16 Korrik, 2019 - 8:01 pm
Jonida Aliçkolli
Unë kam një motër… më të vogël. Jemi sharë, jemi krefur, shkulur flokët, përqafuar, qarë, treguar sekrete qe mami ende nuk i di, me pushime me vete, të dalat me vete, ulerima pa fund dhe dëshperim pa fund tani që jemi larg… Nuk e di si do ishte jeta ime nëse do të kisha një vëlla por falë sime motre dhe lidhjes së fortë me të, kam dashur gjithmonë të kem dy vajza. Sigurisht që njësoj do ti doja edhe nëse do te ishin djem por nuk e di pse e ndiej qe jam shumë “mam gocash”. Me pak fjalë unë jam shumë e lumtur me dy vajza por mesa duket nuk janë edhe aq njerëzit që takoj çdo dite, ata që njoh e nuk njoh.
“Hajde bëje çunin tani”, “Këtë të voglën e ke si çun, po e përgatit vëllain”, “Bëje edhe një çun se të duhet”…
Më duhet? Përse më duhet? Ku e di ti që më duhet? Për çfarë mu dashka kaq shumë një djalë? Të na trashegoje mbiemrin “mbretëror” me gjak blu që kemi nga Berati dhe Pogradeci po “lind e rrit m’Tiron”?
Domethenë unë nuk do ta kuptoj kurrë këtë aftësinë e shqiptarëve për t’u futur te “brekët” e për të bërë llogaritë e tjetrit. Po një nëne që ka dy djem pse nuk i thoni: “bëje një vajzë se të duhet”?
Të “duhet”…pffff nuk besoj se ka perceptim më të shëmtuar.
Po si mund të thuash për një fëmijë, qoftë vajzë apo djalë,
bëje se të duhet? Fëmijët nuk bëhen se na “duhen”, të jenë një herë aty
vërdalle. Janë bekim që ja uroj me zemër gjithkujt ta provojë.
Une jam bekuar dy herë dhe kjo është ajo që na duhet vërtetë në jetë sepse jo
të gjithë e kanë këtë privilegj.
Ahhh se harrova fjalinë bindëse për t’i hyrë “punës” për djalin. “Bëje një çun ta kesh për vete se gocat janë për babin”! Seriozisht?! Si fillim këtë babin për të cilin po flasim e kam zgjedhur me gjithë dashurinë e mundshme dhe momentet më të bukura të ditës për mua, janë kur i shoh që luajnë të tre dhe vajzat e mia çmenden pas tij. Pastaj unë si “gocë” kam qënë dhe jam e të dy prindërve… Pikë të dobët e kam babin dhe zemra më dridhet për mamin.
Nëse unë do bëj një fëmijë tjetër do ta vendos unë dhe im shoq dhe nuk ka pikë rëndësie nëse do të jetë vajzë apo djalë, do ta duam njësoj. Deri në momentin që nuk e mbani ju në bark, nuk kaloni dhimbjet e lindjes, netët pa gjumë, erdhi gjiri-iku gjiri, shqetësimet kur sëmuret, vaksinat, shpenzimet për gjithçka që i duhet një fëmije të rritet mirë, mbylleni atë gojë dhe boll dhatë mend… Prindërit e mi janë shumë të lumtur që kanë dy vajza e po aq të lumtur jemi unë dhe im shoq. Në të ardhmen do të kem edhe unë dy djem, të cilëve do t’u besoj thesarët e mi por deri atëherë më lini të shijoj vajzat!/KultPlus.com