2 Mars, 2018 - 3:11 pm
Shkruan:Paulin Zefi
*Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, duke analizuar kronologjinë e ngjarjeve të së shkuarës së afërt, kishte nxjerrë mësime dhe konkluzione nga shtypja e pamëshirshme e kryengritjeve anti-osmane që u zhvilluan përgjatë viteve 30-të të shek.XV-të. Asokohe, princat arbër, përfshirë edhe babain e tij Gjoni i I-rë Kastrioti, nuk i kishin rrëmbyer armët të gjithë së bashku duke u sinkronizuar në të njëjtën kohë, por ata luftuan të ndarë nga njëri-tjetri dhe prandaj dështuan përballë ekspeditave ndëshkimore osmane, dështim të cilin e kishin paguar shumë shtrenjtë banorët e pambrojtur të qyteteve, dhe sidomos popullsia e varfër fshatare që jetonte nëpër vatrat kryesore ku shpërthyen këto kryengritje të përgjakshme.
Përvoja e deriatëhershme shqiptare e ballkanike, sidomos kryengritjet e viteve 30 në viset shqiptare, kishin treguar se fuqisë ushtarake më të madhe të kohës, Perandorisë Osmane, nuk mund t’i bëhej ballë pa bashkimin e forcave të brëndshme politike, ushtarake dhe ekonomike si dhe pa bashkëpunimin me vendet e tjera.
Prandaj Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ndoqi një politike të brendshme e të jashtme shumë aktive(K.Biçoku, Skënderbeu, 105). Si rezultat i mizorive dhe barbarizmave pa fund që ushtronin autoritetet osmane mbi popullsinë vendase dhe jehonës së madhe që shkaktoi kryengritja e udhëhequr aq mjeshtërisht nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, u ringjallën shpresat e popullit arbër që mezi po priste për ti këputur zinxhirët e robërisë turke dhe kjo është arsyeja e cila i detyroi të gjithë princërit dhe feudalët vendas që të pranonin ftesën e tij të hapur për ti bashkuar forcat kundër armikut të përbashkët.
Perandoria Osmane përfaqësonte një pushtues të huaj i cili po u kërcënonte lirinë, pronën, gjuhën, kulturën, religjionin, traditat shekullore dhe gjithcka tjetër…Por pavarësisht kësaj gjëndje të padurueshme, amalgama ndërmjet sundimtarëve vendas ishte bërë mjaft e vështirë nga një sistem feudal i rreptë, i ashpër për t’u shembur i cili përgjatë shekujve të mesjetës kishte krijuar vetëm rivalitet, mëri e paragjykime dhe për më tepër, disa princa ishin bërë aq të urryer për popullin arbër, aq sa lidheshin me turqit për t’u ndihmuar në luftën që zhvillonin kundër rivalëve të brendshëm në mënyrë që të mbanin zotërimet e tyre(G.Francione, f.29-30).
Prandaj, nuk ishte aspak e lehtë për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun që të arrinte t’i bindë të gjithë këta sundimtarë që të bashkonin forcat për të luftuar nën një flamur të vetëm dhe kundër një armiku të përbashkët dhe aq të urryer siç ishte Sulltan.Murati i II-të. Më mirë se kushdo tjetër ai e kuptoi se për arbërit nuk do të kishte perspektiva për mbrojtjen e territoreve të lira, duke qëndruar në pozitat e tyre të vjetra, pa kapërcyer copëtimin politik të vendit në një varg zotërimesh të pavarura dhe pa asnjë bazë organizative të qëndrueshme, e cila do të bashkërendonte burimet njerëzore, ushtarake e ekonomike të vendit, si dhe gjithë veprimtarinë e zhvilluar në rrafsh të brendshëm me atë të ndërmarrë në rrafsh ndërkombëtar(Historia e Popullit Shqiptar., Vol. I, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Toena. Tiranë, 2002. f.402).
Kuvendi i Besëlidhjes së Lezhës gëzonte edhe mbështetetjen e Selisë së Shenjtë, sepse ky koalicion politiko-ushrarak do të ndalonte apo më së paku, do të ngadalësonte depërtimin e mëtejshëm të Perandorisë Osmane në Ballkanin perëndimor e cila me vete sillte fenë islame por në një të ardhme të afërt, osmanët, nëpërmjet Arbërisë mundet të kërcënonin edhe shtetet italiane në Gadishullin Apenin. Projekti për realizimin e këtij koalicioni shënonte mendjemprehtësinë dhe largpamësinë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu i cili ishte plotësisht i ndërgjegjshëm për rrezikun osman(A.Gegaj, f.61).
Ai vendosi që t’i thërrasë të gjithë krerët e Arbërisë në një Kuvend për të lidhur një aleancë politiko-ushtarake afatgjatë e cila do të mundësonte organizimin e një ushtrie të përbashkët që do t’i bënte ballë sulmeve të Perandorisë Osmane. Por, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu gjendej përballë një zgjedhje të vështirë, sepse i duhej të përcaktonte një qytet të përshtatshëm për organizimin e këtij Kuvendi të madh. Kruja si kryeqytet i principatës së tij përjashtohej si alternativë, por gjithashtu edhe kryeqendrat e sundimtarëve të tjerë arbër, sepse ai ishte i sigurtë se disa prej të ftuarve do të refuzonin për të marrë pjesë. I gjendur në këtë situatë delikate dhe për të mos i mbetur hatri asnjë sundimtari vendas, ai vendosi që ky Kuvend të organizohej në një qytet neutral dhe alternativa më e përshtatëshme për të gjithë do të ishte pikërisht qyteti i lashtë i Lezhës. Përzgjedhja e Lezhës për zhvillimin e këtij Kuvendi kaq të rëndësishën ku sipas historianit rumun Kostandin Jirecek;”këtu ndodhet shtrati i kulturës ilire ku takohej Lindja Helenistike me Perëndimin Romak”,nuk ishte aspak rastësore por e mirëmenduar nga ana e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu i cili e mori këtë vendim duke u bazuar në disa arsye.
Pikë së pari, Lezha nuk ishte pjesë integrale e asnjë principate arbëre,pra nuk përbënte ndonjë zotërim feudal të caktuar ku mundet që të krijonte pakënaqësi apo hatërmbetje por që nga viti 1393 ky qytet i lulëzuar,deri atëherë kryeqendra e Dukagjinëve,i ishte dorëzuar me koncesion Republikës Veneciane. Nëpërmjet aktit që kishte nënshkruar princi Progon Dukagjini me përfaqësuesin venecian Giovanni Miami ishte vendosur që të gjitha të ardhurat e qytetit,duke zbritur shumën financiare prej 800-dukate si shpenzime për rojet,do të ndaheshin në 3-pjesë nga të cilat; 2/3 i kalonin Republikës Veneciane e cila mbronte qytetin nga sulmet eventuale të Perandorisë Osmane dhe 1/3 e përfitonte Principata e Dukagjinëve me në krye Princin.Progon.etj.
Arsyeja tjetër lidhej me faktin se Republika Veneciane ishte shteti më i fuqishëm europiano-perëndimor i kohës në aspektin ushtarak,ekonomik e tregtar dhe organizimi i këtij kuvendi në një territor që kontrollohej nga venecianët do ti siguronte jo vetëm simpatinë por edhe mbështetjen e nevojshme në luftën që po planifikonte kundër Perandorisë Osmane. Sipas humanistit Marin Barleti i cili parapëlqen që Lezhën ta quajë me emërtimin “Alessium”; pikërisht në këtë qytet u pa e udhës që të organizohej mbledhja edhe për shkak se vendi ishte vetiu i përshtatur, edhe për arsye se ndodhej nën sundimin venecian, që e pëlqenin dhe e kishin fort për zemër të gjithë(M.Barleti, f.95) dhe ndërsa historiani Kristo Frashëri shton se nëpërmjet mbajtjes së këtij Kuvendi në Lezhë, bujarët arbër kërkonin të siguronin Republikën Veneciane se nuk kishin synime kundër saj por gjithashtu, me hamendje, mund të thuhet se u zgjodh Lezha edhe për të kënaqur Dukagjinët(K.Frashëri, f.135).
Kuptohet se organizimi i një Kuvendi të tillë në qytetin e Lezhës jo vetëm që do të tërhiqte Republikën Veneciane në një aleancë apo koalicion të gjerë antiosman në mënyrë që ky shtet i fuqishëm të mos trembej nga bashkimi i krerëve të Arbërisë të cilët po i zbulonin qëllimet e veta haptas e duke u treguar shumë të sinqertë. Gjithashtu, mbajtja e këtij Kuvendi në Lezhë nuk do të krijonte as më të voglin dyshim tek sundimdarët e tjerë arbër që ju përgjigjën ftesës vëllazërore të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu.
Edhe historiani i njohur Prof.Kasem Biçoku, arsyet e zgjedhjes së këtij qyteti i shikon në disa drejtime duke nisur që nga pozicioni gjeografik, afërsia e Lezhës me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të këtij Kuvendi, lidhjet e ngushta ekonomike me viset e çliruara të Arbërisë dhe veçanërisht me Kastriotët dhe në fund, ky autor nënvizon faktin se mbajtja e Kuvendit në Lezhë ishte një thirrje miqësore drejtuar Republikës Veneciane nga fisnikët arbër për të bashkëpunuar në luftën që do të zhvillonin kundër Perandorisë Osmane(K.Biçoku, Skënderbeu, f.105).
Të njëjtin mendim me biografët më të njohur të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, e ndan edhe Prof.Dr.Petrika Thengjilli i cili shkruan tekstualish t kështu; “Për mendimin tim arsyet e zgjedhjes së Lezhës ishin disa: Në radhë të parë do të radhisja qënien e saj nën sundimin venedikas, gjë që mënjanonte çdo mosmarrëveshje ose pakënaqësi të ndonjë princi të veçantë shqiptar, si vend asnjëanës. Me këtë veprim i kujtonin Venedikut se lufta e osmanëve nuk drejtohej vetëm kundër shqiptarëve, por edhe kundër Sinjorisë.
Së fundi, Lezha ishte lidhur ngushtë me zotërimet e Kastriotëve(P.Thengjilli, Skënderbeu; Arritje, Mangësi, f.614)”. Fitoret e para të arritura gjatë muajit nëntor të vitit 1443 dhe sidomos çlirimi i Krujës, i Dibrës dhe i Matit, duheshin konsoliduar e zhvilluar më tej duke vazhduar misionin për çlirimin e të gjithë Arbërisë dhe në këtë kontekst, kuptohet se pa një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet të gjithë krerëve të vendit, projekti ambicioz i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu do të rezultonte një mision i pamundur. Si rezultat i zhvillimit ekonomiko-shoqëror të Arbërisë, Besëlidhja e Lezhës do të shprehte nevojën objektive të bashkëpunimit në një plan politik dhe ushtarak afatgjatë i cili gjenerohej nga kërkesat e luftës difensive përballë një agresori aq të pamëshirshëm siç ishte Perandoria Osmane. Si njohës i mirë i artit të luftës së kohës së vet, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ngjan të ishte i vetëdijshëm se për një kryekomandant, zotërimi i degëve të këtij arti si; strategjia, taktika e madhe, logjistika, inxhenieria(xhenio) dhe taktika e vogël, nuk ishte kurrsesi i mjaftueshëm pa politikën e luftës(A. Plasari, f. 327).
Duke qenë se në personalitetin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu ishin harmonizuar tiparet, aftësitë dhe karakteristikat më të shkëlqyera të një komandanti ushtarak dhe të një politikani shumë largpamës, ai vendosi që t’i thërrasë të gjithë krerët e Arbërisë për të afruar pranë vetes sa më shumë aleatë besnikë dhe duke mos përjashtuar as feudalët e vegjël të cilëve u dërgoi ftesa të veçanta. Themelimi i Kuvendit të Lezhës ishte një hap i rëndësishëm jo vetëm në planin historik, por edhe në aspektin vendimtar e strategjik, si për kombin dhe për fatin e tij(Gj.Keka, Skënderbeu, f.38). Ky bashkim politik ishte hapi i parë i hedhur nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu për krijimin e një shteti kombëtar të përqëndruar duke eliminuar të gjitha pasojat negative që i vinin vendit nga përçarja dhe fragmentarizimi feudal dhe Besëlidhja e Lezhës është e para organizatë politiko-ushtarake e përbashkët që njihet në historinë e Shqipërisë.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte njohës shumë i mirë i gjeopolitikës, sepse gjatë kësaj periudhe, ekspansioni territorial dhe fuqizimi i shpejtë i Perandorisë Osmane ishte kthyer në një kërcënim serioz për sferën e interesave ekonomiko-tregtare të Republikës Veneciane në brigjet e Azisë së vogël,detin e Levantit, emporiumet e mëdha ose kolonitë tregtare në Detin e Zi, ishujt e Egjeut apo brigjet e Ballkanit jugor dhe atij perëndimor ku shtrihej harta e zotërimeve veneciane. Ashtu siç edhe pritej, Republika Veneciane e lejoi zhvillimin e këtij Kuvendi brenda zotërimeve të veta duke dërguar aty një vëzhgues por pavarësisht premtimit për ta furnizuar me armë Lidhjen e Lezhës, ajo u tregua shumë e kujdesshme që të mos i acaronte marrëdhëniet me Perandorinë Osmane duke vijuar me politikën e saj të zakonshme me qëllim për të ruajtur status-quonë. Është për t’u vlerësuar zgjedhja strategjike e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu për të përzier Republikën Veneciane në Lidhjen e Princërve Arbër, pa mbështetjen e së cilës çdo plan afatgjatë rezistence kundër Perandorisë Osmane do të ishte i paracaktuar që të dështonte(G.Francione, f.31).
Pra, me pak fjalë; Lezha ishte i vetmi qytet i Arbërisë që i plotësonte të gjitha kriteret sepse kishte një pozicion gjeografik shumë të favorshëm për mbajtjen e këtij Kuvendi mbarëkombëtar dhe ndodhej në afërsi me zotërimet feudale të pjesëmarrësve kryesorë të cilët ishin kryesisht nga Arbëria e Mesme dhe ajo e Epërme. Në të njëjtën kohë, ky qytet ishte i veçuar në trajtën e një enklave në raport me zotërimet e tjera të Republikës Veneciane dhe në krahasim me qytetin e Durrësit apo Shkodrës, kishte lidhje të ngushta ekonomike dhe tregtare me trevat e sapoçliruara të Arbërisë e veçanërisht me ato të Principatës së Kastriotëve dhe Dukagjinëve.
Shkrimtari i njohur britanik, gazetari, oficeri i inteligjencës detare, eksperti për çështjet ballkanike dhe biografi i heroit tonë kombëtar, Harry Hodgkinson, saktëson se; Edhe pse Lezha ishte një posedim venecian, kjo nuk do të thotë që Venedikasit sponsorizuan konferencën por ata thjeshtë lejuan që të mbahej aty, si qendra më e përshtatshme dhe më e madhe, dhe ata dërguan vëzhgues për t’u siguruar që e dinin se çfarë po ndodhte(H.Hodgkinson, Scanderbeg, f.73).
Në vitin 1444, themelimi i Lidhjes së Lezhës dhe objektivi kryesor i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu nuk i përgjigjej synimeve dhe as nevojave të politikës ndërkombëtare të Republikës Veneciane sepse asokohe, venecianët nuk ishin gati dhe as të interesuar për t’u angazhuar në një luftë në shkallë të gjerë kundër Perandorisë Osmane, për aq kohë sa zhvillimi i tregtisë me pjesën lindore të Mesdheut vazhdonte të ishte shumë fitimprurës. Në vitet 40 të shek.XV, autoritetet shtetërore osmane nuk e cënuan aktivitetin tregtar të Republikës Veneciane në Ballkan dhe Azinë e vogël sepse interesat ishin reciproke por arsyeja kryesore lidhej me mungesën e një flote osmane ndërkohë që Venecia njihej si mbretëresha e deteve. Prandaj, këndej rrjedh edhe ajo lojë e stërhollë e laramane e diplomacisë veneciane, një farë kazuistike diplomatike e cila bën të këmbehen rradhazi bisedimet, kërcënimet dhe veprimet luftarake sipas konjukturave ku detyrimet e saj si fuqi e madhe, bëjnë që Republika Veneciane ta ketë të vështirë t’u japë veprimeve të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, përkrahjen e vet të plotë(F.Thirriet, Konf.e dytë e Stud. Albanologjike, vol.I, 12-18.01.1968, f.62).
Gjithashtu, Republika Veneciane as nuk donte që të inkurajonte unitetin e arbërve, sepse ajo ishte mjaft e lumtur që kishte një koleksion prijësish të dobët ushtarakisht, të pabarabartë dhe të përçarë, të cilët mund t’i kontrollonte nëpërmjet funksionarëve të lartë që kishte caktuar për të administruar qytetet dhe fshatrat e Arbërisë Veneciane.
Por nga ana tjetër, duke qenë se ky Kuvend do të zhvillohej me çdo kusht, sepse Gjergj Kastrioti-Skënderbeu tashmë kishte marrë konfirmimin nga të gjithë krerët e Arbërisë dhe ngaqë kjo nuk varej nga dëshirat e Republikës Veneciane, atëherë ajo u detyrua që ta miratojë zhvillimin e Kuvendit në zotërimet e veta në mënyrë që të siguronte avantazhe të dukshme për ta pasur nën juridiksionin e saj. Duke lejuar dhe përkrahur mbajtjen e Kuvendit në Lezhë, Republika Veneciane synonte t’i përdorte arbërit si një barrierë të pakapërcyeshme përballë rrezikut osman dhe ta mbante nën kontroll të vazhdueshëm këtë bashkim politiko-ushtarak të sundimtarëve arbër duke luajtur një politikë dyfaqëshe.
Pra, raportet ndërmjet Gjergj Kastriotit-Skënderbeu dhe Republikës Veneciane mund të konsiderohen si një marrëdhënie në simbiozë ku të dyja palët i bashkonte interesi i përbashkët por kurrë nuk kanë ndërtuar një aleancë të qëndrueshme sepse venecianët u treguan vazhdimisht të pasinqertë deri në vitin 1463 kur shpërtheu lufta e gjatë Veneto-Osmane dhe i vetmi aleat i tyre besnik do të rezultonte Kryezoti i Arbërisë. Menjëherë sapo u mor miratimi nga ana e autoriteteve veneciane të cilët iu përgjigjën me shumë dashamirësi kërkesës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu për zhvillimin e Kuvendit në qytetin e Lezhës, u dërguan nga të katër anët njerëz të besuar që të ftonin të gjithë sundimtarët arbër duke i njoftuar ata për vendin dhe ditën kur do të mblidheshin. Asnjëri nga ata që u zgjodhën nuk u vonua, nuk nxori ndonjë justifikim me arsye të paqënë, asnjë pengesë zyrtare apo familjare, por të gjithë erdhën fluturimthi me shumë përzemërsi dhe duke u vënë në garë me njëri-tjetrin se kush të vinte më parë. Sipas humanistit Marin Barleti; “Kjo qe një shenjë mbaft bindëse se si do të ndihmonin këta pastaj për nevojat e tjera të luftës(M.Barleti, f.95)”.
Kuvendi i Lezhës u mbajt në kryekishën ose katedralen e Shën.Kollit me dt.2-mars-1444(sipas G.Biemmi) ku Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, përveç Republikës Veneciane, kishte ftuar edhe përfaqësues nga Republika e Raguzës. Përsa i përket kohës kur u mbajt Kuvendi i Besëlidhjes së Lezhës në veprat që janë botuar deri në periudhën e zhvillimit të Luftës së dytë Botërore(1939-1945), nuk ka pasur një mendim unik për saktësimin e kësaj date sepse historianët kanë qenë të ndarë ndërmjet versionit të dt.1-mars-1444 dhe dt.2-mars-1444. Njoftimet veneciane të kohës, fatkeqësisht mungojne, sepse një pjesë e konsiderueshme e të dhënave dokumentare që kanë qenë hartuar nga mëkëmbësit e Lezhës dhe qyteteve të tjera të administruara nga Republika Veneciane në këtë periudhë, kanë humbur si rezultat i tre zjarreve aksidentale që kanë rënë në Pallatin e Dozhëve në Venecia(Palazzo Ducale di Venezia) me dt.14-shtator-1483, 11-maj-1574 dhe 20-dhjetor-1577.
Autorët më të hershëm që flasin për Besëlidhjen e Lezhës dhe biografët e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu si Dhimitër Frangu dhe Marin Baleti të cilët ndiqen nga fisniku Gjon Muzaka, japin detajet e zhvillimit të kësaj ngjarje historike por nga ana tjetër, janë treguar shumë të kursyer në lidhje me specifikimin e datës! I pari autor që jep datën 2-mars-1444 është biografi i heroit tonë kombëtar Giammaria Biemmi i cili duke iu referuar enigmatikut Tivaras(Antivarino/Antibarensis) ai shkruan se; “Tutto dunque essendo convenuto nel luogo, e nel tempo, (ch’era pei due di Marzo), tutti parimenti vi si trovarono presenti(E gjithë kjo u mundësua duke rënë dakord mbi vëndin dhe kohën (që ishte për dy mars), dhe të gjithë u gjendën gjithashtu të pranishëm (G.Biemmi, f.30)”.
Fan S.Noli në variantin e vitit 1921, At.Athanas Gegaj në vitin 1937) dhe Abas Ermenji në botimin e vitit 1968 por edhe në ribotimin e vitit 1996, japin dt.1-mars-1444 si ditën e mbajtjes së Kuvendit të Besëlidhjes së Lezhës dhe ndërsa shumica e historianëve e spostojnë këtë ngjarje një ditë më vonë duke e vendosur me dt.2-mars-1444 duke nisur nga vetë Fan S.Noli në variantin e vitit 1947 dhe më pas vazhdon me të gjithë autorët e tjerë të historiografisë së Pasluftës së Dytë Botërore. Brenda katedrales së Shën.Kollit, ku u zhvilluan punimet e Kuvendit, qëndronin pranë njëri-tjetrit bujarë të fiseve fushore dhe krerë të malësive të thella, trima të trevave veriore dhe kapedanë të krahinave jugore, besimtarë të Ritit Katolik dhe besimtarë të Kishës Lindore, luftëtarë të shquar dhe pleq të nderuar të kanuneve(K.Frashëri, f.136). Dhimitër Frangu shkruan se në Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës të cilën e vlerëson si një “Lidhje të shenjtë”, morën pjesë gjithsej tridhjetë fisnikë por ai përmend vetëm më të rëndësishmit duke nisur nga vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, më pas Gjergj Arianiti të cilin e quan Aranit Komneni, Andrea Topia, Muzakë Topia, Pal Dukagjini, Nikollë e Pjetër Spani, Lekë Dushmani, Lekë Zaharia, zotërit Cernojeviç dhe të dërguarit e nderuar të Senatit Venecian.
Ndërsa Marin Barleti na përcjell të dhëna shumë të hollësishme duke paraqitur edhe një biografi të shkurtër të çdo pjesëmarrësi, të familjeve feudale respektive dhe të territoreve që ata kishin në zotërim.etj. Në Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës morën pjesë sundimtarët më të fuqishëm të Arbërisë ku më të rëndësishmit ishin: 1)Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, zoti i Dibrës dhe i Matit(Dominus Dibra et Mati), 2)Gjergj Arianiti, sundimtari i Kaninës dhe i Shpatit, 3)Pali i urtë ose Pal Dukagjini që shoqërohej nga i biri Leka i III-të Dukagjini dhe nga Nikollë Dukagjini, sundimtarë të Principatës së Dukagjinit që shtrihej nga Zadrima dhe Lezha e deri në kufi me Despotatin serb në Kosovën lindore, 4)Andrea Topia, sundimdar i krahinës ndërmjet Durrësit dhe Krujës, i shoqëruar nga djemte; Komini e Muzaka dhe nga nipi i tij Tanush Topia, 5)Gjergj Stres Balsha, nip i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu nga e motra Jella; sundimtar i Misisë, krahinës ndërmjet Lezhës dhe Krujës e ndërsa vëllezërit e tij Gjoni dhe Boiku qëndruan në shtëpi për shkak të moshës sepse Marin Barleti thotë se ata nuk ishin ende të zotët për luftë dhe as për të dhënë këshilla, 6)Lekë Zaharia; sundimtar i Danjës, Shatit(Nënshatit) dhe i Zadrimës së sipërme, 7)Pjetër Spani, sundimtar i Malësive të Shalës dhe Shoshit ose i Pulatit që përfaqësonte pjesën më veriore të hapësirës gjeografike ku u shtrinë territoret e Shtetit të Lidhjes së Lezhës, i cili ishte i shoqëruar nga katër djemtë e tij; Leka, Bozdo ose Bozhidari, Vruo të cilin F.S.Noli e citon me emrin Oroshi dhe Marku, 8)Lekë Dushmani, sundimdar i Zadrimës dhe i rrethinave të Drishtit, i shoqëruar nga Pjetri dhe princër të tjerë fqinj, 9)Teodor Korona Muzaka(I riu) i Beratit së bashku me Gjin Muzakën dhe me disa krerë të tjerë të Myzeqesë, 10)Zaharia Gropa i Ohrit dhe 11)Princi i Malit të Zi Stefan Cernojeviç, i shoqëruar nga djemtë e tij; Gjoni dhe Gjergji. Sipas Prof.Aleks Buda, sundimtari i Malit të Zi, Stefan Cernojeviç, mori pjesë në këtë Kuvend sepse atë e lidhnin me krerët arbër; farefisnia dhe interesat e luftës(A.Buda, Shkrime Historike, 1, f.213).
Stefani i I-rë Cernojeviç i njohur nga nënshtetasit e tij me emrin “Stefanica”, ishte kunati i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, bashkëshorti i motrës së tij Mara Kastrioti dhe pasardhës i familjes së njohur feudale arbëre të Gjurashëve që zotëronin disa territore në Zetën e Epërme të cilët duke qenë nën ifluencën e Kishës Ortodokse serbe, ishin sllavizuar ashtu si pjesa më e madhe e fiseve malazeze. Në Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës ishin të pranishëm edhe disa përfaqësues nga familjet feudale më të rëndësishme të Arbërisë sic ishte pjesëmarrja e fisnikëve Skuraj dhe Jonimaj.etj. Në lidhje me praninë e përfaqësuesve venecianë, humanisti drishtian Dhimitër Frangu thotë se gjatë punimeve të këtij Kuvendi morën pjesë “të dërguarit e nderuar të Senatit të Venedikut(Dh.Frangu, f.10) dhe ndërsa Marin Barleti e konfirmon versionin e Dh.Frangut duke shkruar se në këtë kuvend “nuk munguan edhe princërit e pathyeshëm e fort besimtarë venedikas për pushtetin e të cilëve mund të mburreshin atëherë(M.Barleti, f.99)”.
Duke ju referuar”Memories së Gjon Muzakës”ky autor shkruan se;”(Gjergj Kastrioti)thirri në një Kuvend Zotërit e njohur të Arbërisë në Lezhë. Kujt i shkoi personalisht ta grishte e kë thirri me anë të dërguarish,kështu që i quajturi Skënderbe qe bërë udhëheqës i tyre në Arbëri dhe secili jepte njerëz dhe të holla sipas shkallës. Bile dhe bijtë e tjerë të këtyre Zotërve militonin nën komandën e tij,si për të marrë pjesë në luftë ,si për të mbajtur shtetet e tyre.Ky zotëri i përmendur ishte praktik në luftë dhe i guximshëm,ndaj u bë komandant dhe të gjithë i bindeshin(Gj.Muzaka, f.20-21)”.
Përsa i përket karakterit etnik të Kuvendit dhe më konkretisht, përkatësisë etnike të përfaqësuesve që morën pjesë në këtë Kuvend, ata ishin mirëfilli arbër duke përfshirë këtu edhe princin e Malit të Zi Stefan Cernojeviç(Gjurashi) për të cilin folëm pak më lart dhe pavarësisht se disa historianë si Oiver Jens Schmitt spekullojnë duke u mbështetur mbi tezat sllave, ato kurrsesi nuk mund të gëzojnë kredibilitet në qarqet shkencore. O.J.Schmitt i referohet M.Barletit i cili shkruan se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu “vendosi se, para së gjithash, duhej hyrë në një aleancë dhe në një farë besëlidhjeje të përhershme me princërit dhe sundimtarët fqinjë, epirotë e ilirikë(M.Barleti, f.94)” ku me emërtimet epirotë dhe ilirikë, nënkupton respektivisht “arbërit dhe sllavët”. Por nëse e analizojmë me shumë vëmendje; M.Barleti i rikthehet disa herë kësaj çështje dhe përpara se të nisë me përshkrimin e detajuar të pjesëmarrësve në Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës, ai nënvizon faktin se ata “ngritën lart dinjitetin e Epirit” dhe më pas vijon me historikun dhe origjinën e popullit tonë duke saktësuar se nga “e ka zanafillën fisi i epirotëve apo i arbërve” sepse ai shkruan se; “Epirotët, të cilët janë quajtur edhe arbër, thuhet se e kanë zanafillën e tyre nga albanët(M.Barleti, f.95-96)”.
Nëse i referohemi autorit Giammaria Biemmi, ai e perifrazon disa herë duke theksuar se të gjithë pjesëmarrësit e Kuvendit të Lezhës ishin “Principi albanesi(Princa arbër/shqiptarë) dhe kjo çështje ska nevojë për diskutim sepse çdo pretendim tjetër që bazohet në qëndrime hipotetike del jashtë suazave shkencore. Gjithashtu, në lidhje me motivet kryesore nga të cilat u udhëhoqën arbërit për të luftuar kundër Perandorisë Osmane, ato nuk ishin vetëm motive fetare por në rradhë të parë ishin motive etnike, kulturore, politike dhe ekonomike. Gjatë zhvillimit të punimeve të Kuvendit, falë oratorisë së tij të pashoqe, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu arriti që t’i bindë të gjithë pjesëmarrësit mbi nevojën e një bashkëpunimi shumë të ngushtë me qëllim për të mposhtur armikun e përbashkët. Studiuesi Virgjil Kule konkludon se Arbëria ishte në zgrip të rënies totale nën zgjedhën ushtarake e administrative osmane dhe vetëm një kërcim spektakolar, gati hyjnor, mund ti nxirrte shqiptarët në dritën e lirisë dhe të përparimit. Ky ishte shansi i tyre i vetëm, madje i fundit, për vazhdimin e ekzsistencës së tyre sipas normave të civilizimit europian dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u ofroi një projekt të madh strategjik të menduar deri në hollësitë më të imta(V.Kule, f.64).
Duke qenë se disa nga sundimtarët arbër e shihnin me skepticizëm një sipërmarrje të tillë dhe sidomos idenë mbi organizimin e një lufte totale kundër Perandorisë Osmane, frika dhe dyshimet e tyre u shuan shumë shpejt sepse ata u rrëmbyen nga atmosfera e përgjithshme që u krijua pas fjalimit impresionues të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, fjalim që na e përcjell jo vetëm jetëshkruesi i tij i hershëm Marin Barleti por edhe bashkëkohësi dhe bashkëpunëtori i ngushtë i heroit tonë kombëtar, Dhimitër Frangu;…
*Shumë të nderuar etër dhe princër të shquar!
Unë nuk dyshoj aspak dhe është krejt e provuar tashmë se, me ç’armiqësi e me ç’përbuzje të madhe turqit përndoqën kaq shumë fenë tonë kristiane, se ç’armiq të mëdhenj janë ata ndaj gjithë virtyteve tona, se sa të pabesë janë treguar ndaj premtimeve që bënë dhe se, në qoftë se forca dhe vullneti i tyre do të pëlqehej, ata do t’i shkonin tërë kristianët në tehun e shpatës së tyre, ashtu sikurse vetë përvoja ka treguar edhe më parë, pikërisht pikërisht në ato raste kur Perëndia, për shkak të fyerjeve tona, edhe ka lejuar një gjë të tillë. Ja përse unë, me krahun e fuqishëm të Perëndisë, kam shporrur pushtuesit e shtetit të tim eti dhe kam bërë çikë e grimë gjithë turqit që u përpoqën të më rezistonin dhe, veç këtyre, kam fituar gjithçka që turqit zotëronin në Arbëri, sikundër edhe është dëshmuar prej gjithë njerëzve. Prandaj, shkëlqesitë tuaja të jenë fort të sigurtë se ai qen i egër do të vërë në punë gjithë fuqinë e vet kundër meje dhe, në arriftë të më mposhtë, që kurrë Zoti mos e dhëntë, menjëherë do të hidhet në luftë edhe kundër jush. Është për këtë që u bëj thirrje dhe ju dëshiroj nxehtësisht, shkëlqesive tuaja që, për dashurinë që mbani për Perëndinë, për Atin tonë të Shenjtë dhe për Hirin e Tij, që ju mbush me jetë, të më përkrahni, të mos i ndihmoni turqit dhe as të mos më shqetësoni mua. Pikërisht për këtë, unë pres përgjigjen tuaj të njerëzishme, sepse unë shpresoj që me krahun e djathtë e të fuqishëm të Perëndisë, të mbroj veten kundër Tiranit të madh(Dh.Frangu, f.10-11)”.
“Me t’i dhënë fund fjalës Skënderbeu”, thotë Marin Barleti; “princërit të gjithë u drejtuan nga ai dhe duke ia aprovuar një goje dhe me zë të qartë mendimin, po e lavdëronin fort e po e ngrinin në qiell si shpëtimtarin e lirisë dhe të të gjithë lavdisë(M.Barleti, f.104)” dhe ndërsa Murgu Anonim Rus shkruan se me të mbaruar fjalën Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, të gjithë thanë me një zë; “Qoftë e bërë, Skënderbeu të jetë zëdhënësi dhe prijësi ynë kundër armikut tonë të përbashkët(M.A.Rus, f.35)”.
Impaktin e jashtëzakonshëm që shkaktoi Besëlidhja e Lezhës tek klasa feudale arbëre e përshkruan mjaft qartë historiani italian”Paolo Giovio”tek vepra e tij e shkruar në italishten e vjetër”Comentari delle cose de Turchi,con li fatti e la vita di Scanderbeg(Tregime për punët e turqve dhe për veprat e jetën e Skënderbeut)”ku ai thotë; “Atëherë të gjithë princat bashkë me guvernatorët venedikas,u tërhoqën të këshilloheshin ndërmjet tyre dhe pasi e shqyrtuan këtë cështje madhore iu përgjigjën Skënderbeut në këtë mënyrë; Shumë i nderuari Princ Gjergj,bir dhe vëlla yni nga mosha ,por prind i nderuar përsa i përket virtytit dhe titullit madhor.Ne e morëm vesh mirë dhe e gjykuam si të drejtë e të nevojshme kërkesën tënde,plot urtësi dhe e denjë për tu mbështetur. Prandaj të njoftojmë se në këtë marrëveshje të përbashkët,ne jemi të vendosur që të bashkohemi me ty përgjithmonë,duke e konsideruar shtetin tënd si tonin,si në të mirë e si në të keq”.
Në Kuvendin e Lezhës,me pëlqimin e të gjithë princërve, feudalëve dhe aristokracisë arbëre,u vendos unanimisht për formimin e Lidhjes së Lezhës,një aleancë politiko-ushtarake në krye të së cilës do të qëndronte Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Pjesëmarrësit e Kuvendit ishin plotësisht të ndërgjegjshëm për detyrën e madhe që shtrohej para tyre sepse ata sollën në qytetin e Lezhës jo vetëm nderin e përleshjeve por edhe mësime nga dështimi i tyre(K.Frashëri, Skënderbeu, f.136).
Menjëherë pas propozimit nga princi famëmadh Gjergj Arianiti i cili gëzonte një reputacion të padiskutueshëm pas fitoreve të bujshme që kishte korrur mbi osmanët gjatë kryengritjeve që u zhvilluan në vitet 30 të shek.XV, të gjithë të pranishmit miratuan njëzëri. Vendimi i parë dhe më i rëndësishmi që u miratua ishte zgjedhja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu si kryetar politik i Lidhjes së Lezhës dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë federale. Të gjithë të pranishmit u zotuan që ta përkrahnin kundër Sulltan.Muratit të II-të me para, me ushtarë e me ushqime dhe ky vendim nuk ishte një frazë e zbrazët(F.S.Noli, f.35).
Ky vendim lidhej me prestigjin dhe famën e tij si trashëgimtar i princit të fuqishëm Gjon Kastrioti, si komandant i pathyeshëm në ushtrinë osmane por gjithashtu, përveç faktit se ishte ideator dhe organizator i këtij Bashkimi, ai njihej edhe si çlirimtar i Arbërisë pas kryengritjes së bujshme të vitit 1443. Ai ishte një njeri i plotë, i kompletuar, inteligjent, i fortë, i drejtë, i aftë të shkrijë bashkë luftën e domosdoshme me humanizmin, gjë që përfaqëson një figurë emblematike të kalimit nga mesjeta barbare në iluminizmin e Rilindjes Europiane(G.Francione, f.36).
Pra, mbi të gjitha qëndronte personaliteti i spikatur i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu që bëri të mundur zgjedhjen e tij në krye të jetës politike e ushtarake të Arbërisë sepse më tepër se çdo anëtar tjetër i Besëlidhjes së Lezhës, ai i zotëronte të gjitha cilësitë më të mira për drejtimin me sukses të luftës kundër barbarëve aziatikë por edhe të qeverisjes së vendit në kohë paqeje. Ai ishte padyshim njeriu më i preferuar edhe nga udhëheqësit fetarë, katolikë apo ortodoksë, dhe megjithëse familja e tij kishte qenë e lëkundur në çështjet e besimit në të kaluarën, në shekullin e pesëmbëdhjetë nuk kishte dyshime se një arbër i veriut do të ishte i ritit Katolik Roman sa herë që kishte lirinë e zgjedhjes(H.Hodgkinson, Scanderbeg, f.74).
Anëtarët e Besëlidhjes së Lezhës synonin që në kuadrin e kësaj aleance me bazë të gjerë, ata të ruanin autonominë e tyre dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu të cilin ata e zgjodhën si kryetar të saj, të mos ndërhynte në zotërimet e anëtarëve të tjerë sepse atij i ishte besuar detyra si i pari ndërmjet të barabartëve por nuk gëzonte atributet e një sundimtari absolut. Ata institucionalizuan Kuvendin si forumin politik më të lartë vendimmarrës të fisnikëve arbër dhe pikërisht në këtë Kuvend u vendos që bashkimi i të gjithë krerëve të Arbërisë të materializohej në formën e një besëlidhjeje politike që u nënshkrua ndërmjet drejtuesve të zotërimeve të lira dhe fisnikëve të tjerë të vendit duke u bërë e njohur në histori me emrin “Besëlidhja Shqiptare(Arbërore) e Lezhës(Historia e Popullit Shqiptar., Vol. I, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Toena. Tiranë, 2002. f. 403)”.
Sundimtarët arbër që kishin pranuar të bëheshin pjesë e Besëlidhjes së Lezhës, mbanin trupa ushtarake të veçanta për të mbrojtur kështjellat dhe zotërimet e veta por gjithashtu ruanin të drejtën për të pasur marrëdhënie diplomatike dhe tregtare edhe me vende të tjera që nuk kishin të bënin me Shtetin e Lidhjes së Lezhës.
Sipas optikës së Prof.Dr.Aleks Luarasi, nga pikëpamja juridike, “Lidhja e Lezhës” përbënte një aleancë politiko-ushtarake midis bujarëve shqiptarë(arbër) me njëri-tjetrin për mbrojtjen e zotërimeve të tyre feudale me forca të përbashkëta dhe brenda këtyre zotërimeve, bujarët vendas pjesëmarrës në të, ishin zotër të pavarur dhe mbajtës të çdo pushteti(A.Luarasi, f.126). Të gjithë pjesëmarrësit që u mblodhën në këtë Kuvend, diskutuan format e bashkëpunimit dhe rrugët për realizimin e bashkimit të tyre politik, ushtarak dhe ekonomik ku në themel të këtij bashkëpunimi ata vunë institucionin më të rëndësishëm kombëtar, atë të dhënies së “Besës(K.Biçoku, Skënderbeu, f.106)” mbi të cilin do të krijohej ky formacion i ri shtetëror.
Albanologu i njohur kroat Milan Von Sufflay, Shtetin e Lidhjes së Lezhës do ta përshkruante kështu; “Nën Skënderbeun, bërthamat e shumta shtetërore të këtyre familjeve u shkrinë në një shtet të vetëm, në shtetin e fundit të krishterë më të madhin në Ballkan(M.Sufflay, Serbët dhe Shqiptarët, f.173)”. Princi Gjergj Arianiti propozoi që çdo sundimtar të caktonte shumën financiare që duhej të paguante çdo vit për të mbushur arkën e përbashkët duke dhënë shembullin vetë i pari dhe ndërsa princi Pal Dukagjini propozoi që të caktohej edhe numri i ushtarëve që do të jepte çdo pjesëmarrës duke u bërë thirrje që t’i besonin Gjergj Kastriotit-Skënderbeu të gjithë forcat ushtarake që ata kishin në dispozicion. Propozimi i Pal Dukagjinit u kundërshtua nga princi Andrea Topia i cili pasi paraqiti një panoramë të plotë të situatës, argumentoi se po t’i besonin Gjergj Kastriotit-Skënderbeu të gjithë ushtarët që kishin në dispozicion, ata do të mbeteshin të pambrojtur dhe vulnerabël përballë ndonjë sulmi eventual të Perandorisë Osmane. Sipas tij, nëse ata do të mbanin për vete një numër të kufizuar ushtarësh, osmanët do t’i sulmonin papritmas duke shfrytëzuar pikat e tyre të dobëta duke i gjetur të zbuluar, pa mbrojtje e të papërgatitur dhe, ndërkohë që ushtarët e tyre do të ndodheshin gjetkë nën komandën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu i cili nuk do të kishte mundësi për t’u ardhur në ndihmë në kohën e duhur(G.Biemmi, f.38-39). Menjëherë sapo Andrea Topia mbaroi fjalën e tij, u ngrit në këmbë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe pasi përgëzoi Andrean për qëndrimin e tij, ai ua bëri të qartë të gjithë pjesëmarrësve të Kuvendit se nuk kishte ndërmend t’u kërkonte aq shumë ushtarë duke i lënë ata të pambrojtur gjatë gjithë vitit por një ndihmë të tillë do t’i nevojitej vetëm në rastet kur do të gjendeshin përballë një rreziku shumë të madh dhe pasi tha këto fjalë, të gjithë e shoqëruan me brohoritje. Pikërisht ky diskutim i parapriu edhe marrjes së vendimit të dytë që u miratua unanimisht nga të gjithë të pranishmit.
Vendimi i dytë ishte krijimi i një ushtrie të përbashkët ku komandant i përgjithshëm u zgjodh Gjergj Kastrioti-Skënderbeu që gëzonte të drejtën për të rekrutuar njerëz të aftë për luftë jo vetëm nga territori i sunduar prej tij por edhe në çdo vendbanim të tokave që zotëronin feudalët të cilët morën pjesë në Kuvendin e Lezhës dhe që nënshkruan Besëlidhjen e Lezhës. Brenda një kohe shumë të shkurtër u mobilizuan plot 18.000 ushtarë,gjysma prej tyre kalorës dhe gjysma tjetër ishin këmbësorë. Tre të katërtat e këtyre trupave ushtarake ishin nga territoret e principatës atërore të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu si; Krutanë, Matjanë, Mirditorë dhe Dibranë(F.S.Noli, f.36).
Ushtria e Bësëlidhjes së Lezhës përbëhej nga dy pjesë: nga forcat e përhershme të cilët formonin ushtrinë e rregullt dhe nga ato të përkohshmet që thirreshin nën armë vetëm kur do të paraqitej nevoja. Duke qenë se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kishte mësuar nga sistemi feudal-ushtarak i Perandorisë Osmane domosdoshmërinë e krijimit të një ushtrie të rregullt, pikërisht për këtë arsye ai adaptoi rekrutimin e detyrueshëm që ishte akoma i panjohur në shtetet e tjera europiane. Kjo ushtri e përhershme formohej me luftëtarët që dërgonin fisnikët arbër nën urdhërat e komandantit të përgjithshëm konform kuotës që ishte caktuar për gjithecilin prej tyre por pjesën më të madhe të ushtarëve e mobilizonte Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në zotërimet e tij. Gjithashtu, krerët e Arbërisë do të dërgonin edhe disa fëmijë të tyre në ushtrinë e përbashkët të komanduar nga heroi jonë kombëtar(J.Drançolli, Shteti mesjetar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, f.91). Këto trupa formonin bërthamën kryesore të ushtrisë së rregullt dhe qëndronin vazhdimisht në gatishmëri luftarake duke mbrojtur të gjithë kështjellat por në veçanti ato të brezit kufitar në pjesën lindore të Shtetit të Lidhjes së Lezhës.
Mbrojtja e zonave kufitare lindore kërkonte vëmendje të veçantë dhe angazhim maksimal sepse pikërisht nga këto anë vinin zakonisht ushtritë osmane që niseshin nga kryeqyteti perandorak por gjithashtu, ky rajon ishte një vatër e nxehtë ku zhvilloheshin luftime përgjatë gjithë vitit me feudalët osmanë të zonave periferike. Nga kjo ushtri e sapoformuar u përzgjodh një kontigjent luftërarësh të cilët do të shërbenin për krijimin e një formacioni të fuqishëm ushtarak prej 3.000 kalorësish që sipas Humanistit Marin Barleti kjo gardë personale e Kryezotit të Arbërisë u pagëzua nga vetë ai me emrin aq famëlartë si”Garda Pretoriane ose Kohorta Pretoriane”duke i bërë jehonë Gardës Pretoriane Romake(Cohortes Praetoriae) e cila e kishte mbrojtur kryeqytetin perandorak Roma, duke nisur që në fillim të shek.III-të p.k.(Republika Romake) dhe më vonë perandorët romakë deri në shek.IV-të. Garda Pretoriane e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu përbëhej nga trupat ushtatake më elitare të Arbërisë të cilët stërviteshin vazhdimisht nga Kryezoti dhe paguheshin rregullisht. Kjo kalorësi e lehtë do të luante një rol thelbësor si truproja e tij personale, e përbërë kryesisht nga të rinjtë e qytetit të Krujës dhe fshatrave të kësaj treve. E vetmja pikë e dobët e ushtrisë së tij ishtë mungesa e artilerisë së rrethimit duke e bërë pothuajse të pa’aftë përballë qyteteve të fortifikuara por pavarësisht kësaj mangësie, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte i pathyeshëm gjatë përleshjeve në fushë beteja të hapura dhe i aftë për të asgjësuar armikun gjatë sulmeve të papritura. Por mbi të gjitha, ai ishte një strateg i mençur dhe i aftë të përdorë armën e tij vdekjeprurëse, kalorësinë e lehtë, në një mënyrë të shpejtë dhe shkatërrimtare sepse taktika e tij e preferuar ishte goditja dhe më pas tërheqja e befasishme duke i futur armiqtë në kurthe dhe prita ku i priste vdekja e sigurtë. Gjithashtu, është konsideruar edhe si kryemjeshtri i artit luftarak falë taktikave që përdori gjatë mbrojtjes së kështjellës së Krujës gjatë tre rrethimeve(1450, 1466, 1467) ku e mahniti botën me sulmet e tij të rrufeshme e duke kryer inkursioneve të vazhdueshme që detyruan dy sulltanët më të fuqishëm të Perandorisë Osmane; Murati i II-të Kodja dhe Mehmeti i II-të Fatih, që të heqin dorë.
Garda Pretoriane ishte një formacion ushtarak me të vërtetë i jashtëzakonshëm që rivalizoi dhe mbuloi me turp korpusin e Jeniçerëve të cilët përfaqësonin ajkën e ushtrisë osmane dhe që nuk e kishin përjetuar shijen e hidhur të disfatës deri sa u përballën me këto kalorës të pamposhtur arbër që M.Barleti i quan “Familja e Skënderbeut”. Për këta luftëtarë të zgjedhur Kryezoti i Arbërisë kujdesej deri në detajet më të imta duke nisur që nga faza e rekrutimit ku udhëtonte nëpër fshatra për të shqyrtuar kandidatët potencialë, hartonte listat duke u dhënë prioritet vetëm familjeve me shumë vëllezër e duke përzgjedhur meshkujt e pamartuar në mënyrë që të mos linin fëmijë jetimë nëse do të vriteshin në luftë, më pas i stërviste ai vetë, u siguronte ushqimet, i furnizonte me armatimine, me kuaj të fuqishëm dhe i shpërblente me pagë mujore.etj. 16 vite më vonë, Ekspedita ushtarake e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu në Italinë e jugut në vitet 1460-1462 i cili komandonte luftëtarët e Gardës Pretoriane, do të përcaktonte jo vetëm të ardhmen e gadishullit Apenin por gjithashtu,ky formacion ushtarak revolucionarizoi edhe kalorësinë e rëndë europiano-perëndimore e cila u zëvendësua gradualisht me kalorësinë e lehtë,duke ndryshuar edhe taktikat luftarake paralelisht me zhdukjen e uniformave të rënda metalike nga skena e Historisë…
Vendimi i tretë dhe shumë i rëndësishëm ishte krijimi i një arke shtetërore të përbashkët për të përballuar shpenzimet kolosale të mbajtjes së një ushtrie të fortë dhe për armatimin e saj. Fondet monetare për të mbushur arkën e përbashkët do të formoheshin nga kontributet financiare që do të jepte secili anëtar i Besëlidhjes së Lezhës konform një kuote të caktuar nga Kuvendi, nga të ardhurat e kriporeve të Shën.Kollit të Gurit pranë qytetit të Durrësit që i zotëronin Kastriotët, nga taksat doganore, nga tregtia e drithit si dhe nga tregtia e lëndës drusore apo e metaleve.etj.
Për feudalët e vegjël të cilët nuk kishin të ardhura financiare të mjaftueshme,u vendos bashkarisht që ata të kontribuojnë vetëm me trupa të armatosura duke shtuar rradhët e ushtrisë së Besëlidhjes së Lezhës. Shuma e të ardhurave vjetore që mbushte arkën e përbashkët të Lidhjes së Lezhës arrinte deri në 200.000-dukate ari që duke përllogaritur peshën standard të kësaj monedhe, “Zecchino d’oro(monedha e artë veneciane)ose Fiorino Fiorentino(Florini i Firences)”që shënonte 3.5gr. i bie që arka e Lidhjes së Lezhës të grumbullonte 700 kg. ar çdo vit.
Këtu duhet të shtojmë edhe pensionet që i lidhën më vonë Gjergj Kastriotit-Skënderbeu apo ndihmat financiare të dhuruara nga shtete si Republika Veneciane,Mbretëria e Napolit,Selia e Shenjtë,Republika e Raguzës,Dukati i Milanos.etj. pa të cilët nuk do të kishte arritur që të përballonte shpenzimet e një lufte të stërmundimshme kundër fuqisë ushtarakë më të madhe të kohës.
Qyteti i Krujës dhe kryeqendra e Principatës së Kastriotëve, e cila u njoh edhe si kryeqyteti i Shtetit të Lidhjes së Lezhës, do të bëhej selia qëndrore e komandës së përgjithshme të kësaj aleance ushtarake dhe nëpërmjet këtij akti, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu po fillonte të vendoste bazat e pushtetit të tij ushtarak dhe politik. Caktimi i një udhëheqjeje të vetme e të përhershme politike e ushtarake të kryesuar nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në duart e të cilit u përqendruan bashkë me qendrën kryesore politike të vendit, Krujën, edhe ushtria e fondet e përbashkëta, tregojnë se ishte bërë një hap i madh e vendimtar drejt krijimit të një pushteti qëndror të përfaquar nga heroi jonë kombëtar(J.Drançolli, Shteti mesjetar i i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, f.92-93).
Pasi u nënshkrua kjo marrëveshje politiko-ushtarake ku Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u shpall”Kapiten i pergjithshem(Capitaneus generalis)i ushtrise dhe si Kryezot i Arbërisë duke fituar statusin si”Primus inter pares(I pari ndërmjet të barabartëve)”,ai e falenderoi Zotin për këtë bashkim dhe menjëherë pasi u kremtua një Meshë e shenjtë në ambientet e Katedrales së Shën.Kollit, i ftoi të gjithë pjesëmarrësit në një darkë të përbashkët. “Kur Lidhja e shenjtë u mbyll”, shkruan Dhimitër Frangu.
“Princat shkuan të darkonin me Skënderbeun,prijësin e tyre të ri,iu falenderuan Perëndisë për këtë marrëveshje dhe pastaj,disa u kthyen në provincat e tyre,e disa të tjerë shoqëruan Skënderbeun për në qytetin e Krujës(Dh.Frangu, f.11)”. Ndërsa Giammaria Biemmi shton se u bënë lutje dhe u zhvilluan procesione solemne për të marrë mbështetjen e Zotit në mënyrë që ai t’u jepte një rezultat të lumtur pas bashkimit të këtyre princave dhe të përhapte bekimet e tij mbi armët e tyre(G.Biemmi, f.38). Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u kthye në qytetin e Krujës i përcjellur nga nipat e tij, nga princi zemërgjerë Pal Dukagjini dhe nga princi Lekë Zaharia. Me të arritur pranë portave të Krujës, aty po e priste krahëhapur komandanti Moisi Golemi i cili sapo ishte kthyer nga kufiri lindor i Principatës së Kastriotëve me një lajm të shumëpritur duke e njoftuar që kishte çliruar qytetin dhe kështjellën e Sfetigradit. Fatkeqësisht,Lufta Shqiptaro-Veneciane që u zhvillua në vitet 1447-1448,pas vdekjes tragjike të Princit.Lekë Zaharia i cili zotëronte Danjën,Shatin(Nënshatin)dhe pjesën më të madhe të Zadrimës,u shkaktua edhe plasaritja e parë e Lidhjes së Lezhës ku disa krerë mjaft të rëndësishëm nuk ju përmbajtën detyrimeve të marreveshjes se perbashket qe kishin firmosur me vullnet dhe deshire te plote me dt.2-mars-1444 ne qytetin e Lezhes.
Të gjithë autorët dhe kronikanët e kohës lavdërojnë fuqinë bindëse dhe autoritetin karizmatik të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu i cili gëzonte mbështetjen e klasës feudale,autoritereve kishtare dhe sidomos mbështetjen e pakushtëzuar të popullit arbër. Por krerët feudalë nuk i respektuan kurdoherë zotimet e tyre duke devijuar nga premtimet e dhëna ku disa prej tyre shkuan deri aty sa të kryejnë edhe aktin e shëmtuar të tradhëtisë,por sipas historianit Fredy Thirriet; “Në tërësi populli ndjek Skënderbeun,trimëria vetjake e të cilit vlen sa një ushtri e tërë. Ai është prijësi për të cilin ka rëndësi vetëm shpëtimi i tokës Shqiptare. Ai mund të ndërhyjë gjetiu,por mendimi i tij mbetet i ngulur vetëm tek Bashkëatdhetarët e vet. Situatë e thjeshtë,pozitë e çiltër(F.Thirriet, Konf.e dytë e Stud. Albanologjike, vol.I, 12-18.01.1968, f.61)”.
Besëlidhja e Lezhës me në krye Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu,hapi një kapitull të ri në Historinë e Popullit Shqiptar duke ndezur aspiratat e tij për liri,pavarësi dhe për krijimin e një shteti të konsoliduar me orientim të qartë europiano-perëndimor dhe ishte pikërisht Katedralja mesjetare e Shën.Kollit në qytetin antik të Lezhës,vendi në të cilin lindi bashkimi i parë politik,ushtarak dhe ekonomik i Shqipërisë. Nëse prijësit e tjerë europianë do të merrnin si shembull Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës të vitit 1444 dhe të formonin edhe ata së bashku me Gjergj Kastriotin-Skënderbeu, Unionin e Kombeve Europiane të Krishtera kundër pushtuesit barbar turk, është e sigurtë se Perandoria Osmane do të ishte dëbuar një herë e përgjithmonë nga kontinenti europian(Gj.Keka, Skënderbeu, f.75).
Fitoret e mëdha e shumë të bujshme kundër Perandorisë Osmane që u arritën edhe gjatë periudhës kur Arbëria po kalonte situatave mjaft të vështira të shkaktuara nga qëndrimet e lëkundura dhe tradhëtitë e disa prej krerëve të saj, i shërbyen forcimit të mëtejshëm të pushtetit qëndror të përfaqësuar nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i cili gëzonte mbështetjen e plotë të popullit arbër dhe falë këtij unitetit të çeliktë që bazohej mbi binomin “Mbret-Popull”; Arbëria u bë një faktor shumë i rëndësishëm jo vetëm në Gadishullin Ilirik(Ballkanik) por edhe në arenën ndërkombëtare. Ky unitet kombëtar u farkëtua gjatë luftës së përgjakshme për ekzistencë përballë gjenocidit osman, për të mbrojtur jetën, familjen, pasurinë, gjuhën, kulturën, traditat e lashta, besimin e krishterë, identitetin kombëtar dhe atë europian, rendin shoqëror dhe shtetëror me përqendrimin e pushtetit politik dhe ushtarak në duart e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu i cili nuk ishte vetëm kryetar shteti e komandant i përgjithshëm, por gëzonte atributet e një lideri shpirtëror që u hyjnizua nga populli i tij edhe kur ishte gjallë.
Historiani i njohur Nikolla Jorga, një figurë e shquar e Rumanisë, shkruan se; pas kthimit në atdhe, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u kthye në fenë e vet të vjetër por në thelb ruajti gjithmonë disa komponentë që lidheshin me edukimin e tij në mjedisin turk dhe duke luftuar kundër armiqve të tij të egër, ai përdori mjetet e tyre, ashtu siç e bëri një gjë të tillë njëzet vjet më vonë princi i Vllahisë Vladi i III-të Tepes, sepse duke e njohur në mënyrë të përsosur sistemin turk të luftës, ai diti të qëndronte në rrethana të tilla kur një tjetër si ai do të kishte marrë fund dhe do ta kishte paguar me kokë, ngritjen krye kundër sundimtarit të vet. Por duke mbetur shqiptar në thellësi të qënies së vet, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e kishte qejf luftën për hir të luftës(N.Jorga, His.e shkurtër e Shqipërisë, f.100-101).
Kuvendi i Besëlidhjes sëi Lezhës është ngjarja më e rëndësishme në historinë e popullit shqiptar sepse në këtë aleancë me bazë të gjerë nuk përfshiheshin vetëm sundimtarët apo zotërit feudalë vendas por këtu bie në sy një mobilizim i përgjithshëm i popullsisë qytetare dhe fshatare pothuajse në cdo skaj të territorit që asokohe banohej nga populli Arbër. Besëlidhja e Lezhës ishte kudhra e pathyeshme mbi të cilën u farkëtua uniteti etno-kulturor i kombit arbër i bazuar tek lidhjet e gjakut,gjuhës,kulturës,traditave,dokeve e zakoneve, besimit të krishterë dhe Atdheut të përbashkët. Nga ana tjetër qëndronte armiku i urryer aziatik ,zgjedha e rëndë e robërisë turke,regjimi feudal-ushtarak i timareve,inkursionet plackitëse,ekspeditat ndëshkimore,grabitja e fëmijëve meshkuj duke i përfshirë në sistemin e devshirmesë apo skllavërimi i vajzave te reja duke përdhosur nderin e familjes së shenjtë arbëre,shpronësimet e pamëshirshme,taksat e rënda,dhuna,plackitjet sistematike,shkatërrimi i kishave dhe masakrat mbi popullsinë civile të cilët guxonin që të ngrinin krye kundër pushtimit barbar osman. Ishte kjo panoramë kaq e tmerrshme që krijoi kushtet për organizimin e një qëndrese të palëkundur dhe kryengritje të përgjithshme anti-osmane e cila vetëm falë Gjergj Kastriotit-Skënderbeu mori një karakter mbarëkombëtar duke gjeneruar një fuqi të jashtëzakonshme mbi të cilën u konturuan themelet e shtetit të parë të mirëfilltë shqiptar,shtet që shërbeu si barrierë e pakapërcyeshme për superfuqinë ushtarake më të madhe të kohës.
Luftëtarët e panumërt turq dhe mercenarët ballkanikë thyen kockat mbi mburojat e çelikta të Arbërisë mesjetare sepse vetëm në këtë pjesë të Gadishullit Ilirik/Ballkanik u mbytën në gjak të gjitha ëndrrat,ambicjet personale dhe histeria kafshërore e të dy sulltanëve më të fuqishëm të Perandorisë Osmane sic ishin; Murati i II-të Kodja dhe trashëgimtari i tij Mehmeti i II-të Fatih./KultPlus.com