12 Korrik, 2018 - 10:30 pm
Nga Fitore Rubovci
Më 14 korrik të këtij viti mbushen 100 vjet nga lindja e regjisorit suedez me famë botërore Ingmar Bergman. Veprimtaria e tij kinematografike është mjaft e bujshme, me 60 filma. Ai ishte edhe një regjisor i famshëm teatri, i cili realizoi 170 produksione teatrore. Një shkrimtar po ashtu i mirënjohur, me 100 vepra e artikuj të ndryshëm.
Veprat e mëdha zakonisht lënë gjurmë të pashlyeshme në fushën ku ato bëhen. Kështu është edhe me Ingmar Bergmanin. Veçantia e tij regjisoriale është edhe sot e kësaj dite tepër kreative, si edhe qasja e tij ndaj tematikave, të cilat asokohe ishin pak të njohura, janë realisht tema të mëdha ndonëse duken të vogla. E tërë veprimtaria e tij artistike e shpreh këtë, por veçanërisht disa prej filmave të tij sikurse është filmi i shquar Ëild Straëberries (1957), The Silence (1963), si dhe filmi që shkëlqeu Persona (1966). Të gjithë këta filma kanë sjellë risi regjisoriale, për çka edhe janë me shumë vlera.
Po çka është ajo që e shquan qasjen regjisoriale të Bergman?
Në fokusin e tij regjisorial Bergman e ka individin, zakonisht dy individë. Nëse ka ndonjë tjetër, ai/ajo më tepër është në rolin pasiv, disi si sfond apo si prezencë e heshtur (p.sh. fëmija Johan luajtur nga Jörgen Lindström te The Silence). Pikërisht në këtë tematikë Bergman bën kthesën e madhe regjisoriale: individi e përjetimi i tij i brendshëm dominojnë në filmat e mësipërm. Individi, në të vërtetë, nuk trajtohet thjesht si një individ i vetëm, ai është më shumë, ai pasqyron në veten e tij dhe përmes vetes së tij një shumicë individësh të panumërt ku secili gjen diçka të tijën, të veten nga ajo nëpër të cilën kalon personazhi në film.
Bergman ka zgjedhur të vërë në fokus gjendjen psikologjike. Këtë e motivon fuqishëm. Te filmi Persona, aktorja Elisabet (luajtur nga Liv Ullman) ndal së foluri në skenë derisa po luante rolin e Elektrës, ndoshta si metaforë për një mëkat që individi e bart në vetvete ani se të tjerët mund të mos e dinë atë. Ose te Ëild Straëberries, kryepersonazhi profesori Isak Borg (luajtur nga Victor Sjöström) ndjehet sikur është në një gjendje të pakohë që e shprehë ora pa akrepa, si për të treguar se ai jeton me kujtimet e së kaluarës, me një dashuri që ai nuk e realizoi dhe me sa duket ka vuajtur tërë kohën për të, aq më tepër duke e mbajtur në vetvete si një barrë.
Si e këtillë, ndonëse përjetimi psikologjik është individual, ai mund të jetë i shkaktuar por edhe reflektim i gjendjes së shoqërisë, shoqëri e cila shfaqet vetëm si sfond. Indiferenca e mospërfillja e shoqërisë përjetohet si ngulfatje për individin, e bën të ndjehet i vetmuar, i huaj, i mbetur jashtë, i papërfillshëm, thuajse inekzistent. Te filmi The Silence ambienti është një herë kupeja e mbyllur e trenit e pastaj dhoma e hotelit; te Ëild Straëberries shtëpia dhe vetura; te filmi Persona është shtëpia në periferi etj. Kupeja, dhoma e hotelit, vetura, shtëpia në periferi paraqesin gjendje vetmie, izolimi dhe qetësie, do me thënë të shkëputur nga shoqëria. Duket sikur regjisori ka krijuar kushte laboratorike në të cilat protagonistët janë detyrimisht të lidhur njëri me tjetrin. Kështu, identiteti regjisorial i Bergman shkëlqen pikërisht me sjelljen në epiqendër të audiencës jo dramën kolektive, po dramën individuale, të njeriut të veçantë, si përjetim i rëndë dhe me pasoja për tërë jetën.
Dramës së brendshme të individit Bergman i dha fuqi dhe e bëri të vëmendshme për audiencën, po si e bëri ai këtë?
Temat e vëna në fokus, në dukje, janë tema thuajse të papërfillshme (p.sh. tre filmat e apostrofuar më sipër), tepër specifike brenda veprimeve të filmit. E megjithatë, gjenialiteti regjisorial i Bergman i shndërron ato në shumë të fuqishme emocionalisht, duke zbuluar një botë të brendshme dhe të thuaja krejt të panjohur gjë që i bën edhe sot e kësaj dite, në një farë mënyre, të na përcjellin mesazh të qartë.
Ajo që i bënë mbresëlënës filmat e Bergmanit është, po ashtu, refuzimi i individit për të qenë e i hapur me shoqërinë, ikja nga rrethi dhe mbyllja në vetvete, në gëzhojën e vetmisë e cila konsiderohet kjo si dënim (prof Isak Borg e po ashtu edhe më fuqishëm aktorja Elisabet).
Shpesh ajo që të bie në sy është loja me personazhin kryesor (The Silence, Persona). Intriga regjisoriale duket se krijon perceptimin se filmi i dedikohet një personazhi (p.sh. shkrimtares Ester te The Silence, apo aktores Elisabet te Persona), kurse në të vërtetë gradualisht personazhi tjetër, në shikim të parë me rol dytësor, shndërrohet në rol kryesor (Ana e luajtur nga Gunnel Lindholm te The Silence, motra medicinale Alma a luajtur nga Bibi Andersson te Persona). Del se personazhet e menduara kryesore janë më tepër në rolin statik, kurse personazhet në dukje të roleve dytësore janë, në të vërtetë, në rolin aktivë, janë dinamikë.
Në filmat e apostrofuar që i kanë bërë famë Bergmanit zakonisht janë, sikurse u tha, dy personazhe. Nga aspekti i veprimit e tërë ngjarja zhvillohet rreth tyre dhe me ta. Kjo është një sfidë, për shkak se është shumë e zorshme që përmes dy personazheve të mbahet gjallë interesimi dhe vëmendja e audiencës, por kësaj ia arrin shkëlqyeshëm Bergman. Për më tepër, ia del t’ia përçojë shikuesve edhe emocionet, gjë që tregon një mjeshtri të jashtëzakonshme regjisoriale.
Si risi shumë impresionuese regjisoriale, p.sh. te filmi Persona, është kalimi i personazheve në rolet e ndërsjella, konkretisht motra medicinale Alma vepron si aktorja Elisabet, madje sikur të ishte ajo. Pikërisht kjo gjetje e bënë filmin edhe sot e kësaj dite të jetë atraktiv dhe intrigues për ta përcjell me vëmendje deri në fund, duke na bërë të kuptojmë veten tonë: a nuk i japim ne vetes të drejtë (natyrisht pa të drejtë) që të identifikohemi e të ndërhyjmë në fatet e të tjerëve, të flasim e të gjykojmë? A nuk na bënë kjo një katarzë të ndërgjegjes, për të mos paragjykuar dhe për të qenë më të përmbajtur?
Filmat e Bergmanit është lehtë për t´u kuptuar se nuk e kanë të veçantë ngjarjen, por kreativitetin si qasje regjisoriale, gjë që e shpërfaqin edhe filmat më të njohur të tij, si Ëild Straëberries, The Silence, dhe Persona. Kjo ka bërë të mundur që të vihen në plan të parë ndjenjat, përjetimet dhe efektet psikologjike në kushtet e izolimit shoqëror të personazheve, duke u dhënë karakteristikën filmave si depërtim në brendinë njerëzore, gjë që e ruan fuqinë artistike edhe sot e kësaj dite.
Pikërisht ky dimension njerëzor, brendia e tensioni psikologjik, është ajo që do t’i bënte këta filma të Bergman të përjetohen te audienca gjithandej si vlera të krijuara jashtë, dhe të pa infektuara, nga shkëlqimi i shoqërisë; na tërheqin fokusin tonë, si një kthim pas, tek vetvetja, te individi, i mbetur jashtë vëmendjes së shoqërisë. Gjithandej është zhurma e luftës për pushtet dhe rreth pushtetit ajo që ka bërë individi të mbetet në periferi, i harruar, i braktisur, i lënë në fatin e mëshirës, dhe i cili është metamorfozuar në një makineri për prodhim vote dhe asgjë më tepër. Ai ka vlerë vetëm si një konsumator. Në një gjendje të këtillë, individi (në shumësinë e tij më të madhe në shoqëri) ndjen se është kaq i pafuqi, i abuzuar politikisht, i mëkatuar për krimin e pa bërë, i rraskapitur dhe i vetmuar në fatin e tij. Në këtë aspekt, filmat e Bergmanit e tërheqin vëmendjen duke e vënë në epiqendër pikërisht individin dhe fatin e tij. Edhe pse në procese globalizimi, duket sikur Bergman bënë thirrje njerëzore, shihni – individi është ende gjallë, jeton, mos e harroni, jepini vëmendjen e nevojshme!
Edhe më të rënda janë plagët e mëdha të dhunës. Problemet e sigurisë, terrorizmi, luftërat e armatosura shkaktojnë tragjeditë të panumërta. Shoqëria njerëzore në shumë vende të globit lëngon dhe mbetet nën trysninë e pasigurisë, frikës, tragjedisë, zhdukjes e humbjes pa gjurmë. Përdhunimet seksuale janë një dramë e rëndë. Si pasojë, sa e gruaja po të hynin në rolin e Elektrës do të mbeteshin si aktorja Elisabet e Persona, të pa fjala!? Nuk ka gjuhë që do të mund të shprehte përjetimin individual të tyre, një ngarkesë psikologjike që vetëm ato mund ta ndjejnë e ta dinë. Heshtja e tyre nuk është heshtje, është një tension i lartë shokues, që i bënë ato të vuajnë dhe vetëm të vuajnë. Sigurisht shohin ëndrra të këqija dhe tmerrohen prej tyre.
Ka, gjithsesi, shumë për të thënë për Bergmanin. Unë do të ndalem këtu. Krejt në fund, dua të nënvizoj se ai është piktor i fateve, i dramave njerëzore, me një kompozicion të jashtëzakonshëm, ndonëse në epiqendër ka fatin individual, e secili njeri është një individ. Pikërisht në këtë kontekst, filmat e Bergmanit edhe sot e kësaj dite mund të luajnë një rol emancipues për shoqërinë dhe për vetë individët, si në aspektin moral ashtu edhe në atë psikologjik, jo duke ikur nga njëri-tjetri, por duke bërë të kuptueshme kalvarin nëpër të cilin kalon secili individ, dhe mbase edhe nevojën për solidaritet me njëri-tjetrin. Prandaj, në këtë 100-vjetor të lindjes, Bergman vjen me jehonë madhështore edhe në kohën tonë.
(Autorja është dramaturge, skenariste filmi dhe regjisore teatri)