24 Dhjetor, 2020 - 7:26 pm
Themeluesi i kompanisë Microsoft, Bill Gates, ka thënë se ky vit ka qenë i keq dhe sipas tij pritet që lajme të mira do të na vijnë gjatë vitit të ardhshëm.
“Më shumë se 1.6 milion njerëz kanë humbur jetë gjatë pandemisë së coronavirusit dhe mbi 75 mijë tjerë janë infektuar me COVID-19, kurse dëmet ekonomike kapin vlerën e dhjetëra trilion dollarëve. Miliona njerëz kanë mbetur pa punë dhe kanë probleme të mëdha për të paguar faturat, e mbi një miliard fëmijë kohën më të rëndësishme për shkollë, e kanë humbur. SHBA këtë vit ishte dëshmitare e vrasjeve të tmerrshme siç ishte ajo e George Floyd dhe Briana Taylor, zjarret në zonat malore dhe zgjedhjet presidenciale që kurrë më parë nuk janë parë të zhvillohen në atë mënyrë”, ka shkruar Gates në blogun e tij “Gates notes”, transmeton KultPlus.
Megjithatë, thotë së gjërat do të përmirësohen gjatë vitit 2021.
“Gjatë vitit të ardhshëm do të na vijnë lajme të mira. E kam kaluar 2020-ën me kolegët nga Fondacioni, duke u munduar ta kuptojmë se si duhet ta testojmë, trajtojmë dhe parandalojmë COVID-19. Kur mendoj shpejtësinë dhe përparimin e shkencëtarëve, jam i befasuar. Raca njerëzore kurrë nuk ka bërë përparim më të madh kur është fjala për shërimin e çfarëdo sëmundje brenda një viti. Një gjë e tillë kurrë më parë nuk është bërë sikur në luftën kundër COVID-19”, ka shtuar Gates.
Në rrethana të zakonshme, zbulimi dhe prodhimi i vaksinës mund të marrë kohë deri në 10 vite, por kësaj radhe, shumë vaksina kundër koronavirusit janë zbuluar brenda më pak se një vit.
Sidoqoftë, Gates konsideron se pavarësisht përparimit, njerëzit vazhdojnë të jenë të rrezikuar nga pandemia e koronavirusit.
“Modelet kompjuterike parashikojnë që pandemia do të mundte të jetë edhe më e rëndë gjatë muajve të ardhshëm. Gjithashtu duhet të bëjmë më shumë për variantin e ri të koronavirusit që është shfaqur, për të cilin thonë se përhapet më shpejtë, por që nuk është edhe aq vdekjeprurës”, ka theksuar miliarderi amerikan. / KultPlus.com