Artisti në luftë me veten

3 Maj, 2018 - 1:00 pm

Shkruan Flora Rogova.

“Jeta është rrëfim, i shkatërruar, bërë copë-copë, brutalisht… Nuk mund të jetë ndryshe!”

Pas titullit, si shenjë e parë komunikimi me veprën, lexojmë këtë “konfesion” autorial vënë aty si paratekst, para se të hyjmë në botën ku shtrohet rrëfimi. Një paraderë për të arritur te dera kryesore, si për ta na bërë me dije atë që shpesh e harrojmë se vetë jeta është rrëfim ani pse i rrënuar e bërë copash. “Nuk mund të jetë ndryshe!” pohon autori, Gëzim Aliu, duke e pranuar jetën të ndarë në copëza rrëfimesh, të vrarë secili në një a në tjetër mënyrë.

Po të kthehemi në titull ndërkaq si kryetekst, “Gosti në natën e parë të vjeshtës” titulli na jep shenja që bartin çelësin për leximin e tekstit të brendshëm: gosti, natë dhe vjeshtë. Festën, misterin dhe stinën. Nëse ka një fshehtësi të ruajtur mirë, qoftë ajo me ironi, apo një stinë që tregon qoftë moshën fizike apo disponimin shpirtëror, të tria janë shenja që tregojnë motivimin dhe pikat e shtrirjes së rrëfimit.

Romani “Gosti në natën e parë të vjeshtës” përbëhet nga 12 tregime, në të cilat kemi kryeprotagonistin Cen Berishën, të thurur mes dëshirës dhe frikës së shpalosjes të ‘fshehtësisë’ personale, tekstit në dorëshkrim, të cilin ai e kishte menduar si një skenar filmi. Gjithçka sillet rreth kësaj pune individuale shkruar e mbyllur në sirtar, si thelb e bërthamë mbi të cilën thuret i tërë rrëfimi. Dorëshkrimi edhe e vë protagonistin në lojë, ta ruajë për vete apo ta bëjë publik, ta shpalos apo ta lë mbyllur, vetëm për vete. Ky ‘tekst’ dhe fati apo historia e tij, na përcjell përgjatë gjithë leximit të librit, duke na ngritur shumë pikëpyetje e kureshtje rreth përmbajtjes së tij. Por, autori ka zgjedhur teknikën narratoriale të lënies në hije për të zgjuar vazhdimisht kureshtjen rreth asaj se çfarë përmban ai tekst? Çfarë është shkruar aty? Ç’vlerë ka? Pse Cen

Berisha e konsideron si të pavlerë? Pse s’e bën publik? Pyetje këto që mbesin të tilla, pa dhënë përgjigje.

Një lojë mes rrëfimit të autorit dhe dëshirës e kurreshtjes së lexuesit, për atë që nuk shfaqet haptazi dhe i cili rri në thelb të tekstit; një histori që ndërtohet mes lojës së fjalëve, por një histori që mbetet përgjysmë, e pa thënë, e pa kumtuar, si një mister i shtrirë nga fillimi gjer në fund. Loja e bukur e copëzave të rrëfimit, bën që kjo prozë të thur një histori ‘copë-copë’ gjatë një nate gostie që qëllimisht ndodh në vjeshtë, e zgjedhur pikërisht si stinë më poetike.

Kryepersonazhi i prozës, Cen Berisha, portretohet si një shkrimtar, i cili me kalimin e kohës, i konsumuar nga puna dhe jeta që bën, dyshues e i lodhur me punën e vet, i pakënaqur me atë çfarë kishte (nuk kishte) arritur në jetë, dhe një njeri që dikur kish pasur një dëshirë, të cilën me dorën e vet e kishte mbyllur në sirtar, ndodhet përpara dilemës personale nëse ajo çfarë ka shkruar vlen për ta parë e lexuar të tjerët apo nuk vlen fare. Ky hezitim i personazhit na çon te një lloj intrige e jetës reale të artistëve të ndryshëm, të cilët në situata të caktuara e ndjejnë veten të dobët e nën presion karshi botës së madhe e karshi botës së artit, e ndjejnë vetën të pafuqishëm karshi normave e rregullave që përcaktojnë vlerën dhe jovlerën në art. Barrë e rëndë dhe e papërballueshme bëhet kjo për protagonistin, i cili shfaqet i pafuqishëm ‘të luftojë’ me botën e madhe të artit, i pafuqishëm të paktën ta provojë luftën, por në vend të luftës ai zgjedh tërheqjen e vetminë dhe si pasojë ndëshkon veten dhe punën e tij. Me pak, mund të themi – shkrimtari përballë vetes, shkrimtari në luftë me veten.

Romani “Gosti në natën e parë të vjeshtës” është ndër ato vepra që ngërthejnë në vete copëza nga artet e tjera, duke shpalosur gjatë rrëfimit para syve të lexuesit pamje pikturash të njohura, pjesë nga kinematografia dhe pjesë të tjera të shkëputura nga zhanre të tjera, herë nëpërmjet rrëfimit e herë nëpërmjet vargjeve të ndërfutura në rrëfim, duke bërë kësisoj që ndodhia e një nate vjeshte, të duket e gjatë dhe e pafund.

Gëzim Aliu, në “Gosti në natën e parë të vjeshtës” na sjell shkrimtarë, artistë të profileve të ndryshme e pseudo-intelektual të kulturës, të cilët i vesh plot me figura letrare, i metaforizon, satirizon e ironizon, ndonjëherë dhe skajshmërisht, që nga portreti i jashtëm si sipërfaqe, sjellja e tyre, duke u shtrirë deri te brendia, në mendimet dhe idetë e tyre. Këta pseudo-intelektual me emra alla-shqiptar na shfaqen si imazhe të njerëzve që mezi presin të jenë pjesë e mbledhive, gostive e ndejave kulturore që të spikasin e të vënë në pah arritjet dhe aftësitë e tyre, duke i shpërfaqur ata si njerëz të pispillosur e të bezdisshëm. Autori e realizon këtë me mënyrën e paraqitjes së tyre, duke e gdhendur bukur profilin e tyre, madje në disa raste deri në detaje.

Kjo prozë duke qenë se si kohë shkrimi i takon kohës aktuale, duke qenë libër i botuar vetëm një vit më parë, vjen ndryshe në letërsinë shqipe, si tekst në të cilin pa frikë ka plot lojë, dhe brenda kësaj loje edhe plot erotizëm, erotizëm i pafrikë, siç sjell dhe plot ironi, humor e trishtim. Një roman dedikuar “luftës, dashurisë dhe marrëzisë” siç shprehet dhe vetë autori. Një përkushtim pra ndaj temave e ndjesive të mëdha të njeriut.

Një lojë e bukur rrëfimtare e cila e vë protagonistin mes shkrimit dhe aftësisë për ta realizuar atë, një lojë e bukur për artin e letrave; një lojë gjatë një gostie, e cila merr tjetër kahe atëherë kur ngjarja del jashtë kontrollit në gostinë përplot raki, verë e të qeshura, njerëz të lodhur, të dehur, të përgjumur- aty shfaqet Ceni tek i vë flakën dorëshkrimit të tij, e pas kësaj situate bie shi i rrëmbyeshëm, narratori sikur na kujton se ‘arti nuk digjet, arti nuk shuhet, arti nuk humbet’. Madje këtë as Cen Berisha, i cili tërë kohën e mendonte se si ta zhdukte dorëshkrimin e tij, s’mund ta bëjë dot.

Në roman, përpos Cen Berishës parakalojnë dhe personazhe të tjerë, por ajo që rri përkrah tij, është Anita, e shoqja, një grua ambicioze, e aftë në punën e saj, e cila ishte dhe organizatorja e “gostisë kulturore”. Anita, paraqitet si juriste, ndërkaqë që në kohën e lirë merrej me instalacione artistike, duke u bërë kështu pjesë e botës së artit. Por megjithëse e vënë në rrëfim si grua e tij, përgjatë rrëfimit rrallë i gjejmë të dy bashkë. Dhe derisa ajo ish e preokupuar me gostinë që kish organizuar vetë, ai, Ceni, mendjen e kish vetëm te përfundimi i ahegut, që ironikisht merr mbiemrin ‘kulturor’.

Si femër tjetër përballë Cenit kryeprotagonist, zë vend edhe Leta, shkrimtarja sensuale, shoqe e ngushtë e gruas, e për të cilën ai ëndërronte e fantazonte. Mes rrëfimesh të narratorit e copëzave të tij, Leta si nën mjegull del të jetë pjesë edhe e jetës reale fizike të proagonistit dhe jovetëm pjesë e imagjinatës së tij. Sepse në disa nga rrëfimet jepen imazhe që Letën, këtë protagoniste, e bëjnë pjesë të ëndrrave e kujtimeve të Cenit, dhe pjesë të dorëshkrimit të tij. Çfarë kish ndodhur mes tij dhe asaj? A është historia e tyre një fshehtësi që ruhet po në dorëshkrim? A është edhe kjo një arsye më shumë pse duhet djegur dorëshkrimi? A ishin takimet seksuale me Letën vetëm pjellë e imagjinatës apo ishin takime reale? –Kush e di! Kjo është dhe e bukura e kësaj proze, e cila na sjell ngjarje të shumta, histori e copëza historish, saqë të gjitha na krijojnë ambiente të ndryshme, duke kapërcyer nga gostia me muzikë e verë, tek tanket, bombat e fshatrat e djegur e të zymtë në kohë lufte. Ky kapërcim sa këndej, sa andej, bën që rrëfimi të na mbajë me vete e me plot intesitet deri në mbarim.

Një roman pa cenzurë, me rrëfim ‘pa dorëza’ që provon dhe tenton të jetë ndryshe nga proza tradicionale shqipe, duke dashur të jetë në hap me prozën në gjuhë të huaj, pa mbetur i ngujuar brenda kornizave e shablloneve.

Ndaj, “Gosti në natën e parë të vjeshtës” është një roman i ri që dialogon me aktualitetin dhe transformimet e kohës së njeriut shqiptar. (Gosti në natën e parë të vjeshtës, Gëzim Aliu, Shtëpia Botuese PARNAS, Prishtinë, 2017)./ KultPlus.com

Të ngjajshme