26 Janar, 2021 - 1:30 pm
Nga Jusuf Buxhovi
Mesazhi i ambasadorit amerikan në Kosovë Kosnett rreth asaj se ushtarët amerikanë nuk kanë vdekur as për Shqipërinë e Madhe e as për Serbinë e Madhe, duhet kuptuar drejt në aspektin e pragmatizmit politik dhe diplomatik, por edhe si vërejtje serioze ndaj veprimeve që rrezikojnë interesave amerikane në Kosovë.Aspekti i pari ka të bëjë me atë se Kosova si shtet i pavarur është projekt perëndimor (kryesisht amerikan), për të cilin shtetet perëndimore në krye me SHBA-të ndërhynë ushtarakisht ndaj Serbisë duke anashkaluar edhe të drejtën ndërkombëtare.Ndërsa aspekti i dyti ka të bëjë me atë se hapja e kësaj çështjeje kuturu siç po bëhet nga disa politikanë të papërgjegjshëm në Prishtinë dhe Tiranë për qëllime zgjedhore, mund t’i shkojë për shtati vetëm Rusisë dhe aleatëve të saj të cilët po punojnë me ngulm që me tema të tilla, të destabilizohet rajoni, prej nga mandej, në dobi të tyre, mund të imponohen rikonfigurime të tjera gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Natyrisht se nga pikëpamja historike, kontekstet e ideologjive të shekullit të kaluar, ku nacionalizmi ka ushqyer projektet shtetmëdha, siç ishte krijimi i Serbisë, Greqisë, Bullgarisë, që shkuan në dëm të çështjes shqiptare, po qe se rikthehen me retorikën e “bashkimeve kombëtare”, qoftë edhe nën pretekstet e “marrëveshjeve historike me Serbinë”, siç ndodhi kohë më parë nga Thaçi, Vuçiçi dhe Rama, rrezikojnë drejtpërdrejt shtetin e Kosovës – të arriturën më të madhe të shqiptarizmit në këtë shekull, për ç’gjë, kundërshtimi i vendeve kryesore evropiane (Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe) edhe ndërhyrja amerikane kundër saj, ishte e pritshme.Andaj, sot më shumë se kurrë retorika e “bashkimit kombëtare”, duhet të zhvendoset nga rrafshi i keqpërdorimit politik, për t’u vendosur te ai politik-diplomatik, që nuk mund të jetë tjetër pos te opsioni i një unionit të mundshëm i dy shteteve shqiptare, me mjete demokratike dhe në çatinë e përbashkët evropiane, gjithnjë në bashkëpunim dhe bashkëveprim me aleatët perëndimore, veçmas me SHBA-në dhe NATO-n. Të tjerat, mund të jenë vetëm saltomortale, që do t’i shkonin për shtati Beogradit dhe Rusisë! / KultPlus.com