20 Gusht, 2020 - 1:01 pm
Qeveria i kishte dhënë futbollit dritën e gjelbër të rikthehej duke e ndjekur një protokoll për mbrojtje nga Covid-19 dhe me një numër të kufizuar të personave të pranishëm në stadium gjatë ndeshjeve. Por, kjo nuk ka vlejtur edhe për aktivitetet kulturore të cilat janë pezulluar qysh në muajin mars, shkruan KultPlus.
Ky pezullim e ka detyruar regjisorin Ben Apolloni që të reagojë pikërisht për faktin e këtij diskriminimi që po i bëhet kulturës në vend.
Sipas tij, nëse ndeshjet sportive po luhen, pse të mos veprohet njëjtë edhe me teatrin. Ai tutje ka dhënë si alternativë shfaqjen e shfaqjeve në ekranet televizive.
“Nëse ndeshjet sportive po luhen me pak ose aspak publikë në salla, stadiume, pse të mos veprohet edhe me teatrin kështu? Si ndeshjet sportive që shfaqen direkt në TV, të shfaqen edhe shfaqjet teatrore. Sigurisht që më së miri është që ndeshjet sportive edhe shfaqjet teatrore të shikohen “live”, në vendin e ngjarjes, por as përmes ekranit nuk është keq. Kur ne nuk mund të shkojmë në teatër, teatri mund të vijë tek ne”, ka thënë Apolloni i cili tutje është shprehur se ne duhet të luftojmë ta mbrojmë edhe shpirtin, jo vetëm trupin.
“Ne, jemi duke luftuar me vdekjen, por edhe në këto momente të vështira, duhet ta kujtojmë Freddie Mercuryn, që po luftonte me AIDS, por që thërriste: “Shfaqjet duhet të vazhdojnë!” Ne duhet të luftojmë ta mbrojmë edhe shpirtin, jo vetëm trupin. E, arti është vaksina më e mirë për shpirtin”, ka thënë Apolloni. / KultPlus.com