend Zajmi”, ishte shprehur Stavileci.
Pa asnjë hamendësim, Zajmi do të mbahet gjatë në mend edhe si kryehartues i Kushtetutës së Republikës së Kosovës (“Kushtetuta e Kacanikut”), miratuar nga 111 delegatët e Kuvendit të Kosovës të pranishëm në seancën e 7 shtatorit 1990 në Kaçanik që pasoi Deklaratën kushtetuese të 2 korrikut 1990. Duke mbart në vetvete mjaft veçori kualitative, për herë të parë u kushtetuua Republika e Kosovës “shtet demokratik i Kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vet …”. U tha se: “Republika e Kosovës si shtet është anëtare e Bashkësisë së Jugosllavisë”. Sipas saj, “Sovraniteti në Republikën e Kosovës buron nga populli dhe i takon popullit” e që “realizohet përmes përfaqësuesëve të zgjedhur në organet e pushtetit shtetëror dhe me referendum”. Kryeligji vulosi deklarimin politik të Kosovës dhe të popullit shumicë që të jetë njësi e barabartë me republikat tjera në rendin e ri kushtetues federal apo konfederal. Kjo vetëkuptonte një shkëndijë, në rrugëtimin drejt idealit historik – bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Këtë Kushtetutë do e pasojë Rezoluta e Kuvendit të Kosovës e 18 tetorit 1991 mbi Republikën e Kosovës shtet i pavarur e sovran.
Zajmi nuk arriti me pa vitin 2008 për të cilin dha shumë. Ai nuk do të jetonte që të shihte të zgjidhur çështjen e statusit juridik të Kosovës – shtet të pavarur, definuar 22 vite pas vdekjes së tij me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës të 17 shkurtit 2008 të Kuvendit të Kosovës si akt sublim i historisë më të re të shqiptarëve të Kosovës. Ndryshe, pyetjen e nismës serbe: “A është Deklarata e njëanshme e Pavarësisë e marrë nga institucionet vetëqeverisëse të Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare ?”, e qartësoi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë me opinionin e 22 korrikut 2010: “Deklarata e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk cenon normat e së drejtës ndërkombëtare” !
Studiuesi Zajmi, kishte rolin parësor edhe në hartimin e “Deklaratës mbi çështjet kushtetuese të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës” të 14 qershori 1990.
Ndonëse pena e akademik Zajmit, la trashëgim një visar modest vlerash: katër monografi, rreth 30 artikuj e 10 kumtesa për 14 vite (1967-1981) të jetës së tij shkencore-profesionale, megjithatë, ato paraqesin pasuri nacionale me vlerë për pasardhës prej nga ata duhet mësuar.
Kryepersonazhi ynë për herë të parë në vitin 1967 solli para opinionit lexues dy shkrime, i pari: “Mbi aspektet dhe problemet sociologjike të urbanizmit dhe urbanizimit”, publikuar në nr. 7 të revistës për çështje kulturore dhe shkencore ”Përparimi” dhe i dyti: “Disa vrojtime përkitazi me bazat e autonomisë në sistemin tonë shoqëror politik të krahinave autonome në Jugosllavi”, publikuar nga Instituti për të drejtën krahasimtare në Beograd.
E veçanta e shkrimeve të viganit të historisë më të re politike kushtetuese në Kosovë është dedikimi i tij për tema të mprehta të ditës e të perspektivës. Kësisoj, joshin shkrimet që i përzgjodhëm: “Pozita e gjuhëve në Krahinën Autonome të Kosovës në periudhën 1945-1970”; “Aspekte teorike mbi gjuhën si një ndër faktorët e qenjes dhe të pozitës së kombësive“; “Nga flotantësia i mërgatës deri tek anglomerimi i saj etnik (nacional)”; “Çështja e Kosovës në kuadër të çështjes shqiptare si sfidë e madhe dhe madhore e kohës dhe ndaj kohës”. Ajo që më bëri mbresë të veçantë nga kredoja shkencore është se këto narrativa, Zajmi i përzgjodhi për trajtim të përshtrirë e të përthelluar për t’u avancuar në grada të larta shkencore. Kështu, derisa tema: “Barazia e gjuhëve në KSAK” i solli titullin magjistër të shkencave juridike, tema tjetër: “Mbrojtja dhe trajtimi kushtetues-juridik i gjuhëve të pakicave kombëtare në Europë në mes të dy luftërave botërore” i solli gradën doktor i shkencave juridike (1972). Së këndejmi, krijimtaria e larmishme shkencore e akademik Zajmit shtrihet në disa fusha të interesimit shkencor, sidomos në ate të gjuhës (barazia, etj), të pakicave kombëtare (pozita, etj), të autonomisë, të federalizmit dhe të mbrojtjes së të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Kosovës.
Akademik Esat Stavileci në librin “Çështja e Kosovës në veprën e Gazmend Zajmit” (1997), inter alia, transmeton përqasjen e akademikut Zajmi për çështjen e parimit etniko-territorial i cili kishte theksuar se: “nuk ekziston asnjë ligjësi objektive dhe as një kornizë socialo-psikologjike e përbashkët që këto dy individualitete të veçanta, Serbia dhe Kosova, tërësisht pra të ndryshme, për nga kompozicioni etnik i tyre, të jenë apo të vihen nën pushtet njëetnik, madje edhe sikur pushtetin njëetnik serb mos ta shquante fare brutaliteti i tij i sotshëm etnokratik”.
ASHAK-u botoi kompletin e veprave të tij në katër vëllime (I/1997; II/2001; III/2003; IV/2004).
Po të vërejmë me vëmendje emrin e të anatemuarit të regjimit okupues gjatë 14 viteve 1981–1995, ate do e ndeshim vetëm në ndonjë simpozium shkencor, siç ishte ai “Shqiptarët dhe Europa – dje dhe sot” mbajtur në Prishtinë prej 23-26 maj 1991, ku ishte deklaruar rreth vendimit të kushtetuesës jugosllave për “Kushtetutën e Kaçanikut”.
“Duke mos dëshmuar vendin, pozitën dhe rolin e vet të pazëvendësueshëm që ka në sistemin kushtetues, Gjykata Kushtetuese e Jugosllavisë në fakt është bërë bashkëpjesëmarrëse e drejtpërdrejtë e shkeljes së rendit kushtetues dhe juridik të Jugosllavisë dhe e krizës së thellë kushtetuese që është shtrirë në mbarë Jugosllavinë, për ç’arsye populli shumicë i Kosovës e sheh dhe e ndërton ardhmërinë e vet në bazë të Kushtetutës së Kosovës të shpallur me 7 shtator 1990 me të cilën Kosova deklarohet për pavarësi dhe barazi me njësitë e tjera në rendin federativ apo konfederativ të Jugosllavisë”, kishte thënë atëbotë akademik Gazmend Zajmi.
Zajmi ishte pjesëmarrës në Simpoziumin e prillit 1993 në Tiranë ku trajtohej “Çështja e Kosovës dhe e shqiptarëve në ish-Jugosllavi”, e cila duke pësuar metamorfozë dramatike po zhbëhej ne Jugosllavinë e kalbëzuar përmes luftërave shkatërimtare të dekadës së fundit të shekullit XX.
Duke përimtuar opinionin e vet me terma kushtetues, prof. Zajmi mohonte që Kosova ishte pjesë e Serbisë, referuar pozitës kushtetuese, siç shprehej ai, “hibride” të saj, ndërkohë që, pranonte qartazi të ketë qenë pjesë e federatës jugosllave. “Kosova nuk ishte pjesë e Serbisë, por si identitet politiko-territorial i vetvetes me Kushtetutë të veten, ishte njësi konstitutive – njësi federale e Federatës multinacionale të Jugosllavisë dhe vetëm si e tillë në bazë të prezumcionit konstitucional të interesit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë, ajo si “corpus seperatum” me sovranitet të vetin politik dhe kushtetues ishte dhe në kuadër të Serbisë”, shprehej ai.
Duke evokuar me pietet akademik Zajmin të shtojmë si ai qe dekoruar me: Urdhërin e Punës me Kurorë të Artë; Urdhërin e Vëllazërim-Bashkimit me Kurorë të Artë; Medaljen Presidenciale të Meritave; u shpall Anëtar Nderi i Universitetit të Prishtinës – post mortum.
Gjatë jetës së tij, Gazmend Zajmin e shoqëruan edhe pasionet. Thënë shkarazi, ai shkroi kompozime këngësh në tre vëllime dhe vargje këngësh të kompozuara në dy vëllime.
I vënë në mbrojtje të çështjes së Kosovës dhe mëvetësisë së saj, përtej dritësimit të sipërtreguar të rrugëtimit të prof. Zajmit, sepse dot nuk mëtojmë që ky shkrim nekrologjik ishte shterrues, akademiku model vendosi qetësisht veten në panteonin e dishepujve të historisë më të re juridike, politike, kushtetuese e kombëtare të Kosovës për çgjë i detyrohemi Atij shumë.
Gazmend Zajmi, thënë kushtimisht, ishte jetëshkurtër me që, pas një sëmundje të rëndë mbylli sytë në prag të 60-ave në Zagreb, siç tham, më 10 mars 1995. Më 10 mars 2021 bëhen 26 vite. / KultPlus.com