Arti si fushë e tensionit midis lirisë dhe pushtetit

13 Prill, 2025 - 1:00 pm

Shkruan: Sibel Halimi

Në thelbin e tij, arti është një akt thelbësisht i lirisë — një mënyrë për të artikuluar të pathënën, për të eksploruar kufijtë e përvojës njerëzore dhe për të shtruar pyetje themelore mbi ekzistencën, shoqërinë dhe të vërtetën. Pikërisht për këtë arsye, arti ka qenë dhe mbetet një fushë ku krizat e një shoqërie bëhen të dukshme më qartë se kudo tjetër. Ai nuk është thjesht pasqyrë e realitetit, por edhe dritare drejt asaj që sistemi përpiqet ta fshehë — ai qëmton të pavetëdijshmen kolektive, shpërfaq strukturat e shtypjes dhe zbulon tensionet e brendshme që formësojnë ndërgjegjen shoqërore.

Në kontekste ku demokracia është e brishtë dhe institucionet demokratike janë ende të paqëndrueshme, pushteti ka prirje të instrumentalizojë artin — ose për ta shndërruar në vegël të propagandës, ose për ta shtypur kur ai bëhet mjet kritik dhe emancipues. Kjo është shenja e parë e infiltrimit të mendësisë autoritare: kontrolli i sferës simbolike. Në këtë kuptim, censura ndaj artit nuk është thjesht një akt politik, por një akt filozofik — mohim i të drejtës së njeriut për të menduar dhe ndjerë lirisht.

Shembulli më i fundit i kësaj tendence është ndalimi i shfaqjes në Prizren e më pas edhe në Bosnie Hercegovinë; bëhet fjalë për shfaqjen “TË GJASHTËT KUNDËR TURQISË”- një iniciativë teatrore që përmes një gjuhe artistike të guximshme eksploron degradimin e demokracisë dhe ngritjen e regjimeve autoritare, populiste dhe nacionaliste në Evropën e sotme.

E krijuar nga një kolektiv ndërkombëtar artistësh nga Kosova, Turqia dhe vende të Bashkimit Evropian, me autor Jeton Nezirajn dhe regji të Blerta Nezirajt, kjo vepër përfaqëson vetë thelbin e artit politik: të shërbejë si kujtesë, si ndërgjegje dhe si thirrje për reflektim në një botë që gjithnjë e më shumë po rrëshqet drejt konformizmit dhe heshtjes.

Kur arti ndalohet, nuk ndalohet vetëm një shfaqje — ndalet e drejta për të menduar ndryshe. Dhe aty ku ndalohet mendimi, lind frika. Ndaj, mbrojtja e artit është një akt thelbësor i mbrojtjes së vetë lirisë./ KultPlus.com

Të ngjajshme