20 Qershor, 2019 - 3:30 pm
Nga Elidor Mëhilli
“Veproi si burrë shteti!” — dëgjohet në mejhanet mediatike (“portale”), tek editorialet e shkruajtura nxitimthi, tek akademikët me ambicie të vogla politike, tek statuset në Fejsbuk që vazhdojnë të mbajnë me buk edhe gazetarinë parazitare në shqip.
Nëpër studiot televizive mblidhet batalioni i juristëve, rradhët e të cilëve janë rritur në proporcion të zhdrejtë me zbatimin e ligjeve në vend. Diskutohet fort nëse do të mund të futet edhe këtë herë elefanti shqiptar në një vrimë të Kushtetutës. “Kushtetuta ësht’ Bibël mo burr’!” — dëgjohet zëri i një konstitucionalisti në vendin e ateistëve.
Si edhe herë të shkuara, edhe këtë herë editorialistët, juristët, dhe statusistët nxituan t’i bëjnë makiazh figurës burrërore të shtetit. Folën për ligje me numër, fraksion, dhe datë; për nene dhe nën-nene dhe nën-nën-nene; për paradigmën anglo-saksone; për konceptet politiko-teorike mbi ndarjen e pushteteve. Folën për punët e shtetit dhe për punët e ligjit: punë të mëdha burrash.
Si edhe herë të shkuara, kaloi pa u përmendur mundësia se janë edhe këta vetë—përpunues të ligjërimit dhe imagjinatës publike—që kanë ushqyer dhe vazhdojnë të ushqehen nga ky realitet i molepsur. Hiqen të paimplikuar tek shpjegojnë me bezdi se në sa copa mund të ndahen pazaret politike të vendit. Hiqen më të mençur se politikanët që analizojnë nga mëngjesi në mbrëmje, më kozmopolitë, më perëndimorë.
Por nuk janë vetëm vëzhgues të kllapisë. Janë nevojtarë ndaj këtij rituali krizash të njëpasnjëshme, sepse kriza si sistem të menduari ka dalë të jetë pjellore. Krizat politike i ushqejnë nga pak zërat publikë; krizat kanë prodhuar ekspertizë krizash alla shqiptarçe.
Prandaj edhe janë bërë të përhershme.
Krizat shpalosin edhe paradoksin në dukje të narrativës politike shqiptare: Nga njëra anë, zërat publikë vazhdojnë të flasin për burra shteti e sjellje prej burrash shteti. Nga ana tjetër, pothuaj me të njëjtën frymë, na thonë se shtet nuk ka patur dhe nuk ka. Çudi.
Burrat e shtetit i gjen kudo pas dhe përreth. Janë tek Fjalori i shqipes së sotme (1984) përveç se tek monografitë voluminoze për Gjergj Kastriotin, Ali Pashë Tepelenën, Qemalin, Nolin, Zogun, Enverin e deri tek ditët e sotme: tek deklaratat e ish-ambasadorit amerikan për Berishën; tek fjalët e Thaçit për Ramën; tek thirrjet brenda llojit për Ramën-Skënderbe; apo tek ngatërresa me dashje që i bëhet (aq rutinë, sa tashmë as nuk vihet re) zyrës së Presidencës me burrin që ka përkohësisht brenda.
“Një burrë shteti,” shpjegonte para pak kohësh ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, “nuk lëviz nga vendi”. Sa për perëndimorët, që vihen dhe vetë-vihen ritualisht në rolin e përgjegjësit, as këta nuk i kanë shpëtuar tundimit për ta kurorëzuar këtë apo atë figurë shqiptare “burrë shteti”.
Njëkohësisht, të njëjtët që magjepsen me burrërinë shtetërore të ditëve tona na premtojnë se do të “bëjnë shtet” pasi, siç duket, “nuk kemi shtet”. Në fakt, kur kanë thënë “po bëj shtet” kanë dashur të thonë “po bëj shtet si unë” ose mbase “do bëhem vetë shtet!” Shtet ka patur dhe ka. Shteti ka patur trajtën e një burri.
Kështu që edhe burrat e shtetit që kanë mbajtur e mbajnë peng partitë (majtas, djathtas, e bandash), qeveritë, presidencën, dhe gjykatat kanë kolonizuar jo vetëm këto, që s’janë pak. Kanë kolonizuar edhe hapësirën mendore dhe gjuhën me të cilën vazhdon të përcillet ky realitet, i cili riprodhon veten. /PF/KultPlus
(Elidor Mëhilli, mban gradën Asistent Profesor në historinë evropiane dhe ndërkombëtare në Hunter College, City University of New York. Ka mbaruar studimet e doktoraturës në Princeton University (2005-2011), studimet e larta në Cornell University (2000-2005), dhe ka mbaruar poste akademike të shkurtra në Columbia University (2011-2012) dhe University of Pennsylvania (2012-2013). Jeton në New York)