30 Gusht, 2017 - 9:35 am
Shekujt e pritën dhe përgatiten, ne e përjetuam
Për ta kuptuar njeriun si qenie personale, familjare, shoqërore, kombëtare, fetare, kulturore, lypset njohur rrethin, ambientin, kontekstin jetësor, sepse pa këto tipare dalluese njeriu humb disi tërësinë, rrënjët, mbetet në “ajër”, pa identitet dhe personalitet bazor.
Nga Don Lush GJERGJ
Kush ishte Gonxhe Bojaxhiu?
Bija e Kolë Bojaxhiut, me prejardhje nga Prizreni, dhe Drane lindur Bernaj – Bojaxhiu, nga Novosella e Gjakovës, por edhe më tepër bija e krishterimit tonë dymijëvjeçar, e traditës, kulturës dhe martirizimit të popullit shqiptar.
Përse ajo lindi në Shkup?
Familja e Gonxhe Bojaxhiut u shpërngul nga Prizreni në Shkup për shkaqe të përndjekjeve dhe masakrimeve turke kundër shqiptarëve, veçmas shqiptarëve katolikë; për shkaqe të epidemisë, sidomos të kolerës, që e përgjysmojë popullatën e Prizrenit gjatë viteve 1850 – 1855, si dhe për shkaqe të kërkimit të tregjeve më të mëdha.
Sipas një dokumenti të gjetur gjatë vitit 2010 në arkivin e famullisë së Prizrenit “Zoja ndihmëtare” të datës 23 janar 1880 Lazër Mark Bojaxhiu, babai i Kolë Bojaxhiut, pra, gjyshi i Nënës Tereze, i kishte dhuruar “të gjitha shtëpitë, tokat dhe pasuritë që gjenden në qytetin e Prizrenit dhe jashtë tij, si të mirat e palëvizshme, ashtu edhe ato të lëvizshme, të cilat janë ne emër tim, që i kam blerë apo trashëguar… nuk janë më pronë e imja, por i përkasin Argjipeshkvisë katolike dhe Kishës Katolike në Prizren, të cilët janë pronarët e vërtetë e të gjitha këtyre të mirave… tash e përgjithmonë, për mua dhe për pasardhësit e mi…”.
Kush ishin prindërit e saj?
Kolë Bojaxhiu (1872-1919) ishte tregtar i njohur, ndërtimtar, muzikant, poliglot, patriot i shquar, por mbi të gjitha bamirës dhe babë i shumë të varfërve të Shkupit dhe të rrethinës. Angazhimin e tij për drejtësi dhe barazi e pagoi edhe me jetë, si duket qe helmuar në Beograd, sepse i mbronte të drejtat themelore të njerëzve të pambrojtur, sidomos të shqiptarëve.
Drane Bojaxhiu (1889-1972) ishte grua e mirë, shtëpiake e kujdesshme, nënë e zellshme dhe shumë e përshpirtshme, shpirt dhe zemër për çdo nevojtar, edukatorja e parë e Gonxhe Bojaxhiut.
Familja Bojaxhiu pati edhe dy fëmijë të tjerë: Lazër Bojaxhiu (1905-1981) dhe Age Bojaxhiu (1908-1973).
Në çfarë rrethana lindi, qe edukuar Gonxhe Bojaxhiu?
Ajo lindi më 26 gusht 1910, gjatë sundimit turko-otoman, në një ambient të përzier etnikisht dhe fetarisht. Shkupi atëherë ishte kryeqendra e Vilajetit të Kosovës dhe Selia e Ipeshkvisë sonë. Atë e pagëzoi Don Zef Ramaj, e krezmoi argjipeshkvi Imzot Lazër Mjeda. Shkollën fillore e kreu pranë shkollës shqiptare katolike të “Zemrës së Krishtit” në Shkup, ndërsa gjimnazin në shkollë publike, shtetërore po ashtu në Shkup. Së pari familja, pastaj famullia, atë e edukuan për dashuri flijuese dhe dhuruese, për vëllazëri të gjithëmbarshme, për shërbim ndaj Zotit dhe të afërmit, sidomos ndaj atyre që vuanin në trup apo në shpirt
Si erdhi te thirrja rregulltare?
Gjashtë vite “luftoi me Zotin”, prej moshës 12 deri në atë 18 vjeçare, dhe pas shumë këshillimeve, lutjeve, shtegtimeve të rregullta në Letnicë, së fundi vendosi: “DUA TË BËHEM MOTËR MISIONARE PËR T’I SHËERBYER TË VARFËRIT E BOTËS”. (Letnicë, 14 gusht 1928)
Pse shkoi në Kalkutë, në Indi?
Sepse si e re kishte lexuar dhe dëgjuar në Shkup prej etërve jezuitë, që kishin misionarë në Kalkutë dhe më gjerë në Bengali (Indi), mbi mjerimin, varfërinë, gërbulën si dhe mbi ndasitë fetare, kastore, gjinore, racore, dhe më s’ mund të ishte e qetë, por dëshironte të jetonte me ta dhe të vepronte në mesin e tyre.
Si udhëtoi në Kalkutë dhe kur mbërriti atje?
Udhëtimi për Kalkutë u zhvillua në tri faza: me tren Shkup – Zagreb (26 shtator 1928), prapë me tren Zagreb –Dublin (13 tetor 1928) dhe së fundi me anije Dublin – Kalkutë
(prej 1 dhjetorit deri më 6 janar 1929). Në një mënyrë ky udhëtim simbolizon dhe paralajmëron tri fazat e saja jetësore, si Gonxhe Bojaxhiu (1910-1928), Motra Tereze e Loretos (1929-1950) dhe Nëna Tereze – Misionare e Dashurisë (1950-1997).
Këto tri periudha jetësore përputhën me tri virtyte hyjnore: FEJA, SHPRESA dhe DASHURIA.
Pse quhej Motra Tereze e Loretos?
Sepse atëherë ishte tradita dhe ligji kishtar i ndërrimit të emrit të pagëzimit me ndonjë emër të ri në rregulltari. Gonxhe Bojaxhiu e ndërroi emrin e pagëzimit në atë të Motra Tereze e Loretos, sepse ishte anëtare e bashkësisë rregulltare të motrave që quheshin “Motrat e Loretos”. E ndërroi emrin për ta ndërruar së pari vetveten, jetën dhe veprimtarinë e saj, pastaj Kalkutën, Indinë, botën mbarë.
Kërkim (feja), angazhimi apo veprimi (shpresa) dhe dhurimi apo flijimi (dashuria), ishin dhe mbesin shtyllat në të cilat ajo mbështeti mbarë jetën dhe tërë veprimin – flijimin për ta mahnitur njerëzimin si Nëna e Dashurisë.
Sa kohë jetoi dhe veproi si motër e Loretos në Kalkutë?
Prej vitit 1929 deri në vitin 1950, kur përfundimisht mori lejen e themelimit të bashkësisë së re rregulltare “MISIONARET E DASHURISË”. Këto tri faza jetësore janë konteksti jetësor i saj, dhe pa këtë ajo s’ mund të kuptohet, edhe më pak të imitohet.
Çka bëri Nëna Tereze për Kalkutën, Indinë, Botën?
Asgjë dhe gjithçka. Me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë, vërtetoi dhe dëshmoi se i vetmi mjekim për trup dhe shpirt, për varfëri, sëmundje, gërbulë, vetmi, për pleq, fëmijë dhe rini, për të këqijat e botës së pasur dhe të varfër, për të gjithë është DASHURIA VEPRUESE ose NË VEPRIM.
Ajo së pari i përballoi të ligat e Kalkutës, më vonë edhe të Indisë, së fundi edhe të mbarë botës, dhe ia doli, i tejkaloi të gjitha ndasitë, dallimet, përkufizimet kombëtare, fetare, gjinore, racore, kastore… duke e pasur si pikënisje dhe si përfundim të çdo veprimtarie binomin ZOTI dhe NJERIU.
Për të Zoti dhe njeriu ishin të pandarë, sepse ajo ishte mbi të gjithë që të jetë dhe të mbesë NËNA E TË GJITHËVE.
Për të bërë të gjitha këto vepra bamirësie Nëna Tereze ka themeluar: MISIONARET E DASHURISË (1950), VËLLEZËRIT MISIONSRËT E DASHURISË (1963), BASHKËPUNËTORËT E NËNËS TEREZE (1969), MISIONARET E DASHURISË –DEGA KONTEMPLATIVE (1976) dhe VËLLEZËRIT E FJALËS – REGULL MESHTARAK (1984).
Çka kemi ne prej saj?
Me Nënën Tereze edhe një herë ndriçoi dhe lulëzoi krishterimi ynë 2000 vjeçar martir, dialogu ndërfetar shqiptar krishtero-mysliman, dialogu ndërkishtar katoliko-ortodoks, tradita bujare e mikpritjes dhe e bamirësisë, ndihmës ndaj të varfërve, strategjia paqësore jodhunore, me pak fjalë vlerat tona shekullore të fisnikëruara dhe të begatuara me përvojën madhore të Nënës Tereze.
Me rastin e Shpërblimit Nobel për paqe, së pari gojarisht, pastaj edhe më shkrim para mijëra gazetarëve ma dha këtë porosi në gjuhën tonë shqipe:
Oslo, 10/ 12/ 79
“Une gjithmon e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin qi Pagja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjith botën. Lutnu shum për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija.
Une lutem për juve”.
M. Teresa Bojaxhiu
Çka kemi ne me beatifikimin dhe shenjtërimin e Nënës Tereze?
Shumë, sepse do të jetë Shenjtëresha e parë Shqiptare edhe zyrtarisht e pranuar dhe e shpallur nga ana e Selisë Shenjte, ajo që bota e shpalli NËNË UNIVERSALE dhe SHENJTËRESHË e mbarë njerëzimit, Nëna e Jetës dhe Dashurisë.
BIJA SHQIPTARE, NËNA E BOTËS, TANI EDHE SHENJTËRESHA E DASHURISË, ja, NËNA JONË TEREZE. Ajo do të lutet dhe do të ndërmjetësojë për ne para Zotit, ndërsa ne do të mundohemi të jemi bijtë dhe bijat e saja në jetë dhe në veprim.
Porosia apo testamenti shpirtëror i Nënës Tereze për ne?
“Pa dashuri dhe flijim jeta s’ ka kuptim”; “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”; “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.
Nga goja dhe zemra e plotë lind urata spontane: Shën NËNA TEREZE LUTU PËR POPULLIN SHQIPTAR, PËR KISHËN TONË, PËR BOTËN MBARË! Amen.(Drita.Info)./ KultPlus.com