24 Shkurt, 2019 - 11:20 pm
Prof. Dr. Afrim Blyta gjatë emisionit “Talk” të KTV-së ka folur edhe për martesat. Ai ka krahasuar martesat në kohën e mëparshme me ato të tanishmet. Dr. Blyta thotë se të rinjtë e sotshëm edhe pse e kanë lirinë e daljes dhe kanë mundësi që të njohin njëri-tjetrin para martesës, përsëri nuk arrijnë që të njohin mirë njëri-tjetrin.
Dr. Blyta, po ashtu, tregoi se në Kosovë nuk ka ndonjë këshillimore për martesa.
“Të kalosh me dikë me vite të tëra nuk do të thotë ta njohësh atë, pasi tek ne nuk ka këshillimore për martesë. Kur ndodhë një krizë në familje, nuk shkojmë tek vendi adekuat për një këshillë dhe kështu nuk e kemi mbështetjen emocionale”, ka thënë Blyta.
“Ndryshimet që ndodhin në familje janë të lidhura me emancipimin e femrës dhe obligimet duhet të shpërndahen, pasi një femër intelektuale duhet të jetë një grua, një nënë, një shtëpiake dhe një nuse po ashtu. Dhe emancipimi i gruas duhet të përcillet edhe me emancipimin e burrit”, shtoi Blyta.
Gjithashtu, Dr. Blyta sqaron faktin se si të parët tanë edhe pse nuk njiheshin me njëri-tjetrin deri në ditën e martesës, megjithatë kishin martesa shumë të lumtura dhe fëmijë të edukuar dhe shumë të suksesshëm.
“Ndërsa në kohët e sotme edhe pse e kemi më të shprehur lirinë e daljes dhe të veprimit e të njoftimit me njëri-tjetrin, të rinjtë nuk po e njohin njëri-tjetrin dhe prandaj kemi martesa të dështuara dhe fëmijë të pa përgatitur për jetën”, sqaroi Dr. Blyta.