16 Nëntor, 2020 - 1:29 pm
Përderisa Covid-19 ka kapluar botën, mësimi është digjitalizuar në çdo cikël arsimor të vendeve. Sociologu Artan Fuga e ka kritikuar mënyrën e të ligjëruarit që transmetohet në televizionin publik, shkruan KultPlus.
Fuga ka kritikuar mënyrën e ligjërimit të mësimdhënësve, duke marrë shembull njërin që i ka rastisur ta shoh në transmetimin e televizionit publik. Madje ai ka thënë se kjo formë është bashkim midis banalitetit pedagogjik dhe atij televiziv.
KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Artan Fugës:
Nuk bëhet kështu shkolla në televizion!
Ka disa ditë që më ka tërhequr vëmendjen emisioni për shkollën në televizionin publik shqiptar. Gjoja si zëvendësues ose ndihmës për mësimin në klasë në kohë pandemie.
Dje pata pak kohë ta ndiqja me kujdes disa minuta, sepse një i afërt më tha : Ore, shih se çfarë bëhet! Ka gallatë!
Pëllcet qeliza – thotë mësuesja!
Ishte një lemeri, një banalitet, një mediokritet i paparë! Më mirë pa mësim fare sesa me ato paçavure!
Ishte tema e mësimit në histori: Monarkia franceze!
Nuk kuptohej nëse atë mësim e kishte çertifikuar Ministria e arsimit apo ishte një show e televizionit publik, një koncert variete komike për të na bërë të qeshim.
Uroj që nxënësit të mos e kenë marrë seriozisht dhe t’i kenë kthyer kurrizin! Më mirë pa shkollë sesa me atë lloj mësimi të turpshëm, ku me taksat e qytetarëve disa institucione tallen.
Nuk e ka fajin prezantuesja, së cilës i kërkoj falje, por nuk kuptohej se për cilin cikël ishte mësimi.
Ishte mësim historie, por nuk kishte asgjë historie, më shumë një sociologji banale e feudalizmit, trajtuar si mos më keq. O Zot!
Jepej një citim, por pa pikë reference. Nuk tregohej se në cilat tekste mbështetej mësimi. Asnjë datë veç një gjë që kishte ndodhur si Traktat i Verdunit andej nga shekulli i nëntë. Asnjë shpjegim për këtë.
Asnjë datë tjetër, asnjë ngjarje madhore e përmendur, asnjë personazh veç legjendës të Zhanë d’Arkës që nuk kuptohej se çfarë ishte. Lufta 100 vjecare me Anglinë nuk kuptohej se përse u bë dhe çfarë lidhje kishte me Monarkinë.
Ngatërrohej koncepti mbret i frankëve me atë të mbretit dhe monarkisë të Francës. Veç Hygë Kapetit, sikur nuk kishte as Luigj të 14, as të 15, as të 16.
Nga monarkia hidhej në arsyetime banale për feudalizmin ku feudalët konsideroheshin rivalë të mbretit, i cili gjithë kohën paskësh qenë solidar me byrgerët e qyteteve.
Histori pa histori, monarkia paraqitej e njejtë në të gjitha kohët. A thua se Sharlëmanja nuk kishte ekzistuar fare dhe zëvendësohej me një personazh gjysmë mitologjik si Zhana.
U premtua se do të flitej për asamblenë kushtetuese, por asgjë nga historia e saj. Dukej si aneks i mbretit, siç ka qeveria jonë Kuvendin. Asnjë fjalë për Kishën Katolike dhe pushtetin e saj.
A thua se nuk kishte pasur iluministë! Nuk kishte pasur As Volter, as Danton, as Marat, asgjë prej gjëje!
U premtua se do të trajtoheshin dallimet mes monarkisë franceze dhe angleze, por asgjë nuk u tha. A thua se kanë qenë dy copa guri të palëvizshëm në mal që krahasohen me dy fjalë.
Nuk bëhej fjalë të lexohej ndonjë dokument historik, të jepeshin pjesë të ndonjë dokumentari, të sugjeroheshin romane a lexime, të jepej me skemë historia dhe gjenealogjia e ngjarjeve historike, të tregohej shtrirja gjeografike në kohëra të ndryshme, të tregoheshin mekanizmat e oborrit, të taksave, të ushtrisë, të kështjellave të mëdha.
o Zot, thashë, këta nuk heqin dorë nga Turi, këta nuk kanë dinjitet, nuk dinë se bëjnë krime.
Cfarë bën televizioni publik shqiptar? Pse pranon të tilla surrogato, pse bëhet palë me këto emisione ku banaliteti dhe mediokriteti të bëjnë të vjellësh! Kush vazhdon të tallet me arsimin e rinisë shqiptare edhe pasi dikush që u tall disa vjet më në fund u zbyth.
Në televizion ne po shohim aktin e parë të dramës që prodhon Turin në maturë.
Turi maturi!
Turi imaturi!
Turi aguridhja!
Pasi bëhen këto lloj mësimesh sigurisht në fund pyetjet do të jenë:
A e ke parë filmin me D’Artanjanin?
Kush aktor e ka luajtur rolin e tij në filmin Tre Moskjeterët?
Lutem jepini fund këtij banaliteti!
Këtij maskaralliku televiziv!
Këtij bashkimi midis banalitetit pedagogjik me banalitetin televiziv! /KultPlus.com