19 Tetor, 2019 - 6:30 pm
Shkruan: Aleksandar Hemon
Përktheu: Bujar Meholli
Botuar në gazetën e mirënjohur amerikane “The New York Times”
Peter Handke, shkrimtari austriak të cilit iu nda çmimi “Nobel” për letërsi, është apologjet i Sllobodan Millosheviçit.
Në jetën time të hershme në Sarajevë i lexova librat e shkrimtarit austriak Peter Handke dhe u befasova për të mirë, edhe nga librat edhe nga skenarët që ai shkroi. E pëlqeja novelën “Frika e golit gjatë goditjes së penaltisë” e veçanërisht e dashuroja kryeveprën e regjisorit Wim Wenders, filmin “Krahët e dëshirës”, skenarin e të cilit e shkroi Handke. Kah fundi i viteve ’80 unë isha i ri dhe fillova rrugëtimin drejt zgjerimit të njohurive të mia. Peter Handke atëbotë dukej jo vetëm i zgjuar dhe atraktiv, por edhe shkrimtar që po i zgjeronte kufijtë e letërsisë. Ai ishte lloji i shkrimtarit, që mendoja se isha i aftë të bëhesha ndonjë ditë.
Gjërat rrodhën shpejt. Ndryshuan edhe për Handken edhe për mua. Ishte viti 1991, kur Sllovenia dhe Kroacia u shkëputën nga Jugosllavia. Ushtria e Popullit Jugosllav iu përgjigj Millosheviçit, Presidentit të Serbisë, i cili qe angazhuar në një luftë të shkurtër në Slloveni, pastaj në një më të gjatë dhe më të përgjakshme në Kroaci, duke rrënuar qytete dhe duke kryer mizori. Një shumicë njerëzish në Bosnje dhe Hercegovinë vendosën një referendum një vit më pas, pra në vitin 1992, për ta shpallur pavarësinë. Millosheviçi u kundërpërgjigj.
Ambicia e tij nacionaliste për ta krijuar “Serbinë e Madhe” u përcjellë me një operacion gjenocid kundër myslimanëve boshnjakë. Ishte Radovan Karaxhiçi, një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, ai që zhvilloi fushatën e “spastrimit etnik” e që donte të thoshte, përdhunime, vrasje, dëbime masive drejt kampeve të përqendrimit. Shteti i Millosheviçit arriti të sigurojë mbështetje të plotë financiare dhe ushtarake.
Në korrikun e vitit 1995 serbët hynë në Srebrenicë, një qytet në Bosnjën Lindore që ishte shpallur zonë e sigurtë dhe supozohej se do të mbrohej nga batalioni holandez nën flamurin e Kombeve të Bashkuara. Gjenerali Ratko Mladiç, komandanti i Ushtrisë serbe në Bosnjë, e festoi marrjen e Srebrenicës. Ai deklaroi se kjo ishte fitorja e fundit e tyre në luftën e gjatë 500-vjeçare kundër “turqve” – term racist që përdorej për myslimanët boshnjakë. Dhe disa ditë më vonë, ushtarët e tij i vranë rreth 8000 myslimanë boshnjakë, pastaj i varrosën në varre masive të panjohura edhe sot e kësaj dite.
Nuk e mbaj mend si dëgjova se Handke, nëna e të cilit ishte nga Sllovenia – kishte vendosur të thotë se viktimat e vërteta të luftërave jugosllave ishin serbët dhe se qeveritë perëndimore bashkë me gazetarët, gënjenin nga urrejtja e tyre ndaj serbëve. Reagimi im i parë ishte thjesht një mosbesim, sepse si mund ta thoshte këtë shkrimtari që i imagjinonte engjëjt mbi qiellin e Berlinit duke u kujdesur për qytetarët në filmin e Wendersit? Pra, të thoshte se “myslimanët” në Sarajevën multietnike qenë masakruar vetë për t’i fajësuar serbët më pas. Handke këmbënguli se numri i boshnjakëve të vrarë ishte i ekzagjeruar dhe ishin ata, serbët, që po vuanin porsi çifutët nën nazistët.
Pasi mbarojë lufta në vitin 1996, ai publikoi një libër me titull “Udhëtim nëpër lumenj: drejtësi për Serbinë”. Milosheviçi që ishte i dashuruar pas Handkes, i dhuroi “Urdhrin e Kalorësit Serb” për angazhimin e tij ndaj çështjes serbe. Pas një sasie të madhe të provave dhe krimeve serbe në Kroaci dhe Bosnjë (dhe pas vitit 1999 në Kosovë) Millosheviçi dhe bashkëpuntorët e tij u arrestuan dhe pritej të paditeshin për krime lufte, por mbështetja e Handkes për “Kasapin e Ballkanit” vazhdoi pa u lëkundur.
Madje, Millosheviçi bëri thirrje që ai të jetë dëshmitar në gjyqin e tij në Hagë, të cilën Handke e pranoi me mirësjellje. Në vitin 2006, pasi Millosheviçi ndërroi jetë, Handke mori pjesë në varrimin e tij dhe mbajti një fjalim para 20.000 të pranishmëve. Në Beograd, Handke konsiderohet “mik që serbët s’patën kurrë nevojë ta blinin”.
Dy bashkëpunëtorët e Millosheviçit, Karaxhiç dhe Mladiç u dënuan me burg të përjetshëm për krime kundër njerëzimit. Një mohues i gjenocidit është një apologjet i një gjenocidi tjetër. Për Handken, Irish Time shkroi: “Kur kritikët theksuan se kufomat e viktimave siguronin prova të mjaftueshme të mizorive serbe”, shkrimtari u përgjigj: “Ju mund t’i ngjitni ato kufoma mbi gomarin tuaj!”
Deluzionet imorale të Handkes mund të lidhen me estetikën e tij letrare, me dyshimin e tij për gjuhën dhe aftësitë e tij për ta përfaqësuar të vërtetën. Është e vështirë të kuptosh se çfarë mund ta bënte atë që ta adhuronte një përbindësh si Millosheviçi?
Unë s’kam qenë në gjendje që t’i lexojë veprat e tij pasi që ai iu përkushtua çështjes së destinuar për të humbur, asaj të Millosheviçit dhe Serbisë.
Duke qenë boshnjak, unë nuk jam aq evropian sa suedezët e mençur të Komitetit “Nobel”, të cilët i dhanë Handkes çmimin “Nobel” për letërsi. Por mund të them se politika e Handkes e zhvlerësoi estetikën e tij, kurse adhurimi i Millosheviçit e zhvlerësoi etikën e tij.
Në funeralin e këtij të fundit, ai tha: “E ashtuquajtura botë di gjithçka për Jugosllavinë dhe Serbinë. E ashtuquajtura botë e di të vërtetën. Unë nuk e di të vërtetën. Por unë shoh. Dëgjoj. Ndjej. Kjo është arsyeja pse sot jam këtu, afër Jugosllavisë, afër Serbisë, afër Sllobodan Millosheviçit”. Shkrimtari që mundi t’i thoshte ato fjalë, s’mund të ketë asgjë të vlefshme për të thënë.
Ndoshta Komiteti i nderuar i “Nobelit” ka investuar aq shumë në ruajtjen e civilizimit perëndimor, sa që një faqe e Handkes të vlejë sa një mijë jetë myslimane. Ose mund të ndodh që në dhomat e rralla të Stokholmit, portieri i Handkes të jetë më i vërtetë se një grua nga Srebrenica, familja e së cilës u zhduk gjatë asaj masakre.
Përzgjedhja e tij nënkupton se për ta, Komitetin e “Nobelit”, gjenocidi vjen dhe shkon por letërsia është gjithmonë. Andaj ata vlerësuan “zgjuarsinë gjuhësore që ka eksploruar të fshehtën dhe specifikën e përvojës njerëzore”. Në mesin e kësaj epidemie globale të islamofobisë dhe nacionalizmit të bardhë, Handke është “Bob Dilani i apologjetëve të gjenocidit”. Komiteti i “Nobelit” na e ka dëshmuar se di pak për letërsinë dhe vendin e saj të vërtetë në këtë të ashtuquajtur botë. /KultPlus.com
Aleksandar Hemon është shkrimtar, eseist dhe kritik boshnjak-amerikan. Ai bashkëpunon vazhdimisht me revista dhe gazeta si “The New York Times”, “New Yorker”, “The Paris Review”.