Analistët – burra

29 Prill, 2020 - 2:00 pm

Nga Arben I. Kastrati

Kanalet tona televizive, përnatshëm transmetojnë debate. Në debate, prania e analistëve burra është e dukshme. Mungesa e analisteve, flet për një shoqëri patriarkale, në të cilën gratë janë të padenja për debat me analistët burra. Në shoqërinë tonë, të menduarit është ekskluzivitet i burrave. Ndërsa, mendimi i gruas, për burrin shqiptarë, është fyes.

Mes debate burrash, në kohën e përcaktuar për marketing, në televizione na shfaqen video porosi, në të cilat këshillohen gratë e dhunuara nga burrat, të lajmërojnë rastet e dhunës në numra pa pagesë. Përmbajtja e video porosisë, e dëshmon faktin që gratë janë të dhunuara.

Për shkak të varfërisë mendore të projektuesve të debateve televizive, që besojnë që të gjitha debatet duhet të jenë vetëm politike sepse politika sjellë shikueshmëri!!!! dhe në këtë garë televizive për shikueshmëri, pandemia për ne është e një rëndësie minore dhe një dukuri që assesi nuk i dëmton shqiptarët. Sepse madhështia mashkullore shqiptare, është më e fortë se cdo virus. Gratë nuk duhet të kenë frikë nga virusi, sepse kanë shqiptarë për burra.

Ne jemi të dënuar përjetësisht që përnatshëm të shikojmë debate politike. Nëse redaktorët dhe moderatorët e debateve, vendosin një ditë të ftojnë gra paneliste, le të ftojnë gra jo për shkak të përkatësisë gjinore, por për shkak të dijes me të cilën karakterizohen. Të mos ftohen gra të forumeve të partive politike që na dëftojnë mendimet e liderëve të tyre përkatës partiak, të cilët kanë shpikur “forumin e gruas” për të gënjyer vlerësimin që kanë për gruan. Vetë ekzistenca e forumeve të grave në partitë politike, dëftojnë një lloj diskriminimi modern. Nëse s’ka forume burrash në partitë politike, nënkupton që partitë politike janë ekskluzivitet i burrave. Ekzistenca e forumeve të grave, dokumenton një qasje privuese ndaj barabarësisë. Forumet e grave, janë një turp partiak, ku gratë mblidhen herë pas here, jo për të debatuar, por për të joshur votuese duke u ofruar lëngje dhe pjekurina të gatuara nga gratë në vështërsi.

Debatet politike televizive, tani më, i shikoj hera herës teksa ndërroj kanalet, por nuk i dëgjoj. Dëgjimi i gjithologëve panelistë për situatën politike në vend, është i dëmshëm për shëndetin. Prandaj, në këtë kohë pandemie, kujdesi i shtuar është obligim qytetaresk. Në këto emisione të përnatshme debatesh, të ftuarit mund të jenë burra, por jo edhe analistë. Shumica e tyre, janë: b-analistë. / KultPlus.com

Të ngjajshme