7 Shkurt, 2023 - 6:30 pm
Në trevjetorin e vdekjes së këngëtares të njohur, Nexhmije Pagarusha, më poshtë KultPlus ju sjell esenë e shkruar nga Shefqet Dibrani.
*Kjo ese është lexuar në prezencën e këngëtares, në qytetin Buchs-SG, më 06 dhjetor 1997, po ashtu është përfshirë edhe si hyrje në vlerësimin kritik në monografinë e Shaqir Foniqit, kushtuar këngëtares.
(07 maj 1933 – 07 shkurt 2020)
Nexhmije Pagarusha, u lind më 07 maj 1933 në Pagarushë të Malishevës. Ajo pati fatin të jetë bijë e një personaliteti të njohur për shkollën dhe mësimin shqip. I ati i saj Vesel Pagarusha, ia hapi dyert e skenës së artit shqiptar dhe më gjerë. Pa dyshim emri i saj u bë i njohur dhe i respektuar për të gjithë, andaj nuk e teprojmë kur themi se me Nexhmije Pagarushën u rrit deri këtu Kosova, me zërin e saj që emitohej nga Radio Prishtina u rritën breza të tërë kosovarësh, me këngët e saj u mishëruan idealet e së ardhmes dhe aspiratat e popullit shqiptar, (sidomos pjesës në Kosovë). Dhe nuk mund të thotë dikush se në Kosovë ka ndonjë plakë a ndonjë plak që nuk e din emrin e saj. S’ka vajzë Kosove që u martua e mos t’ia kanë kënduar këngët e Nexhmije Pagarushës, zëri i saj i ka shoqërua vajet e çikave që bëheshin nuse, ka shoqëruar gëzimet dhe ditët festive.
Personifikimi i emrit të Nexhmije Pagarushës me “Bilbilin e Kosovës” e arsyeton vetveten sepse s’ka arë të bukës që u punua dhe as bereqet që është korrur, (madje kalliri për kalliri) që nuk është përkëdhelur me zërin e saj. Gjithmonë e kahdo ishte zëri i saj, në çdo fushë me fusharët, në çdo mal me pylltarët, në çdo kodër bashkë me grigjën, nëpër secilin përrua ku mullixhinjtë thërrmonin kokrrën e bukës nënë taka-rraket e gurëve dhe ujit duke mbushulluar tërë një grykë me zërin e saj. Nuk ka gurëthyes e as druvarë që mos të jetë shoqërua me meloditë e Nexhmijes, s’ka as pemë që ka qel lule, as hije ku njerëzit kanë pushuar që bashkë me ta nuk pushoi edhe kënga dhe melodia e këngës së saj. S’ka rrugë që është bërë, as kthim në vatrat shekullore, s’ka gazmend as dasmë që u bë pa prezencën e zërit të saj.
As mëngjes pranveror s’ka qelë, as atëherë kur bëhet vapë, as mëngjeseve me shira të mëdha e as dimrave me borë nuk ka ndodhur të zdritë dita dhe as muzg s’ka ra pa u dëgjuar zëri i saj. Nuk ka as shkollë, as katedër, as akademi që në njëfarë mënyre mos të jetë marrë me këngën dhe zërin e saj. Madje as skenat teatrore, as festivalet dhe manifestim e shumta s’kanë mundur të mbahen pa prezencën dhe ndikimin e drejtpërdrejt të Nexhmije Pagarushës. Për Nexhmije Pagarushën kanë shkruar vazhdimisht gazetat e folur mediumet radiofonie. Asaj shkrimtarët, poetët e muziktarët i kushtuan veprat e tyre artistike për ta lartësuar e flatruar “Bilbilin e Kosovës”. Ajo mbetet personaliteti më i shquar i këngës që më së shumti u shkrua për te.
Janë këto virtyte që personifikojnë personalitetin e gruas shqiptare. Nexhmije Pagarushës dhuntinë ia fali Zoti, talentin e ushtroi, kurse edukata familjare do t’ia ep atë kodin dhe karakterin për t’u bërë një personalitete e rrallë. Ajo vet e kultivoi këngën, vet qau kurthet duke i thyer pengesat e kohës, në kohën kur femra shqiptare tribunave e mikrofonave të estradave numërohej në gishtërinjtë e njërës dorë. Përkushtimi profesional dhe dashuria për ardhmëri e bënë të pa kapërcyeshme në fushën e saj.
Dhe dalëngadalë, Nexhmija u rrit, bashkë me te u ngrit dhe nami i saj deri në piedestal, ashtu siç u ngrit një Kosovë e tërë. Titulli “Bilbil i Kosovës” për Nexhmije Pagarushën nuk është kodifikuar në asnjë zyrë, në asnjë parlament, ky titull i erdhi spontanisht dhe jo krejt rastësisht nga gjithë Kosova. Deri sa bilbili përfaqëson zërin më artistik të këngëtarëve animal, Nexhmije Pagarusha përfaqëson zërin e një populli të tërë. Nexhmije Pagarusha është ajo që shkjeu plojën e harresës, përballoi ngulfatjen, dhe në saje të talentit dhe dijes, ajo artikuloi më së miri kërkesën për një shqiptare të emancipuar. Kuptohet përmes këngës, përmes artit i tha të gjitha.
Personaliteti i saj do të jetoj gjatë, shumë gjatë, edhe atëherë kur kështu fizikisht nuk do të jetë më në mesin tonë, sepse artisti i ka dy jetë, atë që e jeton vet dhe atë tjetrën që e jeton arti që e ka krijuar e ka kultivuar gjatë gjithë jetës që e jetoi dhe jua la amanet breznive, gjeneratave të tjera. Jua la kritikes dhe njerëzve profesionist për ta vlerësuar, rivlerësuar dhe rivlerësuar edhe më tej. Për të nxjerrë mësime e për t’iu kthyer e rikthyer edhe më tej këtyre vlerave, për t’i përsëritur, përpunuar dhe për t’i plasuar edhe më tutje ndër brezat që do të vijnë, pra jo vetëm për këta që e kanë jetuar dhe po e jetojnë kohën e Nexhmije Pagarushës.
NEXHMIJE PAGARUSHA, vdiq në Prishtinë më 07 shkurt 2020, dhe u varros në vendlindjen e saj në fshatin Pagarushë të Malishevës.
Buchs-SG, 06 dhjetor 1997. / KultPlus.com