11 Nëntor, 2018 - 1:30 pm
Shkruan prof. Nasho Jorgaqi
Gjurmët e para të jetës së Nolit në Boston kanë të bëjnë me punën e tij në gazetën «KOMBI».
Tanimë kjo gazetë ka hyrë në histori, gjendet dhe në autobiografinë e Nolit, por në Boston, pas afro njëqind vjetësh gjurmë të saj zor se mund të gjesh. Të nesërmen në mëngjes, kur nis ia tregoj këtë Llukës, që vjen të më marrë më vështron i habitur dhe ngre supet.
– Zyrat e “Kombit” – i them – gjendeshin në rrugën Hudson, Nr. 100.
— Rrugën “Hudson” e di, po për të tjerat nuk mund të them gjë. Ngasim pa humbur kohë me makinën e tij, për të gjetur rrugën e «Kombit». Që ditën e parë më vijnë ndërmend fjalët e Nolit: “Gjezdisa gjithë Bostonin dhe i dija tërë udhët”. Këto udhë po nisnim të rrihnim dhe ne, po në mes hamendjesh dhe dyshimesh. Koha, në një vend si Amerika që ecën më shpejt se kudo, që rafshon e ndërton, që mbulon dhe përtërinë, ka bërë të vetën dhe në Boston. Kështu dhe rruga “Hudson”, ku vemi ka mbetur atje ku ka qënë, po ka ndryshuar fytyrë. Shumë gjëra kanë ndryshuar. Nuk ekziston gjëkundi ndërtesa nr. 100, ku gjendeshin zyrat e “Kombit” dhe punishtja që shtypte gazetën. Ka mbetur vetëm kujtimi i asaj kohe të largët që evokon Noli, kur thotë se ishte një bodrum i ftohtë e tërë lagështirë dhe ai tok me Eftim Naçin do ta shtypnin gazetën me një presë që punonte me këmbë. Po këtu më vonë do të shtypej «Dielli» dhe përsëri do të ishte Noli dhe Eftimi që do ta radhisnin.
Llukës i vjen keq që nuk arrijmë ta gjejmë ndërtesën Nr. 100, po për mua që dua të shkel në gjurmat e Nolit dhe dua t’i konkretizoj përfytyrimet e mia për ato vite më mjafton edhe pamja e rrugës «Hudson», ai imazh i gjallë që marrë me vete. Për muaj e vite këmbët e tij kanë shkelur në këtë rrugë. «Hudson-i» është rruga prej nga ai u nis për t’u bërë udhëheqës i shqiptarëve të Amerikës.
Puma dhe mendimet e Nolit të kësaj kohe janë fiksuar e dokumentuar në faqet e autobiografisë së Nolit dhe në letrat, që u ka shkruar miqve të Misirit. Hapet kështu një bisedë e tërë me Llukën, ndërsa shëtisim nëpër rrugën «Hudson». Gjatë 10 muajve që punoi në «Kombi», kalon ditë e netë plot përpjekje për të kapërcyer vështirësitë e e fillimit të ambientimit. Pozita e tij, vështruar nga afër është e ngatërruar, me batica e zbatica shpirtërore, gjithë shqetësime e kundërthënie. Nuk e ka të lehtë të ngulet, të zejë rrënjë në një vend, akoma mendon «të gjezdisë dynjanë», Po prapë kupton, se sado që lëviz këtu do të mbetet dhe duhet të mësojë gjuhën. Prandaj nga fillimi i gushtit hyn në shkollën një vjeçare të gjuhës angleze. Në Xhemstaun, ditët e para që kish arritur, kish takuar priftin protestan Artur Baldëin, mik i shqiptarëve, i cili e kish këshillua «Këtu ke Amerikën, me kulturën dhe idealet e saj. Përpiqu dhe përfito se janë të tuat».
Në këto rrethana, gazetari i ri nis nga puna. Në fillim Peci e pret ngrohtë e me dashamirësi, ka mendim shumë të mirë, aq sa e shpallë dhe në gazetë si «dëshmor të idesë përpara së cilës nuk vështron as rrojtjen e tij, që ka një shije shumë të madhe dhe thellësi mendjeje shumë të rrallë. Janë të rrallë mjerisht, për Shqipërinë, njerëz të tillë të cilët bashkë me patriotizmin kanë dhe dituri të plotë:
Bile pa arritur Noli në Boston, Peci i ka botuar në «Kombi” (17 korrik) fjalimin që ai ka mbajtur para shqiptarëve të Bufalos, me rastin e festës kombëtare të SH.B.A, ku thotë mes të tjerash: «Këngën e lirisë asnjë saze s’e lot dot përvecc dyfegjeve». Fjala mjeshtërore e Nolit ishte një flakë besimi e guximi që ai ndizte në jetën gati litargjike të shqiptarëve të Nju Englandit.
Kur vjen në Boston, ky djalë i zgjuar e plot talente nuk di ku t’i shpërndajë më parë mendimet dhe energjinë e tij. Ai e kupton që në krye, se detyra ia lyp që barrën kryesore të punëve ta mbajë vetë, vetë duhet të mendojë, vetë duhet të njohë dëëshirat dhe shqetësimet e shqiptarëve, vetë duhet të hetojë e qëmtojë probleme të ditës, t’i analizojë e sintetizojë, me një qëllim serioz dhe mendje të freskët, vetë duhet t’i ‘hedhë në letër, t’i rradhis, t’i shtypë, vetë duhet ta shpërndajë gazetën e të sigurojë të ardhura nga lexuesit. Të gjitha vetë, askujt s’i beson vecc vetes.
Në shtyp prezantohet me emrin Ali Baba Qyteza. Që ditët e para boton artikullin e parë, për një problem politik («Lëvizja islamike në Misir») ku fshikullon djallëzitë turke, dhe zbulon vlerat e tij jo të zakonta si gazetar. Pastaj vinë radhazi artikuj bombë «Detyra e parë», «O burrani», «Hanibal ante Fortes», «Autorët imoralistë», «Një Abe për gjuhën shqipe», ku gazetari i ri merret me disa nga problemet kyçe të lëvizjes kombëtare si ajo e bashkimit të shqiptarëve, i rolit të krerëve, e luftës së armatosur, e besimit në forcat e veta etj. Të gjitha këto, të shprehura me një mendje të re, me koncepte idealiste e qëndrime kritike, me një strategji largëpamëse, e ç’ka tërhiqte vëmendjen e opinionit, të shprehura aq qartë, thjeshtë dhe bukur —— «Unë flas për të gjithë — u drejtohej ai lexuesve —- dhe për miqtë dhe armiqt me çekan». Qëndrimi që mban është kritik, i ashpër, therrës, bile ndonjëherë dhe nihilist. Ai nuk do kurrësesi të pajtohet me Iitargjinë, pasivitetin, me arsyetimin prit të presim të shumë shqiptarëve të asaj kohe,që tërhiqen pas interesave vetjake. Këtë e ndjen dhe e shpreh, kur zbret në teren, shkon nëpër kolonitë e shqiptarëve dhe viziton konaket e tyre. Në fillim të vjeshtës, ai niset të bëjë pajtime për gazetën, shëtit në 17 fshatra e qytete, ku jetojnë afro 10.000 shqiptarë. Shkon në Uorçester e Konkord, në Nju Hamsher e Roklend, në Tilin e Penikull, në Bidford e Orgesto dhe në përfundim mbledh gjithsejt 25 dollarë! Këto ia dorëzon Pecit, duke i thënë i dëshpëruar: «S’bëhet punë kështu. As bëhet, as ka për t’u bërë. Kjo puna jonë s’ka as nisje, as fund». Aq shumë është zemëruar e revoltuar, sa bie në dëshpërim dhe këtë gjendje të rëndë shpirtërore e shpreh në një artikull pa titull, që boton menjëherë në «Kombi» (Nr. 11). Në këtë «udhëtim tragjik», siç e quan ai e ka tronditur jeta e rëndë e bashkëatdhetarëve, një jetë gati e kafshëruar, kur mendon që ata hanë bukë me ujë, flenë nga 15 veta në një konak dhe kanë rënë në një gjumë të thellë. «Zëri im, – shkruan ai pasi ka trokitur në derë të shqiptarëve dhe ata s’janë përgjigjur — qe si i atij, që bërtiste në shkretëtirë . . . Pyesja veten time, mos bëra lajthim dhe në vend të veja në konak shqiptar, mos vajta në konak kinezësh». I duket se gjendet në Polin e Veriut, kaq ftohtë e presin dhe kujton fjalët e një personazhi të Shekspirit: «Dua një dhaskal të mësojë gënjeshtra». Kërkon të pijë hashash, që të harrojë ato që ka parë dhe nga brenda i ngrihet thirrja: «Pse, kështu do ta bëjmë Shqipërinë?»
Artikulli, ngjalli pakënaqësi dhe zemërim, sidomos në rrethet patriotike. Shokët e Misirit e kritkojnë rëndë, por kështu dhe M. Grameno dhe Noli idealist nuk vonon të kërkojë falje. Është nxituar dhe e ka tepruar, nuk ka parasysh se taktika e luftës dhe propaganda e lyp ndryshe.
Peci është natyrë e përmbajtur, e kundërta e Nolit. Ndërsa i pari merret me punët e gazetës, kryesisht në zyrë, i dyti është njeri i veprimit. Kanë koncepte të ndryshme për mjaft gjëra, sido që frymëzohen nga i njëjti ideal. Prej kësaj fillojnë dhe kontradiktat, fërkimet, që ndihen në mes tyre, por që nuk i shfaqin publikisht. Gjendja shpirtërore e Nolit ndryshon, bie nga entuziazmi në dëshpërim. Do që të iki nga gazeta, të cilën «po e mbajmë me dhëmbë», por «më dridhet shpirti kur kujtoj se mund të kthehem në fabrikë». «Nuk më pëlqen Amerika — i shkruan Tashkos — këtu m’u shtrëngua shumë zemra. M’u nxi dynjaja. S’qenka Bot’e Re këtu, po botë ë fëlliqur».
Megjithatë, ai nuk e largon asnjëherë mendjen nga ideali patriotik, nuk shkëputet nga detyra që i kanë ngarkuar. Edhe pse tereni ku gjendet është plot vështirësi e vogëlima nga më të ndryshmet. Edhe pse shqiptarët e Amerikës janë të varfër. Edhe pse shqiptarët e pasur të Misirit e të Bukureshtit nuk ndihmojnë. Të gjitha këto i duken pengesa të kapërxyeshme para qëllimeve të shenjta të luftës. Ai mendon se ka «lindur për gjëra të mëdha» dhe se në vdekt, «do t’i vdesë më parë trupi, pastaj kurajua». ‘Prandaj kërkon hapësirë pune jashtë «Kombit», ku të mos pengohet nga politika e përmbajtur dhe hu-qet e Pecit, ku të jetë i lirë dhe zot i plotë i vetes. Por çdo veprim i nxituar mund të prishë punë, «Këtë borç ia kam Shqipërisë . .. Sapo gazeta të sigurohet do të iki. .. Në mos iksha duhet të vdes, kur nuk merremi dot vesh . . .».
Një gjendje e tallazitur, Noli akoma s’e ka gjetur vendin që duhet në mes shqiptarëve të Amerikës. Lypen dhe forma të tjera propaganda dhe armë të tjera lufte. Nuk mjafton vetëm gazeta. Mendja e Nolit është gjithnjë në kërkim. Pret rastin, pret ditën për ta shfrytëzuar. Bostoni, ku ka ardhur është terren i luftës së shqiptarëve. Vritet nga grekët në Selanik patrioti S. Kosturi, ai menjëherë mbledh 500 bashkatdhetarë, nga të cilët 300 janë grekomanë dhe u flet aq bukur sa këta të fundit «ikën me lot ndër sy». Me këtë rast sjellë dhe një kurorë me lule, sjellin dhe shqiptarët myslimanë! Noli i bëri për vete njerëzit, aq sa ata e quajnë atë «perëndi» dhe ai merr zemër. Hedh pastaj një hap të madh përpara, kur brenda disa muajve krijon shoqërinë «Besa—Besën» në Boston. Mbledhja themeluese bëhet në rrugën «Ëashington», në «Unity Hall». Kjo ndodhi në janar 1907, kurse në mars, ai arrin një gjë më të madhe ndërmerr një vepër historike, me përmasa kombëtare. Noli dorëzohet prift dhe realizon ëndrrën e aspiratën e tyre. Ndërkaq përpara se të bëhet prift i vë vetes për detyrë të martohet dhe nga Bostoni, jep e merr me dy kandidatet që i janë propozuar. Njëra është nga Sinica e Korçës, që banon në Nju Jork, po s’ka para, tjetra, me para, pret në Misirin e largët. Për disa muaj, kandidati për dhëndër është i shqetësuar nuk di ç’të bëjë deri sa vendos të mos martohet fare. Të gjitha këto halle i kalon këtu në Boston.
Pozita e Nolit në redaksinë e «Kombit» sa vjen e vështirësohet. Mospërputhjet në mendime me kryeredaktorin, fërkimet e herëpashershme, heshtja që mban e bëjnë gazetarin të mos ndjehet mirë dhe t’u ankohet shokëve të Misirit nëpër letra. «S’më rrihet këtu…» Ndofta nga «karakteri im …» Ndofta, nga që nuk e kuptojnë. Është i prekur që S. Peci nuk po tregohet mirënjohës ndaj tij. Në këto kushte, vendos të largohet nga «Kombi», pas dhjetë muajsh që ka punuar atje. Bën një bilanc të arritjeve të bëra gjatë kësaj kohe: shkroi dhe botoi në gazetë, rendi fshatrave për pajtime, mblodhi para për botimin e metodës së anglishtes së Pecit dhe pastaj e shiti, bëri konferenca, botoi dramën «Izraelitë e filistinë» Nuk u turpërova, po përkundrazi…» Në autobiografi nuk na i thotë të gjitha këto, vetëm pohon se jep dorëheqje për shkak të ngushticës ekonomike të Pecit, që s’mbante dot veten dhe jo më dhe ndihmësin e tij». Largohet nga Bostoni në maj 1907 dhe shkon për në Natick dhe aty mbledh shqiptarët dhe u mban një nga fjalët më të bukura, që i lë pamend. Pas kësaj kohe, emri i Nolit nuk shihet kurkund në faqet e «Kombit». Vetëm në gusht 1908 boton artikullin «Vigjëloni», ku fton shqiptarët të mos u besojnë xhonturqve. Një panegjirik për Skënderbeun, ia dërgon revistës «Albania» në Londërl
Ç’bëri Noli gjatë këtyre muajve deri sa u dorëzua prift? Kësaj pyetje u përpoqëm t’i përgjigjeshim unë e Lluka tek rrinim e bisedonim në një nga baret e rrugës «Hudson». Noli kishte hyrë përsëri në radhët e papunëve. Pamja e tij e dobët i linte punëdhënësit indiferent. Më në fund fillon nga puna me turne në një kompani teneqesh, por pas gjashtë muajsh «e braktis, sepse kish rrezik të aksidentohej ngaqë -e zinte gjumi mbi makinë. Prapë në mes të katër rrugëve deri sa erdhi në Amerikë Bajo Topulli. U ngarkua të shoqëronte atë dhe për tre muaj brodhën së bashku nëpr kolonitë e shqiptarëve, ku patrioti i shquar mbante konferenca dhe mblidhte ndihma për ccetat kryengritëse.
Muajt e parë të 1908 janë të mbushura me përpjekjet e fundit për t’u dorëzuar prift. Duke siguruar këtë detyrë të nderuar, Noli jo vetëm shkëputet përfundimisht nga «ombrella» e Pecit, po fiton një «pozitë të qëndrueshme e të pavarur. Tani e tutje, ai është’ «udhëheqës shpirtëror i tërë shqiptarëve ortodoksë të Amerikës së Sipërme e të Poshtme» dhe e ka selinë e vetë në 28 Park Square Boston. Në letrat që dërgon, në krye janë shtypur këto fjalë: Orthodox, Church of Albania «St. George» Rev. Fan S. Noli, Pastor, 28 Park Square».
Lluka më tregon se pas meshës së parë në «Kniht Hall» dhe mbledhjes për themelimin e Kishës së Shën Gjergjit në «Fenix Hall», shërbimet kishtare më vonë u kryen në një sallë të katit të sipërm të ndërtesës 227 në Tritment Strit. Kështu vazhdoi deri më 1922, kur u ble një kishë suedeze, në rrugën Emerald 20, që ishte një godinë e thjeshtë tre katshe, e cila mbeti kisha e shqiptarëve në Boston deri më 1948. Vetëm më 1949, me kujdesin dhe përpjekjet e pareshtura të Nolit, me ndihmën e gjithë shqiptarëve, u morë godina e një kishe protestane, e ngritur më 1872 dhe u bë Kisha shqiptarëve e Shën Gjergjit, kisha e sotme në rrugën «Broduej».
Kthehemi prapë te koha kur u vendos në Park Square 28 dhe nis t’i nënshkruaj letrat me fjalët Juaji me Krishtin + Fan S. Noli. Kur nis meshonte dhe predikonte çdo të djelë para bashkatdhetarëve të tij. Kur nis të përkthejë liturgjinë në gjuhën shqipe. Kur nis të shkojë e të bekojë nëpër shtëpitë e shqiptarëve. Kur vërtetë u bë prift, po për një njeri tepër të ndjeshëm dhe intelektual si Noli, veshja e rasës së zezë nuk kalon pa dramë të brendshme.
Kujtojmë faktin se vetëm disa muaj pasi është bërë prift, dhe ka marrë pamjen e mirëfilltë të klerikut me mjekër dhe mustaqe të zeza, ai në një moment sinqeriteti të thellë i shkruan Tashkos: «Fati i Shqipërisë zemërgurti . .. kam vendosur të tretem e venitem bashkë me kryqin që ka pa»‘ Po shpejt bëhet i ndërgjegjshëm se kjo rrugë duhet çuar deri në fund. «Kuptoj detyrën që duhet të mbetem se s’bëhet ndryshe». Dhe merr zemër kur kujton: «Jam prej një race luftëtare, zbres prej një brezi kapedanësh dhe e quaj për fricakëri të lë fushën e luftës dhe të ikinj . .».
Dhe po në të njëjtën letër nuk e fsheh krenarinë që i ngjallin disa fjalë lavdëruese të nënës, të cilat ai i kujton kur thotë: «Kam qiell, diell dhe dritë në trupin tim..Jam bir i perëndisë». Në fund e lë amanet se po të vdes ta qajnë me një këngë prej labërish e labëreshash.
Gjithnjë “tek rrrimë në atë bar të vogël në rrugën «Hudson» dhe u referohemi letrave të rinisë së Nolit, nuk mund të mos shfaqim habinë tonë për transparencën dhe sinqeritetin e tij, për atë natyrë të hapur ndaj Tashkos, të cilit gati i rrëfehet pa fshehur as mburrjen, vetbesimin në aftësitë e veta, ambicjet. Pastaj kujtojmë se më vonë, kur rrihet me jetën, nxjerr mësime nga pësimet, ai do të tregohet më i përmbajtur dhe i matur, deri sa në moshën 50 vjeccare, kur kthehet në Amerikë, s’do t’u besojë aq shumë njerëzve, do të pësojë një zhgënjim të hidhur dhe do të mbyllet krejt në vetvete. Gjithë mendimet dhe ndjenjat e tij do t’ua besojë librave, studimeve, filozofisë fesë, artit, botës që ai krijohen rreth vetes.
Me këto mbresa u larguam nga rruga «Hudson», për të kaluar me pas nëpër rrugën Tritment dhe pastaj në atë Emerald ku u përpoqëm të biem në gjurmë të jetës së Nolit në fillim të këtij shekulli.
Një natë më parë në shtëpinë e Llukës, si mbaruam së ngrëni darkë, ai hapi mbi tavolinë hartën turistike të Bostonit. Me një hartë të tillë pak a shumë isha rrekur dhe unë në Shqipëri të orientohesha nëpër qytetin ku kish jetuar Noli, por vetëm sa qeshë familjarizuar me planimetrinë e tij. Tani unë gjendesha para mundësisë që njohja ime të mos mbetej në letër. Për këtë kisha ndihmën bujare të një shqiptari të vjetër që e kish shkelur Bostonin me pëllëmbë.
— Vështro këtu — më thotë Lluka me sytë mbi hartë.
– Përpara kemi gjithë Bostonin e Nolit dhe që të njihet ai nga afër duhet shëtitur në këmbë e që të shëtitet në këmbë lipsen muaj, kur zotrote e ke kohën me ditë . ..
Duke parë hartën e duke biseduar, dashur padashur, zemë evokojmë përmbledhtas gjithë kohën e Nolit në Boston. Ai ‘kaloi këtu nga perëndimi në lindje, erdhi në Bufalo, në kufi me Kanadanë, buzë liqenit të famshëm Eri, në Brigjet e Atllantikut dhe u vendos në rrugën «Hudson».
Prej këndej nisën të gjitha rrugët e tij në Boston, për t’u sistemuar pastaj për dekada të tëra në një shtëpi në rrugën Ellagden 26.
— Ja vështro ku janë — më shpjegon Lluka në hartë.
— «Hudsoni» diku këtu në veri, «Bllagdeni», afër qëndrës së qytetit. Në mes të këtyre dy rrugëve shtrihej jeta bostoniane e Nolit. Më vonë, po ti marrim kronologjikisht, hyjnë në mes rrugë të tjera: rruga Tremont 227; që dredhon nga Jugu në veri ku Noli, kreu shërbimet fetare. Rruga Lohauz lidhet me shoqërinë «Bessa-Besën» që ai ngriti. Ja dhe rruga «Varenten» 86, ku shtypi gazetën «Dielli», diku pranë qëndrës.. Vështro këtu rrugën «Ëashington» 724, ku gjendej Hall Rathbon, ku u mblodh komisioni nismëtar me Nolin, Konicën etj, që shpalli në prill 1912 formimin e Federatës Vatra. Kurse në rrugën Compton 97 do të vendosen zyrat e Vatrës, ku Noli zgjidhet kryetar i saj.
Vështro këndej lartë – lumi Charles, matanë të cilit është Kembrrixhi që ndahet prej Bostonit nga lumi. Këtu gjendet Harvardi, ku Noli kreu studimet e para të larta. Përballë Kembrixhit, posht lumit Charles shtrihet qëndra e Bostonit. Ja, rruga Bllagden 26 ku Noli pati shtëpinë për afro tridhjetë e ca vjet dhe në krah të saj Biblioteka Publike. Pak më lartë jeshilon parku i njohur «Publik Garden» me liqenin në mes. Në brigjet e lumit Charlis ngrihet Universiteti i Bostonit, ku Noli studioi rishtazi, kurse më poshtë vjen Konservatori i Nju Englandit. Këndej nga perëndimi është plazhi, ku Noli bënte banjo ccdo behar. Ja dhe «Pjer Fori», limani numër kartër, ku gjendet restoranti i xha Andonit, tek i cili peshkopi shkonte me aq dëshirë. Nuk po të rëndoj me hollësi të tjera, se ku nxori «Revistën Adriatik» apo gazetën «Republika». As me ato vende, sidomos hotele, ku mblidheshin bostonianët shqiptarë dhe dëgjonin fjalën e udhëheqësit të tyre. As me vendet e bukura, ku organizoheshin pikniqet e famshëm të shqiptarëve, e ku Noli s’mungonte zakonisht. ..
Sytë e mi lëviznin nëpër hartë sa lartë poshtë, dhe ndërsa mundohesha t’i fiksoja e saktësoja përfundimisht vendet nolianle, nuk më hiqej nga mendja pyetja se ku qenë vendosur në Boston shqiptarët dikur dhe në kohën tonë. Lluka, sikur të m’i lexonte mendimet vijon më tej:
—Tani të vimë te bashkësia jonë këtu. Harta e pasqyron dhe të shkuarën dhe të sotmen e shqiptarëve, në Boston. Në fillimet e veta, për shumë vite shqiptarët banuan në zonën perëndimore, në mëhallën Uend. Kjo ishte mëhalla jonë, ke për të parë kur të vemi. «Në ditët tona, me përjashtim të atyre që gjenden në Samervillë, shumica kanë zbritur, në jug, gjenden në South Boston, atje ku banon zotrote. Këtu kanë kishën e Shën Gjergjit, zyrat e Lirisë» etj.
Të nesërmen e kësaj bisede, u ngritëm shpejt dhe morëm të shtegtojmë rishtaz nëpër rrugët e Bostonit. Lluka me makinën e tij dinte se nga do të shkonim. Përshkuam rrugën “Broduej” dhe dolëm nëpër ca rrugë të drejta të South Bostonit që kryqëzoheshin me njëra tjetrin. Këndej lëviznim ngadalë në mënyrë që të soditja panoramën për rreth. Ngado ngriheshin shtëpi 2-3 katshe, secila tipike bostoniane, me kopshte e oborre të hijshëm, sheshe, magazina, bare. .. Fytyra e një qyteti amerikan, po pa atë shkëlqim, zhurmë e gjallëri të pjesës së qëndrës. Këndej duket gati si rrethine e Bostonit, aq e qetë rrjedh jeta. Shtëpitë e shqiptarëve, që mi tregon Lluka nuk dallojnë nga shtëpitë e irlandezëve, polakëve apo çifutëve, të cilët banojnë këtu. Ata janë integruar plotësisht në jetën amerikane. Kështu dhe dyqanet, baret, kafenetë e tyre. E vetmja ngrehinë e shqiptarëve që duket nga jashtë është hoteli që mban emrin e shkruar me tabelë «Skënderbeu». Lokalet e tjerë me emra shqiptarë janë mbyllur dalëngadalë.
— Ja ky është plazhi i Bostonit të Jugut — më tregon me dorë Lluka tek kalojmë përgjatë rrugës bregdetare — Plazhi Ell-Strit ku vinte e lahej Noli për vit në behar. Këtu gjenden Shtëpia e banjave (Bauth Hause) dhe Qendra e shëndetit (Health center). Peshkopi e deshte shumë diellin. Dukej që kish lindur dhe që rritur në vende mesdhetare. Më kish qëlluar sa herë ta vështroja, bile dhe në pleqëri të thellë tek lahej ose thekej në diell. Kur dilte në rërë e rrethonin shqiptarët. Ishte rasti më i mirë për të biseduar me të. Prej tij veç mësoje!
Gjithë sa shikonim më atë mëngë deti ishte një plazh modem, me një breg të bukur, buzë Atllantikut që hynte thellë në gadishull. Kish një varg lokalesh, sheshesh, këndeve sportive dhe hapsira të lira. Përballë dukej pallati i njohur i Instituti Xhon Kenedi.
Pasi lamë prapa Bostonin e Jugut, morëm rrugën për nga veri-perëndimi, drejt qendrës së qytetit.
— Tashi po vemi në mëhallën e vjetër të shqiptarëve, mëhallë historike siç e quan Kostandin Demua në librin e tij, në Uest-Uend.
Ndërkaq dolëm në disa rrugë që i ngjanin njëra tjetrës, kaluam nëpër një urë, ngritur mbi kanalin Fort Boint dhe u kthyem nga perëndimi. Nuk u desh shumë dhe hymë në Uest-Uend./ KultPlus.com