3 Shtator, 2017 - 4:30 pm
Majlinda përgjatë viteve ka mrekulluar me të gjithë strukturën koloristike të kompozicioneve, e mbi të gjitha guximin për të mos e përsëritur vetveten ndërkohë duke sjellë bashkëkohësi si në aspektin figurativ apo koloristik. Arti i Majlindës të grish, por pa të diktuar. Ai të kërkon kohën e duhur, që të mos ndjesh hapësirë, por për t’u bërë pak nga pak natyrshëm pjesë e tij.
Nga Ben Andoni
Përballja e qenies me artin pamor ruan gjithnjë një hapësirë, që disa e interpretojnë si një hon, kurse të tjerët si shtangësi. Kështu ndodh, pasi kuptimi i artit abstrakt s’është kurrsesi i lehtë. Majlinda Kelmendi me artin e saj nuk të grish dot t’i qasesh pa kushte veprës së vet, nëse nuk ke një mëndje të hapur e mbi të gjitha fantazi. Arti i Kelmendit përmbledh një strukturë, ku koloristika e zgjedhur dhe bashkësia e detajeve, të kuruara me një kujdes skrupuloz jo thjesht të ftojnë për të qëndruar në këtë art, por edhe për të ndihur të abstragosh i lirë dhe t’i afrohesh nënvetëdijes së saj. Formësime detajesh, përdredhje projeksionesh, idera të ndryshme, që vinë përmes thyerjeve imazhesh, pjesë instrumentesh muzikorë, kërkime të ndryshme. Një tërësi elementësh që tregojnë shqetësimin e madh të autores dhe luftën e saj të brendshme për të mposhtur dyshimet për hedhjen e subjekteve. Por pa tension. Një lloj paqësie koloristike nga ku ajo fillimisht ka gjetur paqen disi të trazuar fillimisht me veten e saj. Veçse jo kudo. Në punët e tjera, shikon një artiste që është vazhdimisht në kërkim të përmirësimit të krijimtarisë së vet, por gjithmonë përmes anës pikturike. Në momentin që shprehet, Majlinda ka trandur brenda vetes forca, ka ekuilibruar tendenca për t’u shpërfaqur me të gjithë sinqeritetin e vet artistik. I gjithë ky tension e shikon pastaj në krijimin e saj, ku nënvetëdija e dikton intuitën që autorja të mbetet në trajta e linja të ndryshme, ku gjen vend i gjithë spektri i pranueshëm i ngjyrave të saj. Është interesat fakti i përhedhjes së subjekteve përmes kërkimit të ngjyrave të hapura, që dallohen falë kontrasteve në punimet e saj me ngjyrat e tjera. E gjithë kjo suspansë, gjatë të cilit shikuesi rreket të kuptojë i ngulur te puna e saj, jep mesazhin më të qartë të artistes, luftën e madhe që ka bërë në art për të njohur vetveten dhe dëshirën e pafundme që të mos ndalet në një vend.
Majlinda di të ruajë me shumë profesionalitet raportet e strukturave brenda për brenda formave pamore, kurse një lloj pastërtie e punës së saj të përcjell kah burimit të saj kompozicional.
Për fat, vetë Arti Abstrakt të dhuron lirinë për të eksploruar qartë veprat e bëra prej artistit dhe për të përcaktuar kuptimin, porse ky proces i pandalë meditimi të kërkon nga ana tjetër edhe një punë intensive personale, që të ndihë edhe përvojën e një shikuesi ballë një vepre të tillë arti.
Ashtu si mund të merret lehtë me mënd: kuptimi i artit abstrakt nuk është aq i lehtë, pasi shpesh artistët e tij gjenden para paragjykimeve të atyre që nuk e perceptojnë. Kjo, ndodh shpesh, por përgjigja më e mirë e dyshuesve është se artistët e këtij arti janë vizatues të mrekullueshëm dhe vrojtues shumë të hollë, që krijojnë përvoja vizuale, të cilat nuk shprishen dot qoftë edhe prej peshës së arsyeshme të objekteve.
Dhe, në rastin e Majlinda Kelmendit, pesha e këtij arti është më e madhe sepse pak njerëz mund të shquajnë realisht peshën e objekteve të njohura, që ajo i bën subjekte të natyrshme të perceptimeve të saj. Për atë s’ka shqetësim, nëse puna e madhe për të gjetur kuptimin e asaj që e ngërthen dhe që të çon deri në format më primare të artit në vetvete, nuk perceptohet menjëherë. Sfida e saj mbetet te përshfaqja e qetë e nënvetëdijes, e cila paraqitet e çlirët në këto punime, bashkuar me të gjithë elementët e tjerë të cilat të përcjellin direkt e te origjina e vërtetë e punës. Kritika e specializuar sheh si shumë interesante rrekjen e saj koloristike, gjetjet lëndore që formojnë raportet e formave dhe mbijetojnë mbi telajo që përbëjnë realisht edhe shëmbëlltyra jete por edhe copëza që kristalizojnë si duhet botën e plotësuar të artistes, e cila tashmë ka arritur jo thjesht pjekuri, por edhe e ka përmirësuar dora-dorës artin e saj.
Majlinda përgjatë viteve ka mrekulluar me të gjithë strukturën koloristike të kompozicioneve, e mbi të gjitha guximin për të mos e përsëritur vetveten ndërkohë duke sjellë bashkëkohësi si në aspektin figurativ apo koloristik.
Pikaso, në kohën e tij, e tërhiqte vëmendjen në një pikë, duke e shpjeguar rebusin e kuptimit në art. Arti, sipas tij, nuk mund të shpjegohet kurrsesi në mënyrë direkte me fjalë, pasi ndikimi i tij tek njerëzit mbetej aq personal, ndërsa flet me pjesët joverbale të ekzistencës sonë. Prandaj, arti mbetet një përvojë dhe një ekstrakt jete. Më saktë një sintezë pikturike, që artistë si Majlinda Kelmendi të grishin ta perceptosh me ngjyrat, format, materialet, sipërfaqen dhe të gjithë elementet ndërveprues, që e përbëjnë si unitet. Arti i Majlindës të grish, por pa të diktuar. Ai të kërkon kohën e duhur, që të mos ndjesh hapësirë, por për t’u bërë pak nga pak natyrshëm pjesë e tij.