Bukuria shkodrane, apo Nana e Rikard Ljarjes

12 Maj, 2020 - 10:18 pm

Shkruan: Bajram Mjeku

Urimin më të dashur nga nana ime kur isha fëmijë, por edhe më vonë kur nisa të rritem ishte: U bëfsh i bukur si djalë Shkodre!
E në imagjinatën time prej fëmije, qe krijuar njëfarë bindje se Shkodra ka veç djemë, por jo edhe vajza të bukura!
Shkodranja e bukur në foto është Angjelina Logoreci-Ljarja, më saktë nëna e aktorit dhe ikonës së kinematografisë shqiptare, Rikard Ljarja.
Angjelina Logoreci u lind më 4 maj të vitit 1918 në Shkodër. Ishte bija e Pjetër dhe Marie Logorecit dhe ishte motër e shtatë vëllezërve. Njëri nga vëllezërit e saj, Anton Logoreci ishte student ekselent në Universitetin e Cambridge, i cili në vitin 1940 drejtoi Radio Londrën në gjuhën shqipe. Pak kohë më vonë, Antoni ishte drejtues i Radio BBC, Seksioni në Gjuhën Shqipe për Sektorin e Evropës Lindore.
Ajo ishte mbesa e Mati Logorecit dhe stërmbesa e Arqipeshkvit të Shkupit, Andrea Logoreci dhe lindi dy fëmijë; aktorin Rikard Ljarja dhe vajzën Ernesta Ljarja, e cila jeton në Kanada dhe ishte e martuar me Karl Ljarjen, i cili kishte mbaruar studimet për gjuhë gjermane në Vjenë.
Ajo është rritur midis personaliteteve të shquara dhe familja fisnike Logoreci i kishte miq shtëpie At Gjergj Fishtën, Ernest Koliqin, dr. Frederik Shirokën, Luigj Gurakuqin e personalitete tjera të shquara.
Angjelina ndërroi jetë më 11 shtator të vitit 1981 në Tiranë.
Kjo fotografi u realizua gjatë viteve tridhjetë në Studio Marubi në Shkodër, e cila të detyron të mendosh gjatë dhe të rikthehesh mbrapa, atje ku më saktë janë ndalur akrepat e orës së ligë shqiptare.
Para regjimit komunist, femra shqiptare trajtohej si qenie fisnike dhe dinjotoze në shoqërinë shqiptare dhe të drejtat e saj mbroheshin më heret fuqishëm me Kanun e më vonë edhe me Kushtetutën e Shtetit shqiptar. Për gjysmë shekulli sa sundoi Perandoria komuniste, në Shqipëri gruaja shqiptare trajtohej si punëtore krahu, kooperativiste e pak gjë më shumë. Puna shkoi deri aty, sa gratë kooperativiste mbërrijtën deri në Byronë Politike të Shqipërisë staliniste!
Në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, femra shqiptare trajtohej si qenie e nëpërkëmbur dhe e harruar, madje kualifikohej edhe si “rob”, përjashto dallimin e vogël nga gjysma e dytë e viteve shtatëdhjetë e më vonë.
Por, në Shqipëri, ndodhi eksperimenti më i rrezikshëm kur regjimi stalinist, duke provuar shartimin e njeriut të ri, shkoi deri aty sa duke detyruar femrën shqiptare t’i bëj punët më të rënda fizike, nisi të deformojë racën shqiptare, më të bukurën në Kontinentin e Vjetër.

*
Të shkruash pë shkodranen e bukur dhe të fisme Angjelina Logoreci-Ljarja, është e pamundur të mos shkruash edhe për djalin e saj, aktorin e madh Rikard Ljarja.
Kur para pak ditësh ndërroi jetë ikona e kinematografisë shqiptare Rikard Ljarja, nga pikëllimi i madh dhe duke mos pranuar ndarjen fizike të tij, as kam shkruar për të, as kam dashur të pranoj se ka ndërruar jetë. Të vetmin ngushëllim për të, ia kam bërë mikut tim të çmuar shkodranit Pjetër Logoreci, mbasi Rikardi ishte djali i hallës së tij.
Me Rikard Ljarjen për herë të parë kam pi kafe në Tiranë në janar të vitit 1996. Asnjë shqiptar deri sot në jetën time nuk e kam takuar si Rikard Ljarja të ketë njohuri aq të thella në fushën e kulturës dhe politikës. Asnjëherë nuk kam dëgjuar një shqiptar të ketë vizione aq të mëdha dhe ide aq kreative për të djathtën politike si aktori Rikard Ljarja. Edhe sot jam i bindur se sikur partitë e djathta shqiptare këndej e andej kufirit (nëse vërtetë janë të djathta), të kishin marrë sado pak konsulencë nga Rikardi i madh, dy shtetet shqiptare nuk do të ishin katandisur në gjendjen që janë.
Mbi të gjitha, Rikard Ljarja mbetet aktor i madh dhe në skenën e filmit shqiptar dukej bukur si vet Nëna e Tij në këtë fotografi. /KultPlus.com

Të ngjajshme