Asim Lokaj, krijues i bukurisë dhe dhembjes

15 Nëntor, 2018 - 7:00 pm

“Në duart e Nënës Tereze kam përjetuar dhe shprehur bashkëpunimin mes Zotit dhe njeriut”.

Nga Don Lush Gjergji

Kaluan- të mos them, “fluturuan” dymbëdhjetë vite nga kalimi në amshim i Mikut, Vëllait, Krijuesit, Skulptorit, Artistit të mirënjohur dhe të dashur, prof. Asim Lokaj. Kujtimi për të, zgjon në mua shumë ndjenja, përjetime, takime, bisedime, këshillime, propozime, shkëmbime mendimesh dhe propozime, të cilat as vetë nuk e dija se janë diku në brendinë dhe në thellësinë time, në mendje dhe në zemër, pa u përqendruar dhe thelluar në to.

Asim Lokaj (1951-2001) – ishte pikësëpari njeri i bisedimit, dialogut dhe komunikimit të thellë dhe në trajta të ndryshme. Ai i bartte në vete peizazhin e bukur të natyrës nga vendi që rridhte; rrethi i Deçanit, Pejës, Rugovës, ku Zoti ishte “argëtuar” në krijimin dhe trajtimin e bukurive të rralla natyrore. Aty ku syri nuk ngopet dhe nuk lodhet kurrë në të shikuar dhe shijuar; ku zemra qetësohet dhe emocionohet gjithnjë, ku jetohet dhe krijohet me frymëzim dhe me dashuri, ai “merrte” lëndën e parë, kujtimin dhe frymëzimin.

Njëherë më tha kështu: “Për mua, pasqyra e Zotit, janë bukuritë natyrore, malet dhe kodrat tona, dëbora dhe akulloret që gjithnjë na ftojnë dhe sfidojnë që të jemi të pastër, të panjollë, ta imitojmë natyrën që gjithnjë na zbulohet dhe dhurohet në katër stinët e vitit, duke garuar në bukuri dhe begati… E ne njerëzit?”.

Dhe këtu u ndal, me një shikim tipik dhe karakteristik të tij, pastaj me një ofshamë të thellë “foli pa fjalë”, pastaj vazhdoi kështu: “Ne njerëzit…, më duket sot po e bëjmë të kundërtën, po garojmë vetëm për të keqe! Gjendja jonë bindshëm dëshmon këtë konstatim të hidhët dhe të vërtetë… Si duket, ne, njerëzit, popujt, asgjë nuk kemi mësuar nga historia…”.

Mendimet dhe analiza e Asimit ishte e saktë, e thellë, dilte nga mendja e shqetësuar dhe zemra e lënduar e një Artisti dhe Krijuesi, i cili pikërisht në këto “kundërthënie”, e gjente frymëzimin për jetë dhe krijimtari.

Kishte dëshirë ta punonte shtatoren e Nënës Tereze. Kërkonte gjithnjë e më shumë njohuri, shkrime, libra, fotografi, përvoja, takime me mua, sepse e dinte që afro 30 vite isha njohur dhe shoqëruar me atë në meridianët e ndryshme të botës.

Më thoshte kështu: “Dua ta mishëroj sa më bukur Nënën Tereze për mendjet dhe zemrat tona, edhe më gjerë, për mbarë njerëzimin… Ndihem shumë i lumtur që kam këtë mundësi, rast, privilegj, sepse me duart e mia do ta trajtoj shtatoren e saj, nëpërmjet kësaj shtatore shpirtin dhe zemrën e madhe tëNënës Shqiptare, Nënës Universale, të personifikimit të dashurisë dhe flijimit…”.

Dhe e kishte filluar punën me shumë vrull, bindje, vullnet, mbi të gjitha me frymëzim dhe dashuri të cilën e derdhte në këtë trupore. Sillej andej-këndej, në çdo kënd, disi e vrojtonte, shqyrtonte, gati-gati fliste dhe komunikonte gjithnjë me të.

Gjatë punës disa herë e vizitova, sepse ai këtë e dëshironte, bile disi edhe ma kërkonte, se më thoshte kështu: “Ti ke pasur fatin dhe dhuratën ta takosh për së gjalli shumë herë…, ta prekësh me duar tua, ta shikosh me sytë tu, ta dëgjosh me veshët tu, ta përjetosh me zemrën tënde… Unë kam dëshirë që truporja e Nënës Tereze të jetë madhështore, siç ishte ajo dhe vepra e saj, por edhe e ngrohtë, e përzemërt, e dashur, Nënë, siç ishte gjithnjë. Këto dy elemente, madhështia dhe dashuria, na duken ne së nuk përputhën, por në jetën dhe veprën e Nënës Tereze, janë një, si shkruan Ti, “dashuria në vepër”.

Në çdo takim, hetoja bukuri, shpirt, frymë, gjallëri te shtatorja e Nënës Tereze. Njëherë si në hoka i thashë kështu: “Asim i dashur, edhe ti po më dukesh si Michelangelo, flet me skulpturat tua, e ndoshta hidhërohesh pse ato nuk flasin dhe nuk të përgjigjen ty…”

Përgjigjja e tij ishte magjistrale: “Unë vazhdimisht jetoj, komunikoj dhe flas me Nënën Tereze… Dhe gjatë këtij punimi, më duket se është në dorën time… E bukura e gjithë kësaj është se edhe ajo më flet, më përgjigjet, disi “bashkëpunon” me mua, si të më thoshte: kështu po, apo kështu jo… Duart e saja të paluara dhe bashkuara në uratë, pastaj të hapura në shërbim dhe flijim, janë përqafimi i botës së mjerimit… Në dy duar të gërshetuara “Besëlidhja shqiptare” kam simbolizuar takimin, afrimin dhe bashkimin tonë ndërshqiptar… Në duart e Nënës Tereze kam përjetuar dhe shprehur bashkëpunimin mes Zotit dhe njeriut…”.

Këtu, doemos ndërlidhem me gjendjen tonë të vështirë, mos të them të pamundshme, të vitit 1989-1990, kur çdo gjë që ishte e vlefshme dhe e virtytshme, njerëzore dhe kombëtare – shqiptare, ishte në cak të sulmeve, padive, shpifjeve, deri te planifikimi sistematik i përgjysmimit apo edhe shfarosjes sonë.

Mirëpo, deshi së pari Zoti, pastaj edhe Populli Shqiptar, si dhe bashkësia ndërkombëtare, që t’i kundërvihemi këtyre planeve dhe synimeve, me tri lëvizje të “Pranverës së Madhe 1990” tashmë të njohura: Pajtimi i Gjaqeve, themelimi i Shoqatës Humanitare-bamirëse të Kosovës “Nëna Tereze” dhe krijimi i sistemit paralel shkollor dhe shëndetësor.

Nëpërmjet Pajtimit të Gjaqeve, edhe ne u vetëdijesuam më mirë për gjendjen reale, tejet të rëndë dhe për shumëçka edhe dramatike, me hasmëri, ngatërresa, hakmarrje, urrejtje të dimensioneve të paparapara dhe tejet të rrezikshme, që ishte një lloj “bombe e fshehur” para eksplodimit. Hak ose gjak-marrja ishte “kanceri ynë” i brendshëm, nëpërmjet të cilit ishte shumë lehtë robërimi ynë shpirtëror dhe kulturor, kërcnimi dhe rrezikimi ynë kombëtar dhe njerëzor në çdo kohë dhe hapësirë.

Rinia jonë, në krye me Anton Çettën, prof. Dr. ZekiriCanën dhe shumë të tjerë, bashkësitë tona fetare, me intelektualë dhe krijues të profileve të ndryshme, ndër të cilët ishte edhe Asim LOKAJ, kuptuam “momentin e hirit”, si do të thuhej, sot apo kurrë, dhe dolën në një “dyluftim” kundër kësaj tradite shekullore të gjakmarrjes, duke demaskuar këtë dukuri antinjerëzore dhe antishqiptare.

Dhe ndodhi Populli. Ndodhi Mrekullia, Ndodhi Pajtimi i gjithmbarshëm shqiptar në Kosovë dhe në viset tjera tona me 1275 pajtime të gjaqeve.

Dora e pajtimit dhe vëllazërimit, mrekullisht e simbolizuar dhe punuar nga Asim LOKAJ, në dy punimet e lartpërmendura, atë të “Besëlidhjes shqiptare” dhe në shtatoren “Nëna Tereze”, tashmë ishin dhe mbesin murana dhe parandalimi i së keqes, vetëvrasjes, vëllavrasjes dhe vrasjes ndër ne.

Kështu iu bashkëngjitëm Nënës Tereze në krijimin dhe përforcimin e dy shtyllave të saja: të kulturës së jetës dhe qytetërimit të dashurisë.

AsimLokaj thoshte: “Pasi po pajtohet populli im shqiptar dhe po e shfaros hakmarrjen, mund t’i mbylli sytë dhe i qetë të kaloj në amshim… Porosia e duarve dhe e paqes tashmë po mishërohet dhethellohet ndër ne, parakusht ky qenësor për liri dhe demokraci të mirëfilltë”.

Nga ky shoqërim dhe komunikim doli për mua kryevepra e AsimLokaj, Nëna jonë Tereze, Bija, Motra, Nëna shqiptare, tashmë Nëna e mbarë njerëzimit.

Dhe Miku, Vëllai, Krijuesi, Aristi, Skulptori AsimLokaj u nda prej nesh në moshën më të bukur të jetës dhe krijimtarisë… Misteri i jetës, vdekjes, amshimit.

Mirëpo, ai tashmë i liruar nga koha dhe hapësira, trupi dhe natyra, jeton në shoqëri me Krijuesin e së bukurës, Zotin e amshimit. Dhe veprat e tija, të krijuara në kohë dhe në hapësira tona, në një kohë pa “kohë”, kur rrezikon gjithçka, dëshmojnë talentin, dashurinë, krijimtarinë e tij, për mua janë një rreze frymëzimi dhe amshimi.

Me një rast e pyeta: “Asim i dashur, si mund të krijosh në këto kushte, kur askush prej nesh nuk e di a do të jetë i gjallë edhe një ditë? Kjo gjendje, të pengon apo…”.

Ma kishte lexuar mendimin dhe pyetjen time. Më tha: “Po mos të ishte atdhedashuria, krijimtaria, frymëzimi, puna artistike…, nuk di çka do të bëja, si do të jetoja… Unë jetoj për ta mishëruar në krijimtarinë time këtë ankth, frikë, shqetësim, vuajtje, rrezikim, dhunë… Nëpërmjet veprave të mia “shkruaj” apo shënoj këtë histori… Asnjë vepër apo krijimtari e madhe, nuk ka lindur në kënaqje, argëtim, dëfrim, zbavitje, por në dhembje, pikëllim, sepse si thoshte Nëna Tereze, njeriu mu atëherë e “jep pjesën më të mirë të vetvetes – dashurinë”.

(Promovimi i monografisë Asim LOKAJ, Monografi artistike (1951 – 2001), Shoqata e Intelektualëve “JAKOVA”, 2018, f. 2518, Biblioteka Kombëtare “PjetërBogdani”, Prishtinë, 15 nëntor 2018). /KultPlus.com

Të ngjajshme