17 Korrik, 2019 - 10:30 am
Nga Fatmira Nikolli
Mami, unë dhe mami është historia prekëse e një ndarjeje dhe e një bashkimi, si dhe portreti optimist i mëmësisë. Me gjithë traumat e rrëfyera këtu, dashuria e nënës ndaj bijës mund të përmblidhej në një rresht: “Shpirt, e kam menduar gjatë dhe tani jam e sigurt. Ti je gruaja më e shkëlqyer që kam njohur në jetë.” The Indipendent
Të jap fjalën se nuk do të të lë më kurrë. Nëse iki, kur të iki, kudo që të shkoj, do të vish edhe ti me mua, përndryshe nuk kam për të ikur”.
Duke risjellë në kujtesë këtë marrëdhënie të koklavitur, autorja zbërthen për herë të parë rrugëtimin nënë-bijë drejt pajtimit, lidhjes së fortë dhe ndihmës… sipas Booklist, Maya Angelou portretizon gjallërisht një grua me shpirt të fortë. Një kronikë e mrekullueshme dhe thellësisht domethënëse e dhembshurisë dhe e ripërtëritjes.
Një prej librave më të njderë të një prej autoreve më të njohura në botë, vjen në shqip nën siglën e Botimeve Pegi me përkthim të Jerina Dushkut. Dhe flet për dashurinë. Atë lloj dashurie që të shëron dhe të çliron, që të jep forcën dhe kurajon për t’u ngritur nga thellësi të pamata në lartësi të pamundura. Në këtë libër autobiografik, autorja e njohur rrëfen marrëdhënien më kuptimplotë të jetës së saj: atë me të ëmën. Për herë të parë, Angelou zbulon vështirësitë dhe gëzimet e të qenit bija e Vivian Baxter-it, një shpirt i paepur në një trup të vogël. Trup imcak, që maskon praninë gjithëpërfshirëse, por të munguar, të nënës gjatë fëmijërisë së shkrimtares. Kur martesa e saj filloi të shkërmoqej, Vivian Baxter-i i dërgoi dy fëmijët (djalin e madh dhe Maya-n trevjeçare) tek e vjehrra, në Arkansas. Ndjenja e braktisjes, pasojë e kësaj ndarjeje të dhimbshme, do ta shoqëronte gjatë Angelou-n. Dhjetë vjet më vonë, bashkimi i tyre do të shënonte pikënisjen e një historie të parrëfyer më parë. Sikur të mos mjaftonte ajo traumë e parë, jeta e saj do të karakterizohej nga një luhatje e atillë fatesh, sa të paktë do të ishin ata që do të kishin arritur të mbijetonin, e akoma më të rrallë ata që do të gjenin suksesin dhe famën ndërkombëtare. Në këtë rrëfim të fundit, të botuar vetëm një vit para se të ndërronte jetë, Angelou na paraqet një ndër marrëdhëniet më të gjalla, shpërblyese dhe të ndërlikuara të jetës së saj. “Mami, unë dhe mami” zbulon shërimin e plotë, të bazuar në dashuri, kohë dhe energji, por që në fund i dha autores forcën dhe kurajën për t’u ngritur nga thellësi të pamata në lartësi të pamundura.
“Dashuria të shëron. Të shëron dhe të çliron. Them ‘dashuri’ jo në kuptimin sentimental të fjalës, por për atë gjendje aq të fortë, sa mund të jetë bash ajo që i mban yjet të fiksuar atje lart në qiell dhe e bën gjakun të rrjedhë rregullisht ndër vena”, thotë autorja në libër.
AUTORJA
Maya Angelou (lindur Marguerite Annie Johnson, 4 prill 1928 – 28 maj 2014), ishte poete, këngëtare, shkrimtare dhe aktiviste e të drejtave të njeriut. Me më shumë se 50 vjet veprimtari krijuese mbi shpinë, ajo është autore e shtatë librave autobiografikë, tri përmbledhjeve me ese, disa përmbledhjeve me poezi dhe e një sërë veprash teatrale, filmash dhe programesh televizive. Ka marrë dhjetëra çmime e mbi 50 diploma honoris causa. Ajo njihet kryesisht për shtatë autobiografitë, të cilat rrëfejnë fëmijërinë dhe adoleshencën e saj. Romani i parë, ‘I know why the caged bird sings’ (1969), është ndoshta ai që i dha edhe famë ndërkombëtare; ky libër do të vijë së shpejti në shqip nga ‘Botimet Pegi’. Me botimin e kësaj autobiografie, Angelou shfaqi publikisht një sërë aspektesh tejet personale të jetës së saj. Me kalimin e kohës, ajo u bë zëdhënëse e njerëzve me ngjyrë dhe e grave në ShBA. Ndonëse janë bërë përpjekje të herëpashershme për të bllokuar qarkullimin e librave të saj në librari dhe biblioteka, veprat e saj studiohen gjerësisht në shkolla dhe në universitete, në të gjithë botën. Në lidhje me kategorizimin e prozës së saj, kritikët letrarë kanë mendime të ndryshme; disa e quajnë autobiografi të mirëfilltë, ndërsa të tjerë e konsiderojnë krijimtari letrare, që ka marrë shkas nga jeta e saj personale. Në fakt, veprat e saj duket se përfaqësojnë një përpjekje të ndërgjegjshme për të sfiduar strukturën e zakonshme të autobiografive, duke e kritikuar, ndryshuar dhe zgjeruar këtë zhanër. /KultPlus.com