Arben Bajraktaraj: Muzika e Liburn Jupollit na prek si të rrahurat e zemrës

28 Maj, 2019 - 1:30 pm

Nga Arben Bajraktaraj

Gjithçka fillon me epilog. Si fundi i përsëritur pafundësisht. I heqamës së këtij dheu, i heqamës të kësaj cope qielli. Si Anton Pashku në çastin e shkrimit të dramës më intriguese të dramaturgjisë së hershme kosovare që solli at më modernen e kohësisë së vet, në një nga vendet më të harruara, më të shtypura e të lanuna mbas dore,  siç do të thoshte Pashku, në një vend prapa diellit, Liburn Jupolli me operën Gof merr rrezikun të na fus në shtegtimin e tingujve rrallë të shprehur  të kohës sonë.  Ku tingujt e butësisë mbështillen me krrokamat e sorrave.  Ulurima e ujqve me cicërimën e zogut t’malit. Gjithnjë vihen në teh të kundërtat, e egra me të butën, e trazuara me të qetën dhe dalë ngadalë rreziku që kanos bëhet gati i pranueshëm, mësohemi të bashkëjetojmë me hatan para e  hatan mbas, e krejt natyrshëm edhe përgjatë: vetë hataja  bëhet përditshmëri, marrim frymë me të.

E në mjegullën e dendur, gufojnë shpërthimet e Lulashit, njeriut të sëmurë,  herë me dhimbje e herë me humor, duke i përngjarë  herë-herë një papagalli robotik, sidomos kur flet për politikë. 

Përderisa situata gjithnjë e më shumë përshkallëzohet, zjarrmia prek kulmin dhe duhet të veprohet. Shtrohet pyetja: të pritet a të mos pritet. Njëri thërret për revoltë e tjetri në të kundërtën thërret për mosrevoltë.  « Sa më shumë që presim, aq më keq për të », thërret Lulani e në anën tjetër: « Mos u ngut. Kurrë mos u ngut, » ia pret Lulua, « Ditët nuk mund të hyjnë në thes !». 

 E në mes të zjarrmisë,  orteku i mbrendshëm i Lulashit, « njeriut që nxorëm prej varrit po ja ku e kemi lënë tash përmbi dhe, as gjallë as vdekur » ( metaforë e Pashkut për Kosovën e atëhershme që nuk ndryshon shumë me Kosovën e sotshme), shkrihet  në cicërrimë zogjshë. Dëgjohen vetëm ata. Jemi në një oazë qetësie para shpërbërjes.

Muzika e Liburn Jupollit na prek si të rrahurat e zemrës që herë përshpejtohen, e herë rrallohen aq shumë, sa gati nuk ndihen më. Si elektrokardiogram, që po i ikën vija, dhe kur mendojmë se ç’do gjë merr fund, gjithçka rifillon. 

« As zogjtë,  Lulan, as zogjtë, nuk mund të fluturojnë e jo më na që s’kemi krahë…».

(Kritikë nga Arben Bajraktaraj për operën “Gof” të kompozitorit Liburn Jupolli.)

Info shtesë: http://ljupolli.com/?fbclid=IwAR3BNzP5IGZKcsEzLKCtkP7WHDEbtbY-95Cdh2_UVGTfICyPuJKfFv1irw8 / KultPlus.com

Liburn Jupolli

Të ngjajshme