Alda Bardhyli: Requiem për një grua prej qelqi

9 Nëntor, 2017 - 1:10 pm

Ajo ishte një grua prej qelqi. Ishte e pamundur të mos kërkoje ta takoje sërish pasi e kishe njohur, aty në apartamentin e saj në katin e fundit diku te 9-katëshet, të shndërruar prej vitesh si një skenë teatri. Që pas daljes në pension, ajo u tërhoq në këtë hapësirë të mbushur plot kujtime, portrete të mëdha në mure, ku shfaqet e bukur me rolet e saj apo duart që i shkëlqejnë teksa mban në dorë filxhanët e qelqtë të çajit, si sytë e saj.

Ajo ishte Drita Agolli.

Si një personazh i përkryer filmi tek ajo ishin bërë bashkë sharmi i një gruaje me bukuri natyrale dhe intelektualja e angazhuar herët jo vetëm në krijimin e një brezi të tërë artistësh si pedagoge, por dhe kontributi i çmuar në teatrin shqip. E njëkohësisht ishte e rrethuar me një brishtësi njerëzore si një alegori e bukur që e bënte kaq të veçantë.

E tregonte thjesht jetën e saj, si të ishte duke rrëfyer një tregim të lexuar diku, për vajzën plot ëndrra nga Maqellara, që në vitin 1950 iu bashkua Teatrit Popullor Kombëtar. Udhëtimi i gjatë me tren nga Bukureshti në Moskë, do t’i shndërrohej në skenën më të trishtë të jetës së saj, ku do të mësonte lajmin e hidhur të ndarjes së nënës nga jeta. Përsëriste fjalët e saj që i ishin bërë lajtmotiv në jetë, se “nuk ka bukuri më të madhe se mendja”. Me mend e gjen rrugën e nderit. Në atë botë vetëm nderin merr, asgjë tjetër.

Në udhëtimin e pafund që nisi disa ditë më parë, duket se Drita Agolli mori me vete vetëm nderin.

Në Tiranën e përfshirë nga zhurma e politikës pakkush u ndal të fliste për ikjen e një artisteje, e cila përfaqësonte një shkollë më vete mendimi, një nga feministet e angazhuara shqiptare të shekullit XX.

Drita Agolli krijoi një histori krenare të femrave shqiptare, me angazhimin herët në krijimin e një mendimi të ri të teatrit shqiptar, pikërisht në një sistem ku teatri ishte i përfshirë nga ideologjia dhe ku gruaja nuk shihej asnjëherë si parësore.

Ajo i pranoi në heshtje vështirësitë përballë konvencioneve të ngulitura shoqërore.

Nuk e uli kokën as nuk u tërhoq nga pasioni për teatrin edhe kur pas suksesit të shfaqjes “Roje nën llambat e neonit” të autorit kinez Shen Shi Men më 1965-n, e emërojnë pedagoge definitive në institut, çka do të thoshte largim nga teatri. Nuk e harroi asnjëherë tronditjen e atyre viteve, ashtu si zhgënjimin kur pas studimeve për Regji, emërohet aktore. Në vitin 1964 asaj i besuan dy role të fundit në karrierën si aktore, Dona Lucia në komedinë “Karnavalet e Korçës” të Spiro Çomorës me regji të Pandi Stilliut dhe Elena Andrejevna në dramën “Xhaxha Vanja” të Çehovit me regji të Andrea Malos. Vepra e saj e fundit si regjisore ka qenë “Marianida Pineda” nga Lorka më 1989-n.

Autore e dhjetëra studimeve për teatrin, Drita Agolli kishte profilin e një artisteje bashkëkohore që jetoi në një nga sistemet më fatale për një artist, siç ishte komunizmi. Të qenët bashkëshortja e një diplomati thjesht pasuroi jetën e saj me kujtime të pashlyeshme nga Moska apo Rumania, por nuk ia bëri të lehtë jetën si artiste femër në një vend si Shqipëria.

Është e trishtë heshtja me të cilën përcollëm për në banesën e fundit këtë grua, që me modestinë e një artisti nuk kërkoi kurrë të bënte zhurmë mbi atë çfarë përfaqësonte. Një grua që para se të ikje duke i besuar John Steinbeck që njeriu kërkon domosdo të lërë një kujtim të vetes; ndoshta një provë që ai ka ekzistuar vërtet, shkroi kujtimet në librin me titull “Pa emër”. Ashtu si i panjohuri që, teksa me kokën e rënduar nga largimi që po i bënin nga teatri e ndali në rrugë dhe i tha “Kokën lart, kurrë mos e përkul, ndryshe do të shtypin”. Kur ajo e pyeti kush jeni, ai i tha “nuk kam emër. Për mua nuk ka rëndësi emri, ka rëndësi njeriu …” duke hedhur hapin drejt turmës së njerëzve dhe duke u zhdukur si meteor.

E Drita nuk mund t’i vinte një emër jetës së saj, hedhur si një teatër i gjatë në librin që ta dhuronte me buzëqeshjen që nuk iu fashit nga fytyra deri në orët e fundit të këtij nëntori të fundit për të, ku u shua përgjithmonë./ KultPlus.com

Të ngjajshme