Asnjëherë nuk do ta njohim veten nëse nuk do t’i mundësojmë asaj të rrijë me ne dhe të na flasë me zemër në dorë për vetën tonë

1 Nëntor, 2019 - 10:30 pm

Nga Albert Vataj

Ij vetveja, kaq mjafton

Mjafton që ju të keni dëshirë dhe gjithçka për të cilën keni nevojë, bëhet e juaja si me magji. Fatkëqij janë ata që ndjejnë brena vetes nevojën për trazim, dhimbje, pikëllim… dhe ankimimi është i vetmi mol ku ata ankorojnë varkën e tyre të drobitur nga përpjekja për të mbërritur brigjet.
Besoni tek vetja dhe ky altar i dëgjon lutjet tuaja, i pranon fajet dhe shuguron pendesat e mëkatimeve që të kanë gjunjëzuar në ngulmin për të pranuar të mbeteni vetja, në një realitet i cili kërkon të të robërojë duke shkatërruar ditë pas dite çdo gjë që ju ishit, gjithçka që ju kishit të shtrenjtë në shenjtërinë e misionit të përsosjes.

Asnjëherë nuk do ta njohim veten nëse nuk do t’i mundësojmë asaj të rrijë me ne dhe të na flasë me zemër në dorë për vetën tonë. Atë vetvete që shumë nga ne janë detyruar ta braktisin, për t’iu vardisur një modeli apo arketipi të fabrikuar në të sotmen e shumësimit të përngjasimeve. Sepse që të jesh kohanik, që të mbijetosh në një xhungël, domosdoshmërish duhet të pjesëmarrësh në tërësinë e gamës së saj, qofshin këto ligjësi edhe prej atyre që bien ndesh me integritetin tuaj.

Të duhet të bësh si të tjerët, duke sakrifikuar gjithçka që të identifikon?!
Ne lidhemi me njerëzit, me objektet, me situatat, me sipërmarrjet, me tërësinë rrethuese në përditshmërinë që konfirmon veprimtarinë jetësore, sepse tek kjo marrëdhënie ne i japim kuptim reciprocitetit si thelb. Ne japim dhe marrim sipas një ligjësie korrektese të paravendosur, nxitur nga nevoja imediate. Por këto ekuilibër me kalimin e kohës degjenerojnë duke prishur çdo rregull, shkallmuar çdo normë, dhe kërcënuar në mënyrë insistuese atë që na përfaqëson dhe që duhet ta mbrojmë me çdo çmim.

Ja ku gjendemi tani, ne dhe realiteti, ballë për ballë. Vetja jonë dhe realiteti; ai i një përzierje egrashe i egove të sëmura, ambicieve narciziste, paranojës së sundimit absolut, perversitetit të neveritshëm, llamburtjes cingëritëse të një shkëlqimi fals, mëshirës si modë dhe propagandë poshtërimi, idealizimeve boshe, mjaftueshmërisë së të sipërfaqshmes, megalomanisë që jargitet e përmjerr, nderit të nëpërkëmbur e kreshtave të thyera të krenarive që zvarriten, moralit që ndërron fytyrë e shtrat, krekosjeve që baltosin çdo nder e virtyt, llojshmërive të budallallëkut që serviren me një ekselencë bajate, ideve iluministe që shkëmbehen me para, hirësive të blatuar në altarë që përçuden e blasfemojnë, ëndrrave që kyçen komave, syve që të ç’jerrin e buzëqeshjeve që kafshojnë, ajrit toksik që marrim dhe vetes që lejon ta fyej çdo frymor.

Bota nuk ka gjasë t’i bindet emergjencës për ndryshim, por vetja jonë nuk ka pse të mbetet në grackën ku e ka flakur jeta. Atëherë ai duhet të thërrasë veten në takim. Një vetmi e nevojës për pendesë, shpagim dhe paqe. Kjo vetmi nuk është thjeshtë një shkëputje nga njerëzit. Një “armiqësi” me ata që janë pjesë e pandashme e jetës sonë, është zhvendosje në një dimension tjetër, është një zgjim prej një gjumi të rëndë ngërthyer në ëndrra dhe përpëlitje cfilitëse, është një ç’burgosje prej zhguallit të rutinës dhe apokalipsit ku e çdoditshmja na mban të ngujuar, duke na shndërruar në njësi, pjesëz të së tërës.

Ne jemi ajo vetvete që meriton të na njohë, sepse vetëm kështu ne rifitojmë pavarësinë nga bota që na rrethon, duke i’u qasur asaj si identitete unike që arrijnë ta bëjnë atë një realitet të larmishëm ku të gjithë jetojnë brenda vetes së tyre dhe jo brenda të tashmes si një lëndë që ka të kushtëzuar tjetërsimin.

Në kushtet kur e gjithë bota ka marrë flakë, e vetmja mundësi që të ka mbetur është të shpëtosh veten. Koha, doktrina, idealet, parimet, kauza, nuk kanë nevojë për martirë. Është vetja juaj që kërkon të bashkohet me ju në këtë përballim të vështirësive, në këtë sfidë të nevojës për të konkuruar dhe triumfuar si një vetvete që t’i rikthen të gjithë territoret e lëna, përfshi dhe njohjen me të.
Ij vetja, mëton filozofia. /KultPlus.com

Të ngjajshme