Asdreni e Lasgushi në Shkodër; pritja madhështore me bandë muzikore dhe fjalimi prekës i Fishtës

5 Korrik, 2019 - 6:00 pm

Enigma e një fotoje të shkrepur në Shkodër nga Marubët, më 16 shkurt të vitit 1938, lidhet me një ngjarje të rrallë, historike për kulturën. Është një foto ekskluzive në “çajin e profesorëve të Gjimnazit Shkodër”. Fotoja fillimisht është publikuar para pak kohësh nga e bija e Lasgush Poradecit, nxjerrë nga arkivi i poetit, ku ruhej prej 80 vjetësh.

Historia duket e thjeshtë: Asdreni, i plakur tashmë, po vinte për një vizitë në Shqipëri, i ftuar në Shkodër nga shoqëria e arteve të bukura “Rozafat”, të cilit iu bashkua edhe Lasgush Poradeci. Për nder të kësaj vizite u organizuan tri ditë festime. Shtypi i kohës e ka pasqyruar gjerësisht këtë ngjarje, udhëtimin e dy poetëve në Shkodër, duke u pritur “me shfaqje të nxehta simpatie e admirimi”. Para një publiku jashtëzakonisht të dendur, në sallën e kinema “Rozafat”, Atë Gjergj Fishta u dha mirëseardhjen dy poetëve toskë, duke mbajtur një fjalim të jashtëzakonshëm. Në fund: Përqafim patetik, me lot e fjalë ngashëryese nga Asdreni, duke prekur gjithë popullatën e mbledhur në nderim të tij.

Fotoja dhe kronika e ngjarjes publikohet në “Përpjekja” e Branko Merxhanit, si dhe në gazetën “Drita”, në këtë të fundit del një botim i posaçëm, me foton e rrallë të Fishtës gjatë ligjëratës për Asdrenin, të gjendur në Bibliotekën Kombëtare, bërë nga Marubët.

Në grupin e të ftuarve që dhanë koncert, ishte edhe sopranoja Tefta Tashko Koço, si dhe pianistja Lola Aleksi, të dyja personalitete të kohës, të cilat, në nderim të Asdrenit, luajtën për herë të parë pjesë nga opera “Traviata”.

Shoqëria “Rozafat” ishte bujtësja e personaliteteve, e cila kishte 20 vjet jetë, dhe pak ditë para kësaj ngjarjeje kishte kremtuar 20-vjetorin e themelimit të saj, duke shënuar një rast unik në Shqipëri, për kontributin në artet e bukura, pothuaj në të gjitha fushat.

Por, nxitur nga përmbajtja e fotos, prej ku zbardhet kronika e kësaj ngjarjeje, një tjetër personazh historik, drejtor e mësues i gjimnazit të Shkodrës, Gasper Ljarja, bën një organizim të befasishëm duke nxjerrë në rrugë bandën e Shkodrës së asaj kohe, për të nderuar dhe për të pritur Asdrenin e Lasgushin. Këta dy poetë nuk ishin rastësisht së bashku në udhëtimin e Shkodrës. Çfarë dallon në këto marrëdhënie të viteve ’30, është vlerësimi dhe koshienca për vlerat e këtyre personaliteteve, duke i nderuar në kohë reale. Asdrenin dhe Lasgushin e lidhte një miqësi e jashtëzakonshme, ku njihemi se Asdreni e ka ndihmuar kur ai kishte vështirësi financiare gjatë studimeve në Austri, si rezultat i mosdërgimit të bursës.

Por viti kur Asdreni u ftua në Shqipëri, ardhur nga Bukureshti, me nismën e Koliqit, ministër Arsimi në këtë kohë, përkonte me kremtimet e 25-vjetorit të shtetit shqiptar, dhe ishte një kujdesje e posaçme e shtetit shqiptar për dy poetët.

Më poshtë botojmë të plotë kronikën e ngjarjes, çfarë ndodhi në kinema “Rozafa” më 1938, botuar në gazetën “Drita”, e përditshme nacionale, si një numër i posaçëm më 13 shkurt.

Çfaqje artistike për nder të vjershëtorit plak, z. Aleksandër Drenova

Shkodër, 13-Sikur e dini, kemi tash nji javë në mes t’onë atdhetarin e vjershtarin plak, zotin Aleksandër Drenovën (Asdren), i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë nji idhull (idol) i atdhetarëve, jo vetëm të Shkodrës, por i të tanë Shqipnis. Pse, jeta e Asdrenit, asht nji brilant qi shkëlqen madhnueshëm ndër virtyte e vepra atdhetarije, sikur e vërtetojnë botimet e tija krejt urti e flakë dashunije për atdhe. Qarqet e Shkodrës, pra intelektuale-patriotike, ndijnë nji gëzim të jashtëzakonshëm qi kanë pasun fatin e mirë t’i shohin syt e t’i ndigjojnë kuvendin këtij atdhetari letrar. Dhe kët gëzim e kënaqë të posatshme e provojnë prej se:

a) Asdreni qe ndër puntorët ma të parë të shvillimit t’ides kombëtare, asht nji veteran prandej në kuptimin ma të këthellë qi ka fjala;

b) Asdreni nderoi përherë secilën vepër qi qe në dobi t’atdheut pa u tërhjekë prej kurrnji pasioni dhe pa vështrue se çelsi a misjoni kishte në jetë ai qi e kryente;

c) Asdreni qëndroi përherë larg ndërlikimesh e kundërshtimesh të pjelluna përgjithësisht prej rase a nakari.

Në fund Asdreni, tërhjekë të gjitha zemrat e atdhetarëve të mirë e të drejtë, pse asht urtoja apo modestija e mishnueme.

Të gjitha këto arsye e shtynë Shoqnin e Hartëve të bukura të Shkodrës “Rozafat”, të bajnë të vetin dishirin e intelektualve dhe atdhetarve të qytetit t’onë për t’i çfaqun këtij patrioti letrar, me anën e njij manifestale publike e të çqueme, nderimin e  miradijen për shërbimet qi i ka bamë kombësisë.

Edhe, të shtundën në mëngjes më 12 të këtij moji, mbas njij vendimi qi mirrte Këshilli i Shoqnisë “Rozafat” dhe pregatitjeve të para qi bante, i çpallte popullit të Shkodrës se, për nderë t’Aleksandër Drenovës, po ipte, në sallën e Kinemas “Rozafat” nji koncert me anën e orkestrës së saj, tue marrë pjesë edhe artistët shqiptarë, Zojushat Tashko e Aleksi. Çpallja njoftonte edhe se poeti kombëtar, At Fishta do të hapte çfaqjen artistike me nji ligjëratë të tij simpathije ndaj Mikut e çquem qi ka urdhnue në Shkodër.

Menjëherë pas kësaj çpallje, të gjitha lozhat, parterre dhe galeritë e kinemas “Rozafat”, u kaparuan. Në kohën kur po fillonte koncerti, s’kishte jo vend për të ndejun, por as nji pllambë shesh për të lëvizë. Publiku pothuej as frymë nuk mirrte me kaqë respekt e urti qëndronte. Të dukej sikur t’ishe në nji tempull e jo në nji sallë theatric. Vetëm, kur mërrijtën poetent Fishta, Asdreni, Lasgushi e Ernesti, për të cilët ish rezervue nji lozhë e posatshme pranë palkit, shpërthyen duertroktijet në të katër anët.

Çfaqja artistike nisi me marrjen e njij cope muzike prej anës s’orkestrës së Shoqnis “Rozafat” dhe, fill mbas kësaj, duel në palko At Gjergj dhe nisi ligjëratën nën heshtjen e plotë të publikut. Përkujtoi, ndër fjalët e tija të thjeshta, kohën e robnis e peripetit dhe andrrat e asaj kohe dhe shënoi shkurtazi veprat e ndryshme qi kanë krye ata qi u përpoqën për shvillimin e idealeve kombëtare, tue ramë edhe dëshmorë për ta.

Tha se këta ideale i ngjalli e i plazmoi fuqija e fjalës së shkrimtarëve e sidomos të poetenve kombëtarë dhe theksoji se nji prej këtyne asht Aleksandër Drenova, ai për të cilin po bahej ajo manifestatë prej anës së popullit shkodranë në shej nderimi dhe evarije. Shoqnis “Rozafat” qi kishte organizue kët çfaqje i drejtoj përgëzimet e tija dhe i uroi ditë përherë ma të mira për përparimin të kombit e lumni t’Atdheut e të Fronit. Duertrokitjet, mbas këtynë fjalve, plasën në të katër anët dhe vazhduen për nji kohë të gjatë.

Në kët moment, duel në palko Aleksandër Drenova, i cili, i prekun aqë thellë në zemër për çfaqjet qi iu drejtojshin, nuk muejti të nxjerrë fjalë prej goje, por përqafi me nji thjeshtësi At Gjergjin, përqafje qi ju këmbye po me at semplicitet, çka provokoi duertrokitje e enthusjasëm aqë të thekshëm në publik sa ishin asish qi nuk mbajshin lotët. Ky akt, duem me thanë përqafja e dy vjershtarve në palko, qe me të vërtetë pathetik e i madhnueshëm.

Mbasi mori nji copë tjetër orchestra, Ernest Koliqi, duel në palk me nji djalë të vogël, të nipin e dëshmorit Zef Harapit, të cilin e paraqiti tue thanë se do të lexonte nji  vjershë patriotike t’Asdrenit nji prej aso vjershash qi ngallnuen axhen e tij për të dhanë jetën për atdhe. Leximi i vjershës provokoi duertrokitje tjera të zjarta e të parreshtuna.

Mbrapa mandej vazhdoi eksekutimi i copave t’orkestrës dhe të këndimit të Zojushës Tashko e përcjellun me piano prej Zojushës Aleksi.

Zojusha Tashko, sikur dy netë ma parë, tregoi nji aftësi të çqueme në këndim dhe zotnimin e njij zani të pastër dhe të shprehjeve lirike. Artistija e ynë u çfaq në naltësin e hartit të saj sidomos në këndimin e copës së Traviatës, Follie, Follie, të cilën e këndoi plot mjeshtëri e gjallni në fund të koncertit.

Gjithashtu, tregoi zotsi e shkathsi të çqueme në piano Zojusha Aleksi. Si sosi koncerti, z. Aleksandër Drenova, falenderoi publikun nga lozha ku kish zanë vend. Edhe ky e drejtoi përsëri duertrokitje dhe çfaqje nderimi ma të përzemërt e të nxehtë. Asdreni po vazhdon të vizitojë institutet kulturale të qytetit t’onë. Trupi i profesorave të gjimnazit shtetnuer e ftoi në drejtorin e shkollës dhe e gostiti me nji vermouth, ku morën në grup edhe nji fotografi kujtimi. /Violeta Murati/ KultPlus.com

Të ngjajshme